Një histori e "fisnikërisë" në Shqipërinë e Jugut - rasti i Familjes osmane Vlora

Postuar në 05 Shtator, 2020 04:50

Punimi në fjalë me autor studiuesin grek Stefanos P. Papageorgiou është një vështrim i shpejtë mbi atë që mund të quhet historia osmane e Shqipërisë së Jugut, parë përmes lentes së luftës së pushtet të parisë së këtij rajoni. Është një lente që i mungon historiografisë shqiptare e cila nuk ndalet në origjinën e asaj që quhej “fisnikëria” shqiptare, ose ndalet vetëm kur do të provojë se të gjithë kanë qenë shqiptarë dhe në vend të saj ka preferuar të paravendosë terma arbitrarë si p.sh “kryengritjet antiosmane”.

E vërteta është se vështrimi mbi premisa të luftës për pushtet jo vetëm është më objektiv pse kënaq dyshimet tona sot për mënyrën si është shkruar historia jonë, por sepse shpjegon më mirë konvergjencën e pushtetit osman në këto anë drejt dhe përmes dy pashallëqeve(kryesorët) që lindën dhe u zhvilluan si refleks i kaosit prej nga ku dominuan Ali Pashë Tepelena dhe Bushatlliu. Nëse do të pranojmë tezën se Tepelena dhe Bushatlliu përfaqësojnë kulmin e prirjes për shkëputje, atëherë Vlorajt na duhet që, në dritën e interesave dhe veprimeve të tyre, t'i shohim si dora e Stambollit në Shqipëri.  Qoftë edhe për ta rrokur këtë  realitet shkrimi meriton lexim. 

s.zaimi

***

Stefanos P. Papageorgiou

Vlora ishte një nga tri kolonikë korfioto-korinthiane në bregun ilir në Adriatik krahas Apollonisë dhe Epidamnusit – Durrachion modern(Durrësi). U themelua në shekullin VI p.e.s dhe emri origjinal është Avlon(një gropë mes kodrave). Qyteti port i Vlorës, i vendosur në pjesën jugperëndimore të shtetit të sotshëm shqiptar, është ndërtuar në një gji të mbrojtur nga Kepi i Gjuhëzës, fundi verior i maleve Akrokeraune(Karaburun) dhe nga ishulli i Sazanit(Saseno). Rreth 3 km në jug të qytetit, mbi një kodër të pjerrët, ndodhet kalaja e Kaninës që u ndërtua për herë të parë gjatë periudhës helenistike.

Në vitin 395 e.s, të gjitha territoret shqiptare që asokohe ishin përfshirë në provincën romake të Epirit të Ri(Epirus Nova apo Illyria Graeca) iu bashkuan Perandorisë Romake të Lindjes dhe formuan bashkë me territoret e sotme të Serbisë, Malit të Zi, Kroacisë, Bosnje Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, pjesës perëndimore të Bullgarisë dhe pjesës më të madhe të Greqisë, Prefekturën Pretoriane të Ilirisë(Prefectura Praetorio per Illyricum).

Në mënyrë specifike, Vlora, Kanina dhe zona përreth qeveriseshin nga një zyrtar i lartë bizantin(Sebastokrator) që kishte selinë në kështjellën e Plloçës në Sevaster, pranë Kudhësit, “tri orë në Lindje” të qytetit të Vlorës.

Në vitin 1205, i gjithë rajoni kaloi nën administrimin e një njësie të re të sapoformuar, Despotati i Epirit që zgjatej nga Naupactus(Lepanto) në brigjet veriore të Gjirit të Korinthit deri në Durrës, në veri të qytetit të Vlorës(Valona). Më pas Vlora, deri më 1372 u pushtua radhazi nga normanët e Siçilisë(1204-1273), anzhuinët e Napolit(1273-1297), sërish nga bizantinët(1297-1345) dhe nga shtëpia princërore serbe e Balshajve që e sundoi zonën në bashkëpunim me klanin e fuqishëm shqiptar të Muzakajve(Muzaki).

