Deputetët e PD: Rama dëmtoi imazhin e Shqipërisë, ja si ndodhi ngjarja

Postuar në 27 Prill, 2013 04:00

 

Fatbardh Kadilli dhe Dashnor Sula marrin përsipër hetimin parlamentar të Ramës. Versioni i tyre në kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor është i ndryshëm nga ai që paraqiti Berisha në Kuvend

Nga Lindita Çela

 

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka zbatuar urdhrin e kryeministrit Sali Berisha për ngritjen e komisionit parlamentar për hetimin e Edi Ramës në lidhje me ngjarjen e Vjenës, duke e vlerësuar atë me rëndësi të veçantë shtetërore dhe publike.

Kërkesa e bërë 24 orë më parë nga Berisha ka marrë formën ligjore me depozitimin e kërkesës për ngritjen e komisionit parlamentar të hetimit.

36 deputetë të Partisë Demokratike, por asnjë nga drejtuesit e lartë të kësaj partie, kanë firmosur për të hetuar Ramën.

Në kërkesën e tyre në fakt tregohet një tjetër histori nga ajo që deklaroi Sali Berisha në Kuvend. Berisha foli për grushta, për fyerje me libër shtëpie, ndërkohë që në kërkesë thuhet se Rama e ka quajtur provokator dhe ka tentuar ta kapë atë për flokësh.

Një çudi tjetër është edhe përbërja e këtij komisioni parlamentar që do të merret më të ashtuquajturin skandali në Akademinë Diplomatike të Vjenës. Kryetar i këtij komisioni është Fatbardh Kadilli, ndërsa anëtarët e tij janë Dashnor Sula, Gert Bogdani, Paulina Hoti dhe Osman Metalla.

 

Përse duhet hetuar Rama?

Në kërkesën që kryetarit i grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend argumentohet dhe arsyeja se përse, sipas tyre, duhet të hetohet kryetari i Partisë Socialiste.

Kështu, demokratët e kanë konsideruar ngjarjen si me interes publik, ndaj duke iu referuar Kushtetutës, ligjërojnë kërkesën e tyre.

“Nga informacioni i deritanishëm rezulton se ngjarja në Akademinë e Vjenës paraqet interes të theksuar publik dhe njëherazi shtetëror. Të përfshirë në këtë ngjarje janë diplomatë dhe zyrtarë të shtetit shqiptarë. Ngjarja ka ndodhur në një ambient me përfaqësues politikë të vendit të huaj, efekti i të cilës tek ata, tejkalon në mënyrë masive dimensionet e një grindjeje të rëndomtë. Motivet apo shkaqet, nga të cilat ka marrë shkas ngjarja, kanë qenë mosmarrëveshja për konsiderata politike që i atribuoheshin zhvillimeve politike të shtetit shqiptar. I përfshirë në cilësinë e aktorit kryesor të ngjarjes së shëmtuar ka qenë z. Edi Rama, jo thjesht në cilësinë e një shtetasi shqiptar, por në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Për shkak të kësaj cilësie, veprimtaria, qëndrimi apo emërtimi i çdo lloj konsiderate politike prej tij përthith interes publik. Së fundmi, e gjithë ngjarja është zhvilluar përgjatë një aktiviteti me karakter politik, argumentet e trajtuara kanë pasur lidhje të drejtpërdrejtë me masën dhe cilësinë e zhvillimit institucional dhe shtetëror të shtetit shqiptar”, thuhet në relacionin e kërkesës për ngritjen e grupit parlamentarë të hetimit.

Por përveç fyerjes së diplomatit, në kërkesë thuhet se një arsye përse duhen verifikuar rrethanat e incidentit të Vjenës është  për shkak se ngjarja ka krijuar një imazh të keq të Shqipërisë në ambientet e politikës ndërkombëtare.

 

Versioni i Berishës dhe ai i deputetëve të tij

Por ndryshe nga kryeministri Sali Berisha, që nga salla e Kuvendit akuzoi kryetarin e opozitës se e ka goditur me grushte diplomatin Ceka, në kërkesën e deputetëve të mazhorancës thuhet se Rama e ka quajtur provokator dhe ka tentuar që ta kapë për flokësh.

