Basha në Elbasan: Ta rindërtojmë PD-në në bazë të meritave

Postuar në 06 Korrik, 2013 13:30

Gara për kreun e PD-së ka vënë në lëvizje të dy kandidatët, Lulzim Bashën dhe Sokol Olldashin.

Njëri në Elbasan dhe tjetri në Fier, pikërisht në qarqet ku ndihen më të fortë. Basha zgjodhi Elbasanin pasi në vitin 2009 ai doli deputet i këtij qarku, ndërsa Olldashi në Fier, ku është i pari i listës për të dytin mandat radhazi. Të dy kandidatët kanë theksuar se "humbja në zgjedhjet e 23 qershorit është përgjegjësia e të gjithëve, jo vetëm e Berishës".

Basha gjatë takimit me simpatizantët në qytetin e Elbasanit tha se ka lidhje të forta me strukturat e partisë në këtë zonë që prej fushatës elektorale të 2009-s, kur ai kryesoi listën e deputeteve demokratë, derisa u tërhoq për të garuar për Bashkinë e Tiranës.

 Kreu i Bashkisë së Tiranës shprehu edhe njhere keqardhjen pr kryeministrin në ikje, se nuk është vetëm faji i Berishës por i të gjithëve për humbjen e PD-së.  

“Pak ditë pas zgjedhjeve Berisha dha dorëheqjen e parevokueshme nga PD. Ky justifikim është i pavërtetë sepse të gjithë e dimë se përgjegjësia fillon nga gjithsecili prej nesh, fillon nga unë, nga secili prej nesh. Për atë që bëmë mirë, dhe për atë që do bënim më mirë. Por ky vendim tashmë është marrë. Dhe është një mundësi që të gjithë të bashkohemi për të kontribuar për këtë familje të madhe. Ndaj edhe sot detyra e parë dhe më e rëndësishme është të jemi bashkë. Të bisedojmë më njëri-tjetrin, të diskutojmë gjërat e rëndësishme. Mos lejojmë përçarjet, kundërshtitë. Ne të gjithë bashkë do të ringrihemi, në të gjithë bashkë do të fitojmë. Ne jemi partia e Sali Berishës”, tha Basha.

 Ndërsa kërkoi mbështetjen e demokratëve elbasanas për ta mbështetur atë në 22 korrik, duke e zgjedhur si kreun e ri të PD-së, Basha tha se kandidon jo për ambicie personale, por për ndjesi përgjegjshmëri. Ndërsa shtoi se sipas vizionit të tij, PD duhet të krijojë një strukturë të re të evidentimit të meritës dhe kontributit të çdo anëtari.

 “Pas konsultimeve të shumta, pas një bisede me kryeministrin Berisha, duke u nisur nga asnjë ambicie personale, por nga ndjesia e përgjegjshmërisë vendosa të shpall kandidaturën për kreun e PD-së të gjithë Shqipërisë. Pasi Berisha siç e ka thënë dhe vetë do të vazhdojë të jetë pjesë e një ringritje të re, dhe një fitoreje. Por çfarë do të thotë të kërkoje besimin tuaj në këtë moment kaq të vështirë. Dua të flas për mënyrën sesi unë e shoh rrugën tonë përpara. Pikësëpari e shoh si një rrugë ku jemi të gjithë bashkë, që nga anëtari më i ri, e deri tek ata që kanë kontribuuar që nga fillesat në PD. Do të vendosim një raport të drejtë midis kontributit meritës dhe përgjegjësisë. Ndaj fillimi i projektit të ri politike për mua, është dëgjimi i zërit të çdo anëtari të PD në çdo cep të Shqipërisë. Së dyti nevojitet hartimi i një sistemi të qartë dhe transparent për meritën e gjithsecilit”, vijoi Basha.

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.