FIFA, dorëhiqet Sepp Blatter

Postuar në 02 Qershor, 2015 12:29

Presidenti i sapozgjedhur i FIFA-s, trupës më të lartë qeverisëse të futbollit botëror, Sepp Blatter ka njoftuar përmes një konference për shtyp nga Zyrihu i Zvicrës, këtë të martë, largimin nga posti aktual, për të cilin vetëm pak ditë më parë mori mandatin e pestë për ta qeverisur.

Dorëheqja e tij është e menjëhershme, por Blatter do të qëndrojë në krye të organizatës deri në mbajtjen e një Kongresi të jashtëzakonshëm, që siç njoftoi FIFA do të mbahet mes dhjetorit 2015 dhe marsit 2016, për të zgjedhur pasardhësin e tij.

79-vjeçari, gjatë deklaratës së tij për njoftimin e dorëheqjes, bëri thirrje për mbajtjen e Kongresit në një periudhë sa më të shpejtë të mundshme, për të zgjedhur pasuesin e tij. Blatter u zgjodh javën e kaluar, pavarësisht arrestimit të 7 zyrtarëve të lartë të FIFA-s, vetëm dy ditë përpara votimit, si pjesë e një hetimi të nisur nga FBI-ja amerikane.

“FIFA ka qenë vetë jeta ime. Ajo që ka rëndësi për mua është FIFA dhe futbolli anembanë botës. Por, mesa duket mandati im nuk ka siguruar mbështetjen e të gjithëve”, tha Blatter ndër të tjera, gjatë konferencës për shtyp.

Shkak i kësaj konference për shtyp dhe dorëheqjes së Blatterit mund të ketë qenë edhe transferimi i bujshëm, i zbuluar mbëmjen e së hënës, i një shume prej 10 milionë dollarësh nga llogaria e tij, e kryer prej krahut të tij të djathtë Jerome Valcke, shumë e cila ishte pjesë e hetimit të FBI-së. Ndërkohë, kryeprokurori zviceran ka bërë menjëherë të ditur se nuk do të nisë hetime mbi skandalin e korrupsionit apo ndaj Blatterit.

/ Top Channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.