Turqia hyn në klubin e vendeve me avionë të brezit të pestë me një prodhim vendas

Postuar në 22 Shkurt, 2024 13:51

Turqia ka njoftuar fluturimin e parë të KAAN, avionit të vet të brezit të pestë, duke hyrë kështu në klubin e ngushtë të vendeve që zotërojnë teknologji të tillë.

Ai është prodhim i Industrive Aerohapësinore Turke; 21 m i gjatë, hapje 14 m të krahëve dhe sipas mediave turke i përgjigjet karakteristikave të gjeneratës në fjalë, si teknologji stealth, sistem elektronik luftimi, mbikëqyrje optike 360 gradë dhe kapacitete supersonike sulmi. Armatimi i tij përbëhet nga njësi të prodhuara po në Turqi, ajër-ajër, ajër-tokë dhe avioni që pritet të hyjë në organikën e forave turke në vitin 2040 do të duhet të zëvendësojë avionët F-16.

Ish-kreu i shërbimit ushtarak, gjenerali Ismail Hakki Pekin, ka deklaruar se prodhimi në masë i KAAN do të kërkojë një dekadë por me të hyrë në veprim, Forca Ajrore Turke do të afirmohet si fuqia kryesore ajrore rajonale. Sipas tij, KAAN tejkalon F-35 në kapacitetet e municionit.

Avioni në fjalë përfaqëson jo vetëm një element modernizimi të ushtrisë turke, por një shkëputje domethënëse të autonomisë së saj nga prodhimet e huaja. Më tej akoma, njësia në fjalë e çliron Turqinë nga negociimi kushtëzues me SHBA për F-16 dhe F-35 që shihen si eksporte strategjike. Dhe ajo që është më kryesorja është fakti se duke qenë pjesë e NATO-s, Ankaraja nuk rrezikon asnjë shtrëngim apo kufizim për zgjerim të kapaciteteve të saj në mbrojtje duke sfiduar kështu të gjithë balancën e fuqive brenda një aleance që gëlon nga ide të paformuara ende për mbrojtjen europiane, ndërkohë që të tjerët ecin me hapa konkretë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.