Në shtator të vitit 1385, pas vdekjes së Balshës II, provinca kaloi nën sundimin e Komita Muzaka – Komneni(1372-1395), e veja e vëllait të tij dhe vajzë e despotit të Beratit dhe Vlorës, Arianit – Komneni; në fund, në vitin 1396 e gjithë zona u trashëgua nga vajza e Komitës, Ruggina(ose Regina) që sundoi bashkë me burrin e saj, një fiznik serb nga Zeta i quajtur Mërksha Zharkoviç, që ishte edhe një i afërm me shtëpinë perandorake bizantine të Komnenëve.

Në korrik të vitit 1417, gjatë sundimit të Sulltan Mehmetit I, Çelebi(i Fismi)(1413-1421) një ushtri otomane pushtoi zonën, kapi qytetin si dhe kalanë e Kaninës. Në rajonin e Vlorës u krijua një administratë otomane e drejtuar nga një Sanxhak Bej(guvernator distrikti). Qyteti i Vlorës, që ishte porti i parë detar i pushtuar nga otomanët në Adriatik dhe më i afërti me Italinë, u përdor si kryeurë për sulme kundër ishujve Jonianë dhe provincës së Pulias në gadishullin italik. Që atëherë, e gjithë provinca do të mbetet nën sundimin ottoman për 495 vjet, deri më 1913.

Që nga fillimi i pushtimit ottoman, në distriktin e Vlorës u zbatua sistemi i timareve(dirlik) dhe nisi një regjistrim i kujdesshëm i tokave, popullsisë dhe detyrimeve vjetore. Megjithë ngjarjet në fjalë, nuk pati një përmbysje dramatike të rendit social të mëparshëm apo statusit ekonomik, qëkurëse timaret u caktoheshin edhe kristianëve, anëtarë të familjeve të vjetra feudale. Veçanërisht Regjistrimet Kadastrale të viteve 1430-1432 zbulojnë se 70% e timareve në provincat jugore shqiptare u përkisnin timariotëve vendas shqiptarë kristianë(spahinjve).

Islamizimi, në këtë rast të veçantë, nuk konsiderohej, pavarësisht rregullit të përgjithshëm, si një parakusht për zotërimin e një timari. Kështu shqiptarët mund të menaxhonin timare, të qëndronin kristianë, thjesht duke deklaruar besnikërinë e tyre dhe aleancë ndaj Sulltanit Otoman. Eqrem Bej Vlora jep informacione se rreth vitit 1450 familja kristiane e Muzakajve administronte 80 fshatra në fushën pjellore të Myzeqesë(Muzakia – një feud i familjes para kohës osmane), ndërkohë që sipërfaqe të njëjta në të njëjtën zonë administroheshin nga familjet Araniti dhe Matrënga, të dyja pjesë e rëndësishme e elitës feudale paraosmane. Përveç kësaj, kristianëve të njohur lokalë iu dha e drejta e menaxhimit të mbledhjes së taksave, diçka jo e pazakontë në rajonet e sapopushtuara të Ballkanit Kristian. Sigurisht që në këto vendime, otomanët niseshin nga gjendja faktike e mungesës absolute të myslimanëve(përveç forcave ushtara të dislokuara aty) në rajonin e Vlorës Kristiane dhe që këtej vinte pamundësia objektive e formimit të një mekanizmi administrativ provincial, të drejtuar nga myslimanët.

Qeverisja e rajonit nga shqiptarë myslimanë erdhi më pas, për shkak të islamizimit vullnetar, fillimisht mes anëtarëve të klasës sunduese(nga fundi i shekullit të 15-të kishin mbetur shumë pak timariotë kristianë)  dhe më pas mes shtresave të gjera të popullsisë, si dhe islamizimit të pavullnetshëm përmes sistemit të devshirmesë. Kjo provohet edhe nga fakti se nuk është regjistruar ndonjë fluks turkmenësh nga Anadolli apo grupe të tjera etnike, as në rajonin Vlorë-Berat as edhe në provincat e tjera otomane shqiptare.