“Pas ekspozesë së tij, pasi thotë gjithçka dhe lexon mashtrimet e trillimet e tij ndaj vendit dhe kombit të tij, duke dalë, pasi mbyllet konferenca, në të cilën zoti Rama humbi tërësisht kontrollin kur e pyetën për gjëra të ndryshme, një nga dy diplomatët që ishin aty, qoftë edhe për t’i shërbyer zotit Rama, siç kanë porosi të gjithë ambasadat që të trajtojnë zyrtarisht çdo funksionar të pozitës apo opozitës, diplomati i ri, ndër më korrektët, më të përkushtuarit, më të civilizuarit, i shtron pyetjen zotit Rama: si ka mundësi që ju flisni në këtë mënyrë për vendin tuaj? Pyetjes që iu bë në sallë nga emigrantët se pёrse nuk lejoheshin ata që të votonin në ambasadë, zoti Rama iu përgjigj: nuk do lejoj, sepse diplomatët janë hajdutë votash. Diplomati i ri i thotë: zoti Rama, ne jemi këtu për të shërbyer, nuk jemi hajdutë votash. Si mund të na quash ne, hajdutë? Kjo mjaftoi për të shtrirë dorën dhe grushtin e pakontrolluar drejt diplomatit, në prani të dhjetëra e dhjetëra vetëve. Kjo mjaftoi për t’u lëshuar në sharje prej rrugaçi të mirëfilltë, me regjistër të gjendjes civile, ndaj familjes së diplomatit. Kjo mjaftoi për të dalë jashtë çdo lloj kontrolli dhe ndërhynë të gjithë pranishmit, sepse donte të agresonte edhe më tej diplomatin e ri,” tha Berisha të enjten në Kuvend.

Kurse në relacionin e deputetëve demokratë thuhet: “Me datën 24 prill 2013 në Akademinë Diplomatike të Vjenës është zhvilluar një takim nën formën e një diskutimi publik të kryetarit të Partisë Socialiste, z. Edi Rama. Në aktivitet kanë qenë të pranishëm qeveritarë dhe zyrtarë austriakë, diplomatë të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, të Ambasadës së Kosovës, pjesëtarë të komunitetit shqiptar që jeton në Austri, si dhe qytetarë austriakë. z. Rama ka shprehur opinionin e tij, sipas të cilit “shërbimi diplomatik shqiptar është krejtësisht i politizuar dhe për këtë arsye nuk mund të mbahen zgjedhje në ambasada për emigrantët shqiptarë”. I pranishëm në këtë veprimtari ka qenë edhe diplomati shqiptar, z. Egin Ceka. Ky opinion i shprehur nga z. Rama, ka nxitur diplomatin shqiptar, z. Egin Ceka të diskutojë për të shprehur opinionin e tij. Ai nuk e ka bërë këtë gjë përgjatë zhvillimit të aktivitetit, pasi sipas rregullave të shërbimit të jashtëm nuk ishte i autorizuar të ndërhynte gjatë takimit, qoftë edhe për të mos krijuar situata, që mund të keqkuptoheshin. Në respekt të këtyre rregullave ka vendosur ta diskutojë me z. Rama pas takimit. Ai i është prezantuar z. Rama për identitetin e vet, si dhe për detyrën shtetërore që mbante. I ka shprehur qetësisht z. Rama se teza e shpalosur prej tij në atë aktivitet publik se shërbimi i jashtëm është tërësisht i politizuar nuk pasqyron realitetin e ndërtimit dhe funksionimit institucional dhe ligjor të këtij shërbimi. Z. Rama pas këtij momenti ka reaguar çuditshëm, duke iu drejtuar me fjalët “kush të ka dërguar” dhe me ton arrogant dhe jashtë etike e ka urdhëruar të largohej nga ambientet e Akademisë. Diplomati Egin Ceka i është përgjigjur se nuk kishte pse të largohej nga një ambient publik. Pas këtij momenti, z. Rama me veprime fizike i është avitur dhe e ka kapur në pjesën e kokës dhe të flokëve, duke e tërhequr me dhunë. Veprimi ka qenë i kryer për të shprehur jo vetëm dhunën fizike, por edhe sinjale të pastra poshtërimi, shpërfilljeje dhe fyese”.

 

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.