Një betejë që parathotë se çfarë torture proceduriale do jenë zgjedhjet

Postuar në 16 Mars, 2023 21:04

E ashtuquajtura dramë parazgjedhore në Shqipëri u konsumua si të gjitha ato që kemi parë: në zgjedhje do garojnë po ata që kemi parë vërdallë këto dekada. Pavarësisht se çfarë komente bëri Ilirjan Celibashi. 

Skena është po ajo: PS përballë PD+LSI dhe një parti me vulë PD-je që apelon mesazhin e bashkimit për të konfonduar deri në fund elektoratin dhe për të ruajtur një rezervë riintegrimi nesër. 

Mirëpo këto janë marifete që vlejnë për një politikë që ka triumfuar më në fund në eliminimin e filtrit interpretativ të mesazheve dhe manovrave të veta drejt votuesit, duke trivializuar çdo gjë dhe duke e shndërruar trivialen në bazë relacionesh politike. Ushtrimi politik vertikal, drejtpërdrejt te IP, që është votuesi konvencional, ka pasojën se brutalizon marrëdhënien që vendoset mes atij që voton dhe atij që predikon, duke normalizuar çdo marrëzi.

Me këtë që dëshmuam, ne duhet të qëndrojmë normalisht larg zgjedhjeve për arsyen e thjeshtë sepse kuptohet fare qartë se çfarë janë në gjendje të bëjnë me ligjin kjo kategori, sesi ka aftësinë dhe gatishmërinë ta përdhosë atë me gjithfarë artificash duke e kthyer sherrin e vet të rremë në litani shtetërore.

Të marrim p.sh politikanin e ri Enkelejd Alibeaj: zotëria e di shumë mirë hapësirën ku luan Komisioneri Celibashi, por u soll publikisht sikur as e konsideronte argumentin formal, meqenëse parimet janë për të të parat. Në këtë kuptim klima e krijuar parathotë llojin e luftës nesër, e cila në procedurë i shërben dhe i vlen vetëm atyre që merren me politikë që edhe kështu nuk po gjejnë dot recetën e stabilitetit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.