Jemi optimistë se e thotë një francez. Dhe kjo është cilësi turistike

Postuar në 14 Gusht, 2022 13:51

Një francez ka mburrur Shqipërinë në një media në Francë dhe kjo është marrë si shenjë se punët për turizmin tonë shkojnë mirë. Kryeministri ka qarkulluar një reportazh limonadë të Laurence Delpoux që nuk rri dot pa përmendur Diktaturën, bunkerët e kështu me radhë për të përfunduar me shijen e vërtetë dhe të thellë të Shqipërisë, tokës së optimizmit, siç  quan ai.

Z. Rama e quan reportazhin frymëzues, xhanëm pse jo, një fjalë është kjo “frymëzues”, në një status që do harrohet. Është i njëjti që foli për çmime të larta që po çojnë në dështimin e sektorit, vetëm pak ditë më parë e që u kap në befasinë e Shqipërisë pa ligj, e mbushur me Maliqë në vrasjen e Himarës.

E panjohura mbetet mania e atyre që qeverisin për t’u rrëfëyer Shqipërinë shqiptarëve me përshtypjet e të huajve. Kaq e infektuar është klima e raporteve ndërshqiptare, e kështu do ketë qenë patjetër, saqë duhet një i jashtëm që të tregojë si duket ky vend, për të gjetur sadopak normalitet.

Mirëpo ky vetësugjestionim për veten, që jemi bishti i kavallit, krijon një keqkuptim të madh dhe prirje malinjiteti për mënyrën sesi shitet Shqipëria shqiptarëve përmes kronikanëve të këtillë si ky francezi i radhës. Sepse asnjë shqiptar, asnjë njeri i qetë nuk thotë se Shqipëria nuk ka bukuri natyrore; nuk ka kush mëri me malet dhe detin, nuk paragjykon kush lumenjtë, luginat dhe ujëvarat, pyjet a kalimet. Këto i ka çdo vend, por kjo nuk e ngre sektorin e turizmit, ato thjesht janë premisa.

Problemi janë shërbimet, çmimet, standardet që mungojnë dhe sidomos një mungesë e habitshme imagjinate për turizmin dhe argëtimin, përderisa ideja e ngulitur për atë që quajmë turizëm është një breg, një shezlong dhe një restorant.

Dhe për këto arsye kemi paradoksin që një pjesë e shqiptarëve ikin jashtë, ndërkohë që numri I të huajve shtohet. Shkrime si këto që sjell Delpoux janë në fakt një mënyrë për të përforcuar ofertën turistike të kompanive në Francë, diçka e mirë në vetvete për vendin tonë dhe ne nuk kemi pse të marrim shpatën e të themi 1000 e një te zeza për vendin tonë. Por ato pervertohen kur përkthehen shqip e na shërbehen si kurë për sytë tonë, për pastrimin e tyre nga pluhuri për ta parë Shqipërinë sa e bukur është.

Si mund të gënjesh deri në këtë pikë? Kush vallë e beson këtë përrallë? Ka mbetur më njeri që nuk e di se bregu i Jugut është i Edi Ramës, Samir Manes, Kastratit, Luan Lekës, Carapulit? Ka mbetur më kush që nuk i di ministrat që kanë vila në Dhërmi, se pikat kryesore të shërbimeve i ka krimi, apo kontigjenti i llumit të këtij vendi, se policët janë zgjatime të krimit dhe korrupsionit? Se kryetarët e bashkive janë ca vemje që parazitojnë duke bërë soditësin në një vend që fermenton krim në çdo stinë?

Patjetër që për një turist këto as kanë vlerë. Me të hyrë këtu secili ka përvojën e vet, përjetimin e vet dhe do ikë me to si kujtesë. Debati për Shqipërinë, i lindur çdo sezon nga pështirjet e një sjelljeje të tillë publike, të një turizmi të çuditshëm që u tregon shqiptarëve si është vendi i tyre, të cilin ata nuk e njohin dhe duhet ta mësojnë si është nga të tjerë, ka të bëjë me ne që jetojmë këtu. E që sot na duhet edhe të përulim mendjen dhe logjikën ndaj mesazhit të një francezi se jemi edhe vend i optimizmit. Ku ta dish, ndoshta po tallet, ndoshta me këtë synon të sjellë në Shqipëri gra në moshë që kanë nevojë për zhigolo.

Por po të jetë për turizëm të vërtetë, kjo nuk lidhet më me malet e detin, se ato Europa i ka me bollëk. Lidhet me miletin e Shqipërisë: të vijnë e vizitojnë Kadastrën me qindra faqe të grisura në regjistra, ujësjellësin kur punonjësi hap e mbyll rubinetin për ujin tonë të dashur me orar, të vizitojë Surrelin ku jeton një artist i madh, një murg i fundit i këtij vendi,  të vizitohen sa janë, 600 objekte kulti të palegalizuara, po edhe Butrintin ku patjetër që do ngrihet një bust i kryeministrit si mecenat i koncesioneve edhe pse nga pamja nuk ka gjë të përbashkët me estetikën antike, të shkojnë në Vorë të mësojnë si bëhen miliona euro, apo edhe të rrijë ca në Parlament për të kuptuar se sëmundja e veremit është ndër më të lashtat. Janë përvoja unike, që ndoshta nuk hasen gjetiu për nga intensiteti i tyre dhe qetësia me të cilën përcillen. Se fundi i fundit këto janë safi shqiptare, ato të tjerat janë importe dhe imitime.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.