Kërkesë për Informacion Homeland Justice!

Postuar në 02 Prill, 2023 15:11

Lexojini materialet e hakeruara të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Hapini edhe ato të Ministrisë së Financave, Gledis Nanos, SHISH-it e kështu me radhë. Gjen aty gjithçka, sekrete jo. Sekreti në kohën që jetojmë fshihet nëpër rreshta, në një shkresë përcjellëse që bëhet sa për të lënë gjurmë, në një udhëzim që bëhet për tendera të caktuar e kështu me radhë.

Kjo e AKEP është ironike sepse sulmohet një autoritet që presupozohet se mbikëqyr këtë treg dhe tani i ulen brekët në mes të ditës. Nëpër materialet e hakeruara gjen edhe fotografi të kartave të identitetit, prenotim hotelesh në Kroaci, raportime për frekuencat. E gjithë kjo që ndodhi, e vë në pozitë qesharake të ashtuquajturin shtet shqiptar edhe nga pikëpamja e raporteve institucionale dhe ligjore me qytetarin. Ta zëmë nëse sot i kërkon një isntitucioni një vendim të vetin, apo një dokument çfarëdo, ka shumë gjasa që të refuzohet, mandej do të të duhet të ankohesh te Komisioneri për të Drejtën e Informimit e kështu me radhë, ikin 3 muaj.

E njëjta gjë ndodh nëse i drejtohesh institucioneve me një kërkesë për një akt që tashmë është hakeruar, pra është zbardhur. Për arsye që duket se kanë të bëjnë me karakterin mykotik të adminiastratave, përgjigja do të zvarritet, shtyhet refuzohet e kështu me radhë. Për analogji, e njëjat sjellje vihet re nga administrate edhe për proceset gjyqësore: sado arbitrar akti ndaj një subjekti, pra sado që kuptohet se përballja gjyqësore është e humbur, administrata shkon deri në Gjykatën e Lartë për çdo çështje, duke prodhuar kosto të jashtëzakonshme në tërësinë e vet.

Vetë Komisionieri është në një pozitë shumë të vështirë për shkak se volumi i punës është rritur progresivisht, tashmë krej kot. Mjafton një valë e dytë hakerimi dhe çdo gjë doli në mexhlis. Për të mirën e përbashkët pasi një shtet që funksionon me parimin “hile qytetarit” nuk meriton të ekzistojë. Dhe në fakt shkon drejt rrënimit.

Për efekte praktike dhe të interesit publik ne duhet të mbështesim Homeland Justice dhe grupe të tjera që të thyejnë të gjitha komunikimet zyrtare, t’i publikojnë ato siç po bëjnë meqenëse e gjthë ngrehina e admnistratës publike bën çmos të bllokojë një të drejtë ligjore siç është informimi.

Me këtë rast mbeten pa zbardhur komunikimet e Bankës së Shqipërisë, një institucion që duhet audituar fund e krye, Ministria e Brendshme, streha e rrugaçëve dhe banditëve të këtij vendi, Burgjet, këtu kanë vlerë kamerat e sigurisë për të parë hanin pa porta që është sistemi i burgjeve në vendin tonë, komunikimet telefonike, sistemi TIMS që edhe kështu raportohet se aksesohet për interesa private sa herë është nevoja, kadastra që edhe ajo aksesohet në të dhëna nga kushdo kur ka nevojë dhe mjafton të shihen sesi publikohet çdo gjë në media të caktuara.

Nëse qeveria e sheh agresionin kibernetik natyrshëm si të dëmshëm, ne si qytetarë që jemi viktima të një klase që vetëm vjedh, por vetëm vjedh pa ndalim, na intereson padyshim e kundërta. Që hakerimi të vazhdojë, të vazhdojë, pa ndërprerje në mënyrë që demagogjia e mbetur të zhbëhet. Më mirë kështu: të paktën shpëtojmë nga gënjeshtra. Është një hap i parë!

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.