Në vitin 1466 të gjitha rajonet otomane jugore shqiptare(Toskëria) formonin sanxhakun e madh Arnavudili(sanxhaku i tokave të shqiptarëve), që u nda në nëntë vilajete: Gjirokastra, Këlcyra, Kanina, Berati, Tomorrica, Skrapari, Pala-Kurti*, Kartalos – Zona e Myzeqesë dhe Kruja.

Provincat e Shqipërisë së Veriut(Gegëria) që ishin organziuar kryesisht në fise dhe klane të drejtuar nga kryetarë fisesh, ruajtën statusin autonom nën sovranitetin otoman. Më pas, pas pushtimit të Elbasanit më 1466 nga Mehmeti II Fatihu, u krijuan katër ndarje të reja administrative: sanxhaku I Elbasanit në Shqipërinë e Mesme, ku Mehmeti II – pas kapjes së kështjellës themeloi një qytet të ri që u bë baza e përhapjes së Islamit në rajonin përreth; sanxhaku i Vlorës në Jug, i Ohrit në Lindje dhe më 1479, sanxhaku i Shkodrës në veri. Afërsisht në të njëjtën kohë(fundi i shekullit të 15-të) të gjitha tokat shqiptare dhe epirote që ishin jashtë sanxhakëve në fjalë u përfshinë në sanxhakun e ri të Janinës.

Nga viti 1482 deri në vitin 1538 i gjithë territori që shtrihej nga kufiri verior i lumit Shkumbin që rrjedh në veri të Vlorës dhe formon një kufi natyral mes tokave të gegëve dhe toskëve, dhe kufirit jugor të lumit Kallamata(Thyamis) që derdhet në detin Jon në veri të Gumenicës, u konstituua si serhad sanxhak(sanxhak kufitar) me qendër në Vlorë, nën qeverisjen e një serhad bej – kundërparti i markgrafit mesjetar. Sipas Regjistrimit Otoman të 1506-ës dhe 1520-ës, sanxhaku përfshinte shtatë qytetet(Vlora, Berati, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Bogova, Skrapari), shtatë kështjella dhe një numër të panjohur fshatrash. Në kryeqytet, qyteti i Vlorës, qëndronte në mënryë të përhershme një garnizon otoman dhe në portin e tij ishte ankoruar një skuadrilje e vogël detare.

Në atë kohë, mes viteve 1500-1535, në sanxhakun e Vlorës ishin regjistruar 33 570 familje kristiane, 1 344 myslimanë dhe 553 hebrenj, nga të cilët 528 ishin vendosur në qytetin e Vlorës dhe pjesa tjetër, 25 familje në qytetin e Beratit. Këto të dhëna tregojnë se pas më shumë se 80 vjetësh pushtimi të provincës nga otomanët, kristianët vijonin të përbënin shumicën e popullsisë. Të dhëna të ngjashme shfaqen edhe në sanxhakët e tjerë shqiptarë.

Guvernatori provincial i Vlorës, një zyrtar në rangun e sanxhakbeut, ndihmohej nga shtatë kadinjë(gjykatës mylsimanë) prania e të cilëve tregonte ekzistencën e shtatë kazave - 68 zaimëve(timarlinj me të ardhura vjetore mes 20 000 dhe 100 000 akçesh) dhe 479 spahinjve(timarlinjve me të ardhura vjetore me mbi 20 000 akçe).  Përveç forcave lokale “feudale” të zaimëve dhe spahinjve – që mund të rekrutonin nga timaret e tyre 654 kalorës të pajisur plotësisht(çebeli) – në sanxhakun e Vlorës kishte po ashtu njësi këmbësorie jeniçerësh të përbërë nga 346 mustafixë dhe 107 azabë, që ishin përgjegjës për ruajtjen e kështjellave.

