Bullgarët: CEZ mund të shesë degën shqiptare

Postuar në 06 Nëntor, 2012 03:41

Kompani çeke CEZ do të vendosë deri në fund të këtij viti për fatin e degës së vet në Shqipëri, ndërkohë që njëri nga opsionet është shitja e saj. Lajmi vjen nga media bullgare e specializuar në sektorin e energjisë “Publics.bg”, e cila në një artikull të djeshëm vëren se “kompania elektrike çeke CEZ ka bërë me dije se do të vendosë përfundimisht në fund të këtij viti nëse do të nisë ndërtimin e një impianti prodhimi me gaz në Hungari dhe nëse do të shesë njësinë shpërndarjes në Shqipëri, me të cilën po has mjaft probleme”. Në artikull media bullgare citon Tomas Pleskac, drejtorin e departamentit ndërkombëtar të CEZ, i cili ka ankesa si për nivelin e lartë të vjedhjeve në degën shqiptare, ashtu edhe me autoritetet tona. “Në Shqipëri kemi dy probleme mjaft shqetësuese, nivelin e lartë të vjedhjeve të energjisë elektrike nga rrjeti, si dhe mungesën e aftësisë paguese të klientëve”, citon “Publics.bg” drejtorin e departamentit ndërkombëtar të CEZ. 
Shitja 
Më tej në artikull vërehet se CEZ ka investuar rreth 120 milionë euro në degën shqiptare, por për shkak të problemeve me shitjen e energjisë si dhe problemeve me kuadrin rregullator mbi të cilin bazohet aktiviteti i kompanisë, ka raportuar për gjysmën e parë të vitit 2012 një total humbjesh prej 2.3 miliardë koronash ose 119 milionë dollarësh. Siti përmend edhe takimin e drejtuesve të CEZ-it me Kryeministrin Sali Berisha, ku të dyja palët kishin rënë dakord që të lëviznin sa më shpejt për zgjidhjen e situatës. Ndërsa CEZ bëri me dije se mund të lërë Shqipërinë, Kryeministri shqiptar premtoi ngritjen e një ekipi që do të negociojë me shoqërinë çeke. “CEZ do të vendosë deri në fund të vitit nëse do ta shesë kompaninë e shpërndarjes dhe ka sinjalizime se interes për të kanë shfaqur blerës të ndryshëm, përfshi qeverinë shqiptare, fonde investimesh dhe shoqëri që operojnë në tregun e energjisë”, citon media bullgare, Pleskac. 
Negociatat 
Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës ka nisur zyrtarisht negociatat me kompaninë CEZ, të cilat do të vendosin fatin e kompanisë shpërndarëse të energjisë. Sipas ministrisë, po shqyrtohen disa opsione, siç është kalimi nën administrim, kalimi në formën e paketave një kompanie të tretë. Vendosja e një administratori nga Enti Rregullator i Energjisë nënkupton rikthimin e kompanisë së privatizuar tre vjet më parë në pronësi dhe menaxhim tërësisht shtetëror. 

 

 

Balkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.