Erla: Rama, sulme dhe kërcënime revanshiste ndaj qeverisë. Do vijojmë punën deri më 6 shtator

Postuar në 06 Korrik, 2013 13:26

Kryeministri Sali Berisha ka reaguar nëpërmjet zëdhënëses së vet, Erla Mëhilli, pas akuzave të pasardhësit të tij, Edi Rama, se po merr vendime të jashtëligjshme, duke qenë se është një kryeministër në ikje. Sipas Mëhillit, Rama po sulmon dhe kërcënon qeverinë në detyrë, duke treguar një revansh të papërmbajtur. Ajo tha se qeveria e Berishës do të vijojë punën normalisht deri më datën 6 qershor, duke qenë se Kuvendi mblidhet vetëm më 7 shtator.

“Këto ditë, zoti Edi Rama, kryetar i mazhorancës së re, ka ndërmarrë sulme dhe kërcënime ndaj institucioneve kushtetuese të vendit, veprimtarisë normale të qeverisë, vendimeve të saj. Lidhur me këto qëndrime, shprehje e një revanshi të papërmbajtur të zotit Rama, sqarojmë se Kushtetuta, me nenet e saj 65; 67; 96; 99, përcakton shumë qartë datën e fillimit dhe mbarimit të mandatit të një mazhorancë dhe kryeministrit të saj.

Kështu, sipas nenit 65 të Kushtetutës, mandati i Kuvendit përfundon të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë dhe data e mbledhjes së parë është data 7 shtator 2009 dhe sipas nenit 67 të saj, Presidenti i Republikës mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës. Pra, Kuvendi i ri nuk mund të mblidhet para datës 7 shtator.

Po kështu, sipas neni 96 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës emëron kryeministrin, pra, pasi mblidhet Kuvendi i ri dhe ky i fundit, sipas nenit 99 të saj, para fillimit të detyrës bën betimin para Presidentit të Republikës, çka do të thotë se mandati i kryeministrit  mbaron pas betimit të pasardhësit të tij. Pra, kjo qeveri ka mandat të plotë Kushtetues  për të ushtruar pushtetin e saj ekzekutiv në zbatim të programit për të cilin është votuar gjer ditën e fillimit të mandatit të mazhorancës së re. Të gjitha vendimet e qeverisë janë dhe do jenë  në përputhje me programin e saj të mandatit që ushtron dhe të bazuara në Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, tha Mëhilli gjatë një konference shtypi.

Sipas saj, antikushtetuese janë vetëm kërcënimet e Ramës dhe jo vendimet e marra nga Berisha. Mëhilli, në emër të Berishës, kërkoi që Rama të heqë dorë nga kërcënimet.

“Antikushtetuese dhe dëshmi e revanshit të papërmbajtur janë sulmet, kërcënimet e zotit Rama ndaj institucioneve të vendit. Antikushtetues është pretendimi i tij për qeveri kujdestare. Kushtetuta e Shqipërisë dhe e asnjë vendi në Europë, por dhe thuajse në tërësi, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, nuk njohin e nuk parashikojnë qeveri kujdestare, të lidhura me zhvillimin e zgjedhjeve. Ky kuadër ligjor ekziston i sanksionuar në Kushtetutën e Bangladeshit, e cila 3 muaj para zgjedhjeve  i jep kryesimin e qeverisë kujdestare kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe tepër rrallë në ndonjë vend tjetër, mbi bazë ligjore të përcaktuar mirë.

Kryeministri i kërkon zotit Rama të heqë dorë nga kërcënimet dhe sulmet ndaj institucioneve kushtetuese dhe siguron qytetarët se qeveria në detyrë do vazhdojë normalisht përmbushjen e detyrimeve të saj dhe se Kushtetuta dhe institucionet  e vendit nuk do mund të pengohen, as edhe të ndikohen nga revanshi i papërmbajtur i tij ndaj tyre”, përfundoni deklarata e Mëhillit./b.l

 

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.