Sipas të njëjtit regjistrim, sanxhaku i Vlorës ishte më i madh se tre sankxhakët e e tjerë(Ohri, Shkodra dhe Elbasani) dhe më i pasuri me të ardhura vjetore për thesarin perandorak prej 32 mijë dukate veneciane(rreth 19 200 000 akçe). Në territorin e sanxhakut ishin vendosur shtatë nga 19 qytetet e provincave shqiptare dhe kryeqyteti i tij, qyteti i Vlorës, me një popullsi që numëronte afërsisht 4000-5000 banorë, ishte e vetmja qendër urbane me një industri të vogël përpunimi shumë të mirë dhe një tregëti të brendshme dhe të jashtme të zhvilluar, e cila deri diku lidhej me komunitetin hebre. Hebrenjtë e qytetit të Vlorës konsistonin në pjesëtarë të vjetër të komunitetit romaniot(hebrej të Mesdheut Lindor që flasin në gjuhë të përzier greke – jevanike, konsideruar si komuniteti më i vjetër hebre në Europë), refugjatë të rinj(katalonjas, kastilianë dhe portugezë) nga gadishulli Iberik që mbërritën në fund të shekullit të 15-të si pasojë e persekutimit nga Inkuizicioni, si dhe refugjatë nga Pulia dhe Ankona gjatë mesit të shekullit të 16-të.

Në vitin 1685, gjatë luftës osmano-veneciane, komuniteti hebraik kishte lëvizur në Berat për arsye sigurie, ndërkohë që ata që mbetën në qytetin e Vlorës u mbajtën si të burgosur nga venecianët. Nga porti i Vlorës importoheshin mallra nga Europa Perëndimore si dhe tekstile(kadife dhe mëndafsh) nga Stambolli dhe Bursa dhe eksportohej kryesisht bitum në sasi të mëdha.

Nga viti 1538, sanxhaku i Vlorës-Beratit u vu nën autoritetin e drejtpërdrejtë të Vezirit të Madh; kështu që sanxhakbeu u bë përfaqësues i qeverisë qendrore perandorake, duke ushtruar detyrat administrative i çliruar nga kontrolli i Bejlerbeut(guvernatori i përgjithshëm) i Rumelisë. Që nga ajo kohë, bashkë me sanxhakët e Janinës, Delvinës, Elbasanit, Ohërit dhe Shkodrës do të formohen njësitë administrative të zonës më të gjerë gjeografike shqiptare deri në fund të shekullit të 18-të. Në atë kohë ato përfshiheshin në dy pashallëqet e mëdha të sapoformuar të Shkodrës dhe Janinës.

Evlija Çelebi(1611-1684), një udhëtar i famshëm ottoman i shekullit të 17-të, që kaloi në provincat jugore shqiptare në vitin 1670, na jep një imazh të qytetit dhe rajonit më gjerë. Evlija, që iu afrua Vlorës nga Veriu, thotë si ai po shkelte përmes një fushe pjellore me fshatra të pasur. Por ajo që e impresionoi atë me të vërtetë ishte miniera e bitumit në Selenicë e cila siç thotë ai, jepte për thesarin perandorak 70 jukë, ose ndryshe 35 500 000 aspra në vit. Një minierë e dytë bitumi, të drejtat mbi të cilën i kishin fituar bejlerët e Vlorës, i jepte thesarit 10 jukë të tjerë(5 000 000 aspra). Këto dy miniera gjeneronin punësim dhe të ardhura për njerëzit e 20 fshatrave të rajonit të Vlorës që përjashtoheshin nga çdo taksë qeveritare. Evlija vëren se në miniera, përveç punëtorëve lokalë, punonin edhe të dënuarit me vdekje apo burgime afatgjata.

