Basha dhe Olldashi: Fajin s’e ka Saliu për humbjen

Postuar në 07 Korrik, 2013 04:44

 Pas zgjedhjeve të 23 qershorit, tashmë Partia Demokratike është përfshirë në një betejë të brendshme për zgjedhjen e pasardhësit të kryetarit të saj, Sali Berisha. Dy kandidaturat që janë në garë për t’u zgjedhur në postin e lartë, Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha, pas ngritjes së grupeve të punës, kanë filluar menjëherë takimet për të marrë mbështetjen e bazës. Lulzim Basha zgjodhi të nisë garën e tij nga qarku i Elbasanit, zonë të cilën e mbuloi në vitin 2009, ndërsa kandidati Sokol Olldashi nisi takimet në qarkun ku është zgjedhur edhe deputet. Në fjalimet e të dy kandidatëve, mungon kritika ndaj kryetarit të dorëhequr Sali Berisha, ndërsa kanë fajësuar strukturat e partisë për keqfunksionim. 

Takimi i Bashës

 Në fjalën e tij në takimin e zhvilluar në teatrin “Skampa” në Elbasan, kandidati Basha u shpreh se për humbjen e së djathtës nuk duhet të mbajë përgjegjësi vetëm kryeministri në detyrë Sali Berisha, por të gjithë strukturat drejtuese. Basha kërkoi që pavarësisht garës midis kandidatëve për postin e kreut të PD-së, ajo nuk duhet të ndikojë në përçarjen e kësaj partie. “Përgjegjësia për humbjen e 23 Qershorit qëndron jo vetëm mbi Sali Berishën, por fillon nga gjithsecili prej nesh. Kjo është një mundësi për të bashkuar secilin prej nesh në këtë familje të madhe. Elementi i parë i reflektimit është që të jemi të gjithë bashkë dhe mos të lejojmë përçarjet dhe shpifjet që të hyjnë mes nesh. Secili prej nesh duhet të pranojë përgjegjësitë e veta. Kandidatura ime për kreun e PD-së nuk është nisur nga ambicia personale, por duke u nisur nga ndjenja e përgjegjësisë dhe ky është një vendim mjaft i vështirë për mua. Militantët e Partisë Demokratike janë njerëz punëtorë dhe të përkushtuar. Fillimi i projektit të ri politik, dëgjimi i zërit të çdo anëtari të PD-së në çdo cep të vendit. Ky proces duhet të jetë i vërtetë dhe i prekshëm nga të gjithë dhe duhet të jetë një proces i cili duhet të nisë sa më parë. Mazhoranca ka ardhur në pushtet me premtime të cilat nuk i mban dot dheqe nuk ka ndërmend t’i mbajë. Kjo mazhorancë ka mundësi të dalë në kundërshti me interesat e qytetarëve të këtij vendi”, tha Basha. Kreu aktual i Bashkisë së Tiranës garantoi se gjatë viteve të opozitës, Partia Demokratike do të angazhohet në funksion të mbrojtjes së shërbimit civil. “Jemi partia që bëri të mundur shembjen e diktaturës, që i dha shpresë vendit me të pashpresë. Jemi partia që bëri të mundur që të ngrihemi nga një nga kolapset më të vështira ekonomike. Jemi partia e vlerave të mëdha dhe njerëzve të mëdhenj, jemi partia e Sali Berishës. Në këtë proces duhet të futemi me dinjitet, jemi krenar për ato që i dhamë vendit gjatë 8 viteve. Jemi e djathta e bashkuar shqiptare dhe do të ndërtojmë një mazhorancë reale për të nesërmen”, u shpreh Basha në fjalën e tij përpara demokratëve të qarkut të Elbasanit. 

Takimet e Olldashit

 Me sloganin “Bashkë rikthehemi më shpejt”, ka startuar nga qyteti i Fierit fushatën e tij për kryetar të Partisë Demokratike edhe kandidati tjetër, Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi. Takimin e parë, kandidati Olldashi e zhvilloi me strukturat e PD-së në Mallakastër, ku theksoi rëndësinë e kuptimit të shkaqeve që çuan në disfatë. Ashtu sikurse rivali i tij, Olldashi shmangu përgjegjësitë e humbjes së PD-së nga Sali Berisha. “Ne i humbën zgjedhjet, por është e domosdoshme të mësojmë psenë. Përgjegjës për humbjen nuk është Berisha, por të gjithë duke nisur nga ministrat deri tek militantët. Jam futur në garën për kreun e PD-së,në një moment të vështirë. Kjo është një garë që do t’i shërbejë Partisë Demokratike dhe strukturave të saj. Ne duhet të ngremë themelet për fitoret e ardhshme. Ne e kemi provuar se dimë që të ringrihemi dhe jemi rikthyer me votën e qytetarëve. U kërkoj ndjesë militantëve të PD-së, që me gjithë punën e madhe, nuk i fituam zgjedhjet”, tha ai. Që të dy kandidatët kanë filluar të shfrytëzojnë sërish rrjetet sociale për të lajmëruar takimet nëpër qytete gjer në 22 korrik, kur do të zgjidhet edhe kryetari i ri. 

Karriera e Lulzim Bashës

  Lulzim Basha, kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, është i vetmi që ka fituar përballë Edi Ramës dy vjet më parë, edhe pse mes shumë kontestimeve dhe me ndihmën e KQZ-së. Basha iu bashkua Partisë Demokratike të Shqipërisë në janar të vitit 2005 si Koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP) në Partinë Demokratike në Tiranë, duke qenë përgjegjës për ekspertët dhe komisionet e KOPit në përgatitjen, diskutimin dhe shpalljen e 17 projekt-platformave qeverisëse për Partinë Demokratike. Ai u bë anëtar i kryesisë së partisë në maj të atij viti dhe shërbeu si zëdhënës i PD-së gjatë zgjedhjeve parlamentare vitit 2005, në të cilat ai u zgjodh në Kuvendin e Shqipërisë si deputet i Tiranës. Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, Lulzim Basha u bë ministër i Transportit, ku shërbeu për një peri-udhë prej dy vjetësh, derisa ai u emërua Ministër i Jashtëm në vitin 2007. Pas 2009-s, Basha u emërua ministër i Brendshëm. 

Karriera e Olldashit

 Ministri në detyrë i transporteve Sokol Olldashi ka tentuar të përballet direkt me liderin e së majtës, Edi Rama, për kryetar bashkie në Tiranë, ndonëse pësoi një humbje të thellë me 20 mijë vota diferencë. Që nga koha e studimeve për jurisprudencë fillon të punojë si gazetar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe më pas në gazetën “Albania”, më vonë bëhet kryeredaktor i televizionit ATN. Vihet në krye të Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe në vitin 2001 zgjidhet deputet në Parlament. Në vinin 2005 mban postin e Ministrit të Brendshëm, Që nga viti 2007, emërohet në postin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit në qeverinë Berisha. Ministri Olldashi është një nga ministrat më jetëgjatë të qeverisë Berisha Në këtë garë, Olldashi mbështetet nga anëtarët më të vjetër të PD-së, në ndryshim nga Basha që po gëzon popullaritetin e anëtarëve të rinj.

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.