Berisha nis fushatën në Berat, por gjithçka dukej e vyshkur e pa entuziazëm (një vajzë e re i prish regjinë duke i kërkuar punë)

Postuar në 19 Janar, 2013 07:57

 

Ironikisht Berisha u kishte kërkuar televizioneve të tij të transmetonin LIVE një takim, që ishte prelud i një dështimi zgjedhor. Kryeministri çuditi beratasit kur tha se ka bërë gjithçka për të luftuar korrupsionin, por nuk ngjalli fare emocion në një sallë të vogël të mbushur me punonjës të shtetit. Regjinë që transmetonte për mediat e Berishës e prishi një vajzë nga një familje të përndjekurish, që iu ankua kryeministrit se ka mbaruar shkollën me rezultate të shkëlqyera, por nuk ka punë

Ndryshe nga Shkodra, ku kryeministri Sali Berisha pati një takim më entuziast, edhe pse në Pallatin e Sportit dhe jo në sheshin kryesor, në Berat atmosfera ka qenë e zymtë.

Në një sallë të vogël, të mbushur me nëpunësit e shtetit, edhe Berisha ishte e lodhur dhe nuk arrinte të entuziazmonte njerëzit dhe as ata pak të rinj që i rrinin pas si dekor.

Një entuziazëm i tillë nuk është parë në takimet e Berishës prej shumë kohësh, ndërkohë që qyteti i Beratit dhe gjithë qarku po vuan mungesën e investimeve dhe varfërinë. Aq e dukshme është kjo, sa vetë LSI, aleate e Berishës, kërcënoi se nuk do votonte buxhetin nëse nuk do kishte investime në Qarkun e Beratit.

Në fjalimin e tij të vakët dhe pa emocione, Berisha gjeti momentin të sulmojë kryetarin e opozitës, Edi Rama.

Ironia ishte se Berisha kishte zgjedhur që televizionet e tij informative të transmetonin LIVE ceremoninë, që zhvillohej nën tingujt e vjetruar të Thunderstruck të AC/DC. Duket se i ka mbetur ora në vitin 1990, kur doli kjo këngë.

Me atë gjuhë që ka përdorur këto 22 vite, ai sulmoi kryetarin e opozitës dhe po ashtu habiti beratasit kur tha se kanë bërë gjithçka për të luftuar korrupsionin. E pikërisht pas këtij fjalimi të gjatë për sukseset, një vajzë e re nga një familje ish- të përndjekurish iu ankua Berishës se kishte katër vite që kishte mbaruar shkollën e lartë më rezultatet të shkëlqyera, por ishte pa punë. Ndërhyri regjia për të futur muzikë, kurse Berisha e drejtoi vajzën për tek kryetari i PD në Berat.

“Forca që ju themeluat 22 vjet më parë do të shndërrohet si forca lokomotivë në integrimin e Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare. Sot shqiptarët lëvizin të lirë. Qeveria ka plotësuar të gjitha kushtet që varen prej saj që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Por, sot statusi është bllokuar nga votat e atyre të lihet në vend që të lexojnë dhe të mbështesin vizionin për të ardhmen, i qëndrojnë besnik testamentit të etërve të tyre. Nga Berati mijëravjeçar do i them Edi Ramës se duke shkelur ligje mund t’u ndërtosh pallate, t’u zësh lulishten dhe dritaret gjitonëve të familjes tënde, por nuk mund të bllokosh kurrë rrugën e integrimit. Muri që ke ndritur për të bllokuar statusin do të shembet përfundimisht me 23 qershor”, deklaroi Berisha.

Ky takim ishte oguri i rrugës drejt largimit. Po ikën i lodhur, me sytë e zgurdulluar, pa ngjallur asnjë emocion.

  TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.