Në vijim të udhëtimit të tij në Jug, ai iu afrua kështjellës së Kaninës, që e përshkruan si një fortesë “impresionuese dhe të pakrahasueshme” të ndërtuar mbi majën e një mali në një formë trekëndëshe me tri porta dhe një rreze prej 1000 “hapash”. Brenda kështjellës ishin 300 shtëpi guri, mbuluar me tjegulla, një xhami me minare, magazinë për grurë dhe municion si dhe çisterna uji. Fortesa ruhej nga 400 ushtarë të paguar nga Emin Aga(përfaqësuesi doganor) i Vlorës.

Evlija vëren se në fund të shekullit të 17-të, Vlora ishte kryeqyteti i kazasë me të njëjtin emër dhe Berati ishte për arsye gjeografike  kryeqyteti i sanxhakut, pasi ndodhej në qendër të distriktit. Në Vlorë ishte një fortesë tetëkëndore e ndërtuar në një terren ranor në hyrje të gjirit me të njëjtin emër, “një kryevepër e vërtetë e fortifikimit”. Kështjella rrethohej nga mure 8 m të lartë dhe 4 m të trashë, me tetë bastione ku ishin instaluar bateritë e ushtarëve. I gjithë kompleksi kishte gjithnjë sipas Evlijas – 500 topa të mëdhenj dhe të vegjël. Brenda fortesës që kishte dy porta, ndodhej një kullë e brendshme shtatë kate e lartë – iç-kale - e ndërtuar nga Sulejman Ligjvënësi, një xhami, 300 shtëpi dhe magazina gruri dhe municioni. Në kështjellë qëndronte Dizdar – Aga, kështjellari, 12 oficerë dhe 400 ushtarë. Aty kishin rezidencën edhe kreu i sphainjve, komandanti i jeniçerëve, Kryekadiu që ushtronte autoritetin mbi 150 fshatra të pasur, inspektori i tregut, taksambledhësi, inspektori i detyrave doganore, një oficer përgjegjës për haraçin(taksa mbi pronën), kreyarkitekti, një oficer marine dhe drejtuesi i qytetit.

Më tej akoma, Evlija jep informacione mbi atë që ishte jashtë mureve, qytetin e hapur të Vlorës. Qyteti i ndërtuar mbi një fushë të rrafshët mbushur me pemë, vreshta, limonë, portokalle, ullinj, shegë dhe fiq, kishte 1000 shtëpi guri, një ose dykatëshe me çati tjegulle që ndahej në pesë mëhalla, secila prej të cilës kishte xhaminë e vet. Vlora kishte katër xhami të tjera kryesore, tre medrese, një hamam, tetë çezma, një Pazar me 417 dyqane dhe katër hane. Në veri, mes qytetit dhe detit, ishte fshati i Zvërnecit, me 150 familje të krishtera që punonin në kënetat e kripura apo ishin peshkatarë. Ndonëse Evlija nuk jep hollësi rreth identitetit fetar të fshtarëve ne kuptojmë se të paktën në qytetin e Vlorës në fillim të shekullit të 16-të, kristianët numëronin 150 familje, të kufizuara në fshatin pranë të Zvërnecit, ndërkohë që familjet myslimane – si në qytet ashtu edhe  në Kaninë – kishin shkuar në 1300. Është e qartë se nga fundi i shekullit të 17-të, Islami ishte përhapur në pjesën kryesore të popullsisë së zonës. Në dhjetor të vitit 1804, rreth 130 vjet pas turit të Evlijas në zonë, William Leake, një nga udhëtarët më të besueshëm europianë të zonave shqiptare dhe greke të Perandorisë Osmane, vizitoi qytetin e Vlorës. Sipas Leake, Vlora dukej që ishte lënë pas dore...

Kjo paraqitje e ndryshme është pjesërisht për shkak të shumë ekzagjerimeve në kronikën e Evlijas dhe kryesisht për shkