Burrel, incident me makinën e Berishës, truprojat dhunojnë një 52-vjeçar

Postuar në 31 Maj, 2013 08:14

BUREEL - Gjatë një takimi elektoral të Kryeministrit Sali Berisha në qytetin e Burrelit është shënuar një incident.

Incidenti ka ndodhur në momentin e largimit të eskortës së kreut të mazhorancës. Mësohet se një person ka qëlluar me lule në drejtim të makinës së Berishës. Garda e Republikës ka konfirmuar incidentin dhe bëhet me dije se një 52-vjeçar është rrahur.

Në momentin që Berisha ka qenë duke hipur në makinë për t’u nisur drejt Bulqizës, Hoxha ka lëshuar në drejtim të tij një tufë me lule. Personi që qëlloi eskortën e Berishës është rrahur nga truprojat e Kryeministrit. Hoxha dhe më pas është shoqëruar në polici.

Berisha në Burrel: Kur bota dhe rajoni ishte në krizë, Shqipëria pati rritje ekonomike

Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim elektoral në qytetin e Burrelit ku ka prezantuar edhe kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike.

Berisha në fjalën e tij ka përmendur disa nga arritjet të qeverisë, duke e bërë Shqipërinë anëtare të NATO-s, të nënshkruante Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit dhe të realizonte lëvizjen e lirë të qytetarëve.

 “Sot ne jemi të mbledhur në këtë shesh për të nderuar para së gjithash njëri-tjetrin, Matin dhe Shqipërinë, sepse ne në një hark kohor të shkurtër me dashurinë tonë për Matin dhe Shqipërinë, me punën tonë, me djersën dhe punën tonë ne ia dolëm që Shqipërinë e skajuar, Shqipërinë e mënjanuar që s`po konsiderohej nga askush ta bëjmë anëtare të NATO-s, ia dolëm të firmosnim MSA-në, të lëvizim pa viza në Europë, ia dolëm të meritonin statusin e kandidatit. Këto janë arritje historike”, tha Berisha.

Me tej ai ka folur për krizën ekonomike, duke thënë se falë reformave të qeverisë Shqipëria jo vetëm që nuk është prekur nga kriza, por edhe ka pasur ulje të papunësisë.

“Në këto vite krize për rajonin dhe botën, bëri që Shqipëria të jetë në të pakta vende me rritje të qartë ekonomike. Në Burrel bizneset në kohë të vështirë u 2-fishuan. Në rrethin e Matit janë në ndritim dhe do ndërtohen mbi 80 hidrocentrale, duke punësuar mbi 5 mijë matjanë dhe dibranë”, deklaroi kryeministri.

Kryeministri Berisha nuk ka lënë pa sulmuar edhe kreun e PS-së Edi Rama dhe alternativën e opozitës e cila sipas tij është mashtrim dhe bllokim.

“Kam kënaqësinë të vij tek ju në një kohë kur gjatë këtyre viteve nga çdo skaj të rrethit të Matit ne po ndërtojmë një rrjet modern. Zotimi im solem është ndërtimi i rrugës së Arbërit, rruga e dytë e kombit. Ne kemi ndërtuar mbi 10 mijë km rrugë.  Matematika e mashtrimit thotë se në Shqipëri janë ndërtuar 1500 km rrugë. Vetëm Fondi shqiptar i Zhvillimit ka ndërtuar 1520 km rrugë. Fondi i Zhvillimit të rajoneve që ndërton rrugët e fshatrave ka pasur një buxhet 3 herë më të madh se fondi shqiptar i zhvillimit kurse Ministria e Transportit ka pasur një buxhet 10 herë më të madh se Fondi shqiptar i Zhvillimit. Zoti Rama pasi mësoi këto shifra i tronditur në autobusin e tij mavi deklaroi se e shikoni sa shumë para ka prishur qeveria për rrugët po ku janë ato. Zotëri, autobusi jot mavi me xhama të zi nuk të lejon të shohësh asgjë në Shqipëri”, tha kryeministri.

Ai ka theksuar se kryesocialisti Rama kërkon të vendosë në piedestral neobllokmenët.

“Alternativa tjetër është e akuzave të pabaza, e bllokimeve të çdo gjëje. Pse Edi Rama votoi kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve. Pse votoi kundër ndërtimit të rrugës së Kombit dhe të Arbërit dhe buxheteve për ndërtimin e rrugëve. Të gjitha këto kanë vetëm një shpjegim ai përpiqet me çdo kusht të rikthej neobllokmenët në pushtet. Ata nuk po luftojnë për të vendosur në piedestral rilindësit, por për të rikthyer në piedestral etërit e tyre. Ai kalon nga një miting në tjetrin duke i quajtur qytetarët robër ndërsa dje u premtonte mësuesve gjyqet publike të turpshme të kohës së shkuar”, tha Berisha.

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.