Qeveria pro-BE në Poloni mbyll kanalin shtetëror të lajmeve

Postuar në 22 Dhjetor, 2023 13:42

Qeveria e re në Poloni, e cila ka marrë drejtimin e vendit javën e kaluar, e ka nisur punën me “çmontimin e televizionit shtetëror”, një premtim i fushatës ky për median që sipas Donald Tusk, ishte kthyer në zëdhënëse të ish-qeverisë së Mateusz Morawieckit.

Kanali i lajmeve të televizionit publik të Polonisë, TVP Info, ndaloi transmetimin 24-orësh, vetëm pak kohë pasi Ministria e Kulturës njoftoi se drejtuesit e televizionit, radios dhe agjencisë shtetërore të lajmeve ishin shkarkuar nga qeveria e Tusk.

Në projektbuxhetin e prezantuar të martën, qeveria e Tusk nuk ka parashikuar asnjë financim shtetëror për TVP.

Ndërkohë që TVP Info ndaloi transmetimin, dy kanalet e tjera kryesore të medias shtetërore vijojnë punën. Mbyllja e kanalit të lajmeve u urdhërua nga shefi i ri i TVP-së, Tomasz Sygut, menjëherë pasi u emërua nga qeveria Tusk.

Ish-kryeministri i PiS, Mateusz Morawiecki, e cilësoi mbylljen e kanalit shtetëror një veprim të paligjshëm që “tregon sesi autoritetet që supozohet se kujdesen për sundimin e ligjit e shkelin atë në çdo hap” .

“Ne nuk do të dorëzohemi. Nuk do ta lejojmë diktaturën në Poloni”, citohet ai nga Financial Times. Edhe presidenti Andrzej Duda iu bashkua zërit të PiS tashmë në opozitë, duke paralajmëruar Tusk të "respektojë kushtetutën" dhe të mos anashkalojë ligjin e Polonisë për median.

Donald Tusk e mori drejtimin e qeverisë polake javën e kaluar pasi koalicioni i tij, Platforma Civile, fitoi zgjedhjet në tetor, duke shënuar një shkëputje të mprehtë nga epoka e qeverisë së PiS.

Pas marrjes së detyrës, ai mori pjesë në një samit të BE-së në Bruksel dhe premtoi rikthimin e rolit të Polonisë në Bllok si dhe zhbllokimin e miliarda eurove fonde të BE-së që ishin ngrirë nga Brukseli lidhur me shqetësimet për sundimin e ligjit në Poloni.

Mosmarrëveshja mbi TVP-në ilustron luftën e vështirë me të cilën përballet Tusk pas largimit të partisë së Jeroslaw Kaczyński-t pas 8 vitesh në pushtet.

Gjatë fushatës zgjedhore, Tusk e ka akuzuar televizionin shtetëror se ka gënjyer për të dhe është vënë në shërbim të propagandës së PiS.

Që nga marrja e pushtetit, ai u ka mohuar gazetarëve të TVP-së aksesin në ngjarjet dhe konferencat e mbajtura nga qeveria e tij.

“Media publike siç ekziston në formën e saj aktuale nuk meriton aspak të financohet nga xhepi i taksapaguesve”, tha Tusk.

Tusk ka zëvendësuar këtë javë edhe krerët e agjencive të sigurisë shtetërore, inteligjencës dhe antikorrupsionit dhe ka tërhequr përfaqësuesin e Polonisë në Bankën Botërore, Jacek Kurski, një ish-bos i TVP.

Një tjetër i emëruar nga PiS para përfundimit të mandatit zyrtar është guvernatori i Bankës Kombëtare të Polonisë, Adam Glapiński. Ndërkohë, Tusk është i detyruar të punojë deri në vitin 2025 përkrah presidentit Duda, i cili mbështetet nga PiS.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.