“Statusi në BE nuk varet vetëm nga miratimi i ligjeve”

Postuar në 12 Janar, 2013 06:10

 

Ambasadorja gjermane: KQZ të mos politizohet.

Holtkemper: Do mbikëqyret zbatimi i reformave, sistemi i drejtësisë e lufta kundër korrupsionit.

Në një intervistë ekskluzive për Dojçe Velen, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper, thotë se qeveria dhe opozita duhet të mbajnë në vëmendje interesin kombëtar të Shqipërisë.  Ajo flet gjithashtu për zgjedhjet e ardhshme dhe miratimin e tri ligjeve.
Zonja Müller-Holtkemper, nga viti 2012 Shqipëria ka të bartur një mosrealizim: mosmarrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Ju keni mendimin se ky vlerësim erdhi për shkak të mosvotimit të tri ligjeve nga Parlamenti, apo dhe për shkaqe të tjera? Çfarë pritmërie keni për këtë vit që sapo ka nisur në realizmin e këtij objektivi?
Ne qëndrojmë përkrah Shqipërisë dhe e mbështesim atë në mënyra të shumëllojshme në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Europian. Por, në rrugëtimin drejt BE-së nuk ka shkurtime. Është në dorën e vetë vendeve që aspirojnë anëtarësimin të dëshmojnë vullnetin politik dhe vendosmërinë për të përmbushur kushtet e rrepta dhe të ndershme të Bashkimit Europian. Në këtë kontekst, secili vend do të vlerësohet në varësi të progresit individual lidhur me reformat: këtu, krahas miratimit të ligjeve, do të mbikëqyret edhe stadi aktual dhe i besueshëm i zbatimit të reformave, përfshirë ndërtimin e shtetit ligjor dhe të sistemit të pavarur të drejtësisë, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në vitin 2012 Shqipëria ka miratuar një sërë ligjesh të rëndësishme, si dhe ka përmbushur disa prej 12 kritereve kyçe. Kjo vlerësohet pozitivisht prej nesh. Mungojnë ende tri projektligje të rëndësishme, si dhe ekziston ende nevoja e zbatimit të mëtejshëm të reformave. Është mjaft e rëndësishme të forcohen përpjekjet në këtë drejtim. Por, është gjithashtu e qartë që Shqipëria këto reforma nuk i zbaton për BE-në, por për vete. Rezultatet e tyre shkojnë në të mirë të popullsisë shqiptare në formën e një sigurie ligjore më të madhe dhe të një zhvillimi më të mirë ekonomik dhe social. Ndaj uroj që për vitin 2013, qeveria dhe opozita, pavarësisht zgjedhjeve parlamentare të fund-qershorit, të mbajnë në vëmendje interesin kombëtar të Shqipërisë dhe të vazhdojnë të angazhohen edhe më tej në realizimin e reformave të nevojshme.
Në bazë të informacioneve që ju keni, a përbën problem për autoritetet zyrtare të vendit tuaj shtimi i kërkesave për azil i qytetarëve shqiptarë që përfitojnë nga lëvizja pa viza në zonën “Shengen” të BE-së?
Liberalizimi i vizave, i arritur në fund të vitit 2010, ishte një hap i rëndësishëm për Shqipërinë. Mundësia për të udhëtuar më lirshëm lehtëson në masë të konsiderueshme edhe shkëmbimin e shumëdëshiruar edhe prej nesh në sektorë të ndryshëm, qoftë në ekonomi, shkencë, kulturë, turizëm, apo edhe thjesht vizitat te të afërmit. Gjithsesi, Gjermania është një prej vendeve më të prekura prej rritjes së ndjeshme të shifrave të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ku duhet thënë se pothuaj të gjitha aplikimet për këtë qëllim, në fund të fundit, mbeten të pasuksesshme. Autoritetet shqiptare po ndërmarrin përpjekje të mëdha për ta marrë nën kontroll këtë problem, dhe bashkëpunimi mes organeve përkatëse gjermane dhe shqiptare është i mirë. Gjithsesi, autoritetet kompetente gjermane janë duke e ndjekur me shqetësim këtë zhvillim.
Viti që sapo ka nisur është një vit elektoral për Shqipërinë. Deri tani disa çështje të infrastrukturës zgjedhore duken se kanë nisur me kontestime nga palët. Si një ndjekëse e zhvillimeve në vend, si e vlerësoni situatën e deritanishme për përgatitjet e zgjedhjeve të qershorit të këtij viti?
Zgjedhjet e fund-qershorit janë të një rëndësie të veçantë: realizimin korrekt të tyre ne e konsiderojmë si një tregues të pjekurisë së Shqipërisë dhe institucioneve të saj në kontekstin e BE-së. Vitin e shkuar partitë kanë rënë dakord për zbatimin e rregullave të reja. Pikërisht këto rregulla të vetëvendosura duhet të gjejnë një zbatim të tillë, që zgjedhjet të zhvillohen të lira, të ndershme dhe transparente, në përputhje me standardet europiane, dhe që rezultati i tyre të pasqyrojë korrektësisht vullnetin e zgjedhësve. Kjo do të thotë, ndër të tjera, që vendimet e natyrës kryesisht teknike në funksion të përgatitjes së zgjedhjeve duhet të merren pa ngarkesë emocionale dhe politizim, që anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të përmbushin detyrat e tyre në mënyrë të pavarur dhe të lirë nga presionet politike dhe që afatet e parashikuara në Kodin Zgjedhor të respektohen.
Në raportet mes dy vendeve ka një çështje që publikisht duket se ka problem. E kam fjalën për projektin e interkonjeksionit Shqipëri – Kosovë, ku KfË-ja gjermane nuk gjeti dakordësi me palën shqiptare për procesin e tenderimit të fondeve. Cili është fati i këtij projekti? A ka ndikim ky zhvillim në marrëdhëniet mes Shqipërisë e Gjermanisë?
Marrëdhëniet tona dypalëshe janë të mira e miqësore. Kjo, natyrisht, nuk përjashton faktin që në çështje të caktuara kemi opinione të ndryshme. Por ne kemi besim se kushtet për një financim nga Banka për Zhvillim KfW do të plotësohen dhe se ky projekt i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Kosovën së shpejti do të mund të realizohet.

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.