Prishtina duhet ta llogarisë Tiranën edhe si kundër saj

Postuar në 24 Shtator, 2023 23:40

Përtej situatës dramatike dhe absurde në terren sot në Kosovë, janë me rëndësi parësore deklarimet që u bënë. 

Komuntiteti perëndimor në një zë dënoi sulmin duke e cilësuar terrorist. Këtu spikat qëndrimi i ambasadës amerikane në Prishtinë që vlerësonte se Policia e Kosovës ka të gjithë tagrin dhe detyrimin për të vendosur rendin dhe sigurinë në mbarë territorin. Asnjë njësi e KFOR nuk u vu në lëvizje dhe menaxhimi i situatës u bë me njësitë policore të Kosovës, ndërkohë që kryeministri dhe ministri i Brendshëm, Sveçla kanë bërë thirrje vazhdimisht për dorëzim. 

Nga kjo panoramë qëndrimesh kuptohet se askush nuk vuri në diskutim as të drejtën e Kosovës për të ndërhyrë, vendosur rendin, as edhe kapacitetet e saj. Të vetmit që e bënë këtë janë në Tiranë. 

I pari, kryeministri Edi Rama, teksa foli për krimin e vrasjes, nuk përmendi përgjegjësinë e Serbisë, njësoj si javë më parë kur i drejtohej Kurtit të tërhiqej, propozoi një konferencë ndërkombëtare paqeje. Ky propozim që hidhet për retorikë në Shqipëri, dëshmon se në një mënyrë apo tjetër, ai është bërë nga z. Rama pjesë e diskutimeve për Kosovën. Ne kemi të drejtë të supozojmë se z. Rama e ka propozuar atë në forume të ndryshme, duke provuar se politika e jashtme e Shqipërisë ka rrëshkitur drejt pozicioneve që nuk i kupton kush mirë. 

Mes Kosovës dhe Serbisë ka një proces dialogu, janë firmosur 37 apo 39 marrëveshje, ka një kuadër juridik ndërkombëtar që nis me Konferencën e Rambujesë, Marrëveshjen e Kumanovës, Rezolutën 1244 të OKB-së dhe vazhdon me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare dhe Marrëveshjen e Uashingtonit, Ohrit. Për z. Rama këto nuk kanë vlerë më. 

Kosova njihet nga shumë shtete, aty vepron NATO përmes KFOR-it dhe çështja që mbetet nuk është lufta me Serbinë, por njohja dhe garancitë reciproke. Serbia është në këtë proces në rolin e një pale humbëse përkundrejt komunitetit atlantik dhe jo përkundrejt Kosovës nga e cila nuk i vjen asnjë kërcënim. Propozimi për konferencë paqeje do të thotë të zhbësh atë që është arritur deri më tani, duke hapur në mënyrë kapitale të gjitha çështjet që janë kaluar. Ky është një investim që do të mund të bëhet në kushtet kur palët e interesuara do të çoheshin vetëm pasi të detyrohen për marrëveshje përfundimtare. Do të thotë të bësh diplomaci me VKM dhe ligj të posaçëm. Për fat bota është një vend më i ndërlikuar se kaq. 

I dyti është Edi Rama, por përmes ndonjë editoriali ku është komentuar se pasoja imediate e asaj që ndodhi është se Veriu do të kthehet në Republikë të KFOR-it, term ky i kryeministrit shqiptar. Propozohet që perëndimi të kthehet në Kosovë përmes krijimit të kësaj enklave sigurie në Veri dhe mandej të vijohet me dialogun. Po çfarë do të negociojë Kosova me Serbinë atëherë? Dhe pse Serbia do lodhet me Prishtinën nëse Veriu i saj merr statusin e Lartësive Golan? Pse duhet Kosova të pranojë Asocacionin në kushte të tilla të krijuara artificialisht, kur KFOR është në Kosovë jo ad hoc, por me mandat dhe mision të qartë? 

Shumëkush e kupton se pse hidhen këto propozime dhe se në fakt në sytë e Tiranës, të Sëmurit të saj, Vuçiç ka bërë gabimin e pafalshëm të rritjes së imazhit të Kurtit. Shumëkush e kupton se qyqet e Shqipërisë dhe Serbisë po këndojnë edhe njëherë në Kosovë, sa për të përdorur një shprehje të Kadaresë, me dallimin se për Serbinë për shkak të gabimeve të saj dhe verbërisë, për Tiranën për shkak të shpirtligësisë dhe provincializmit politik. Ndaj një mësim ka vlerë këtu: Kosova, njohja e saj është çështje e Kosovës, komunitetit ndërkombëtar dhe e Serbisë. Arsyeja e rrethanave të krijuara e do që Shqipërinë ta kërkojmë te komuniteti ndërkombëtar, pasi për solidaritet kombëtar në Prishtinë do bënin mirë të mos e llogarisnin Tiranën zyrtare; në variantin më të mirë pikëpamjet janë shumë të ndryshme. Në më të keqin, e kanë kundër. 

s.zaimi

Comments

Submitted by Asterisk (not verified) on

me dallimin se për Serbinë për shkak të gabimeve të saj dhe verbërisë, për Tiranën për shkak të shpirtligësisë dhe provincializmit politik.

Nuk i heq nje presje ketij reagimi. Vetem se kete here 'mbreti' doli lakuriq pasi nuk priti te flasin me te medhenjte dhe leshoi kumbulla OKB-je. Zakoni i tij eshte te perserise ato qe thuhen nga te medhenjte ne kuvende te medhaja dhe ti fuse dhe ndonje shaka me/pa kripe per lezet.
Ka nje trernd shqetesues ne qendrimet e tij qe tregon mungesen e kompetences por dhe forces si brenda vendit per te gjetur nje kompromis mbarekombetar per ceshtjet me rendesi kombetare, ashtu dhe mungesen totale te qendrimit sistematik:
1. Ceshtja e detit me Greqine - Ky ka ngritur duart lart duke ja lene nderkombetarve ta zgjidhin
2. Ceshtja e Kosoves - Ky sharlatan kerkon konferenca paqeje !!!??? dhe zgjidhje nga nderkombetaret

Por dhe ne qendrimet e brendshme:
1. Reforma ne drejtesi - Ky thote: Qe Baba durët! E kane bere nderkombetaret
2. Te gjitha zullumet me plane zhvillimesh e leje neper lulishte - Ky thote: Qe Baba durët! E kane bere nderkombetaret
3. Lista eshte shume e gjate.

Kam pershtypjen qe eshte me komplekse se kaq dhe ky ka gjetur ilaçin e duhur per te mpire trurin e shqiptareve me nderkombetare (dhe duke dale e trimeruar duke perseritur qendrimet e tyre si papagall). Fatkeqesisht kesaj nuk i heci se papagalli perseriti mesimin e vjeter se nderkombetaret moren kohen e tyre per te reaguar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.