Berisha-shkodranëve: Na jepni mandatin e 8-të, ne do ju mbështesim në gjithçka

Postuar në 13 Maj, 2013 03:51

 

“Unë do t’ju përcjell një mesazh. Për mua, nga më të rëndësishmit që kam përcjellë ndonjëherë drejt qytetarëve të qarkut të Shkodrës. Ky mesazh është: bëni gjithçka të sillni në parlament tetë deputetë, çdo shqiptar nga Shkodra t’i japë përgjigjen më ekzemplare, më të shkëlqyer aleancës së 1 prillit”.

SHKODER Në një kohë kur zgjedhjet e ardhshme parlamentare parashikohen të ndahen me një diferencë të ngushtë numrash në Kuvend, kryeministri Sali Berisha ka kërkuar dje nga shkodranët që të votojnë masivisht PD-në me qëllim marrjen e një mandati më shumë, nga 7 që kanë aktualisht në 8. “Unë do t’ju përcjell një mesazh. Për mua, nga më të rëndësishmit që kam përcjellë ndonjëherë drejt qytetarëve të qarkut të Shkodrës. Ky mesazh është: bëni gjithçka të sillni në parlament tetë deputetë, çdo shqiptar nga Shkodra t’i japë përgjigjen më ekzemplare, më të shkëlqyer aleancës së 1 prillit. Është në dorën tuaj që në këto zgjedhje të angazhoheni më me përkushtim se në çdo zgjedhje tjetër dhe unë ju garantoj ju se qeveria e ardhshme do të shumëfishojë mbështetjen për ju. Nga këtu dua t’iu jap një përgjigje qytetarëve dhe banorëve të zonave të përmbytura.

T’i falenderoj ata për durimin dhe mirëkuptimin dhe ta dinë mirë se nuk do të ketë kurrë borxh që nuk do t’iu kthehet atyre. Unë kërkoj të mirëkuptojmë njëri-tjetrin. Nëse në qeveritë e mëparshme tetë vjet resht zonat u përmbytën disa herë dhe nuk u kthye një qindarkë, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë për sa kohë të jemi ne në pushtet”, – deklaroi dje Berisha gjatë inaugurimit të rikonstruksionit të rrugës Koterr- Manastiri i Karmelitaneve, komuna Hajmel, në Shkodër. Kjo rrugë ka kushtuar 79 milionë lekë, ka një gjatësi 4.15 km dhe gjerësi  4 m. Nga rikonstruksioni i saj përfitojnë mbi 4 mijë banorë të 4 fshatrave të komunave Hajmel dhe Dajç në zonën e Zadrimës. Kryeministri komentoi edhe mënyrën e re që Rama po ndjek për të komunikuar me mediat, atë të bashkëbisedimit nga autobusi i fushatës. “Le ta lëmë zotin Rama në autobusin e tij mavi. Le ta lëmë atë kryeministër në autobusin e tij, me të cilin vetë është shofer dhe e dini ju kush ishte fatorino. Fatorino është Ben Blushi, i cili nxjerr tabelën kudo, mos i fol shoferit. Le të ecim ne drejt një fitoreje të shkëlqyer, drejt fitores së merituar”, – tha ai. Po dje Berisha mori pjesë edhe në inaugurimin e rikonstruksionit të rrugës Ura Gjader – Mnele, një rrugë me vlerë 198 milion lekë, gjatësi 7.2 km  dhe gjerësi  4.5 m. Berisha premtoi shtim të investimeve në katër vitet që vijnë në Shkodër dhe në gjithë Shqipërinë, duke mbyllur investimet në infrastrukturë dhe duke kthyer vëmendjen nga sektori i bujqësisë. Ndër të tjera, Kryeministri nuk la pa komentuar edhe koalicionin PS-LSI.  “…Të ecim të sigurt për të konsoliduar më tej ato vlera që anëtarësuan Shqipërinë në NATO, ato vlera që hoqën vizat për shqiptarët. Ato vlera, të cilat bënë të mundur që në datën 10 tetor të vitit të kaluar Komisioni Europian, duke shqyrtuar një nga një të gjitha zhvillimet pozitive në Shqipëri, deklaroi se do t’i rekomandojë Shqipërisë për statusin e vendit kandidat me kusht që ata të votojnë tri ligjet. Ligje që nuk votohen nga opozita, nga aleanca e 1 prillit, e cila është aleanca e mashtrimit, e trillimit dhe nihilizmit. Ne më 23 qershor do të votojmë për tri ligjet, do të votojmë për integrimin tonë në Europë, do të votojmë për më shumë rrugë, më shumë kanalizime më shumë shkolla të reja, më shumë ujësjellës, më shumë vende pune, më shumë mirëqenie, pensione më të larta, rrogat më të larta”, – tha ai.

 

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.