ADN-ja e Ballkanit

Postuar në 09 Dhjetor, 2023 16:27

Nga shekulli i VII e.s. (koha e rënies së Perandorisë Romake të Perëndimit), një numër i madh njerëzish emigruan nga Evropa Lindore. Ky emigrim që njihet si ardhja e popullsive sllavishtfolëse ka sjellë si rezultat që banorët e sotëm të Ballkanit të kenë 30%-60% prejardhje sllave. Një studim i botuar në revistën “Cell” del në këtë përfundim, pas një analize të ADN-së së individëve që kanë jetuar në këtë rajon përgjatë njëmijë viteve të para të erës sonë.

"Ne gjetëm këtë sinjal gjenetik të migrimit sllav në të gjithë Ballkanin", thotë paleogjenomisti Carles Lalueza-Fox i Institutit të Biologjisë Evolucionare, njëri nga autorët e studimit. "Kjo mund të ketë implikime të rëndësishme sociale dhe politike duke pasur parasysh se Ballkani ka pasur një histori të gjatë konflikti të lidhur me identitetin e perceptuar."

Informacioni gjenetik është përdorur në kombinim me informacionin historik dhe arkeologjik. Shumica e burimeve historike nga Ballkani janë shkruar nga ana e romakëve, sepse populli sllav nuk shkruante në atë kohë. Prejardhja e banorëve të Italisë dhe Anglisë gjatë dhe pas rënies së Perandorisë Romake është studiuar më parë, por për demografinë dhe prejardhjen e Ballkanit gjatë kësaj kohe dihet pak.

Për të eksploruar historinë e popullsisë së Ballkanit dhe për të shqyrtuar ndikimin e ngritjes dhe rënies së Perandorisë Romake, studiuesit nxorën ADN-në nga 136 individë, mbetjet e të cilëve u mblodhën nga 20 vende të ndryshme në të gjithë Ballkanin. Këto u mblodhën në rajone që nisin nga Adriatiku, Qendror Deti Mesdhe dhe Egje dhe lumenjtë Danubi i Mesëm dhe i Poshtëm dhe Sava. Përzgjedhja e këtyre vendeve u bë për shkak të statusit që kanë mbajtur më parë: qytete të mëdha romake, fortesa ushtarake dhe qytete të vogla rurale. Ekipi u fokusua në tre periudha: gjatë zgjerimit dhe ngritjes së perandorisë romake (1-250 e.s.), gjatë periudhës së vonë perandorake (rreth 250-550 e.s.) dhe pas rënies së Perandorisë Perëndimore (550-1000 e.s.).

Për të siguruar kontekstin kulturor dhe historik për të dhënat gjenetike, ekipi bashkëpunoi me arkeologë dhe historianë vendas. Për çdo varr, ata dokumentuan llojin e varrimit, si dhe çdo objekt të varrosur përkrah individëve, si monedha, bizhuteri, qeramikë, vegla pune dhe armë. Studiuesit përdorën metodën e radiokarbonit për të verifikuar moshën e 38 individëve, të cilët gjeneruan të dhëna izotopike që ofrojnë një dritare në dietat e tyre ushqimore. Gjatë periudhës së vonë perandorake, midis viteve 250 dhe 550 të e.s., studiuesit zbuluan emigrantë me prejardhje të përzier nga Evropa Veriore dhe stepa pontiko-kazake. 

"Vumë re se ato dy prejardhje -- Evropa qendrore/veriore dhe sarmato-skitiane -- prireshin të bashkoheshin, gjë që sugjeron se këto ka të ngjarë të kenë qenë konfederata shumë-etnike të njerëzve në lëvizje," thotë gjenetisti David Reich nga Universiteti i Harvardit.

Megjithatë, këto burime prejardhjeje zhduken pas vitit 700 të e.s. Nga viti 600 e.s., pak pas rënies së Perandorisë Romake Perëndimore, pati një fluks të madh individësh nga Evropa Lindore. Pas vitit 700 të erës sonë, individët në Ballkan kishin përbërje stërgjyshore shumë të ngjashme me grupet e sotme në rajon, çka të bën të mendosh se këto migrime rezultuan në ndryshimin e fundit të madh demografik në zonë. Këto migrime përkojnë me migrimet e regjistruara sllave, por analiza e ADN-së ofron një pasqyrë të shkallës së këtyre migrimeve, që është e pamundur të nxirret nga burimet historike.

Këto migrime patën një efekt të thellë demografik. “Më shumë se gjysma e prejardhjes së shumicës së popujve në Ballkan sot vjen nga shpërnguljet sllave, madje rreth një e treta e prejardhjes së vendeve ku sot nuk flitet gjuhë sllave, si Greqia, është sllave”, thotë Reich.

Faza e dytë e studimit, e cila po planifikohet, synon një studim më të detajuar të ADN-së, çka pritet të japë një panoramë më të qartë të ndërveprimeve sociale dhe lidhjeve farefisnore midis individëve të ndryshëm.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.