Firmosen ndryshimet e kryeprokurorëve. Adnand Kosova në Tiranë, Eugen Beçi te Krimet e Rënda

Postuar në 20 Dhjetor, 2012 02:56

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka firmosur dje dy ndryshime të rëndësishme në organin e akuzës. Prokurori Adnand Kosova është firmosur për të marrë detyrën e drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës, ndërsa ndryshimet kanë prekur edhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në këtë institucion pritet të marrë drejtimin prokurori Eugen Beçi. Lajmi është bërë i ditur nga burime të organit të akuzës, që thanë se vendimmarrja e prokurorit të Përgjithshëm ka ndodhur ditën e djeshme.

Sipas burimeve nga Prokuroria, rreth orës 16:30, kryeprokurori Adriatik Llalla ka firmosur komandimin e prokurorit Adnand Kosova në detyrën e drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës. Kosova zë në këtë mënyrë vendin e lënë bosh nga Sokol Malaj në drejtimin ë Prokurorisë së Tiranës. Pak ditë më parë, Malaj paraqiti dorëheqjen e tij nga funksioni i drejtuesit të Prokurorisë së kryeqytetit, ndërsa mësohet se dorëheqja e tij është pranuar dje nga kryeprokurori Adriatik Llalla, i cili më pas ka komanduar Adnand Kosovën në drejtimin e Prokurorisë së kryeqytetit. Prokurori Adnand Kosova ka drejtuar më parë edhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda në momentin e krijimit të saj si zyrë, duke arritur një sukses domethënës të vlerësuar brenda vendit, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Ndërkaq, ndryshimi tjetër që ka ndodhur në Prokurori, është emërimi i drejtuesit të ri të Prokurorisë së Krimeve të rënda. Drejtimin e këtij institucioni e ka marrë prokurori Eugen Beçi. Ky i fundit nga viti 2004 e në vazhdim ka punuar si prokuror në këtë Prokurori, duke hetuar disa nga dosjet më të vështira me të cilat është përballur institucioni në fjalë. Të dyja ndryshimet që kanë ndodhur dje në Prokurori me firmën e kryeprokurorit Adriatik Llalla, për momentin e kanë të panevojshme firmosjen me dekret nga Presidenti.

Lëvizja që brenda 6 muajve kërkon dekret, është transferimi i Adnand Kosovës në Tiranë nga detyra si prokuror në drejtorinë e inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Ndërkohë, emërimi i prokurorit Eugen Beçi në krye të Krimeve të Rënda, duke qenë se është lëvizje brenda institucionit, nuk e ka të nevojshëm dekretin e Presidentit. Në organin e akuzës pritet të ketë ndryshime të tjera gjatë ditëve në vazhdim. tr.so

Burimi: http://www.panorama.com.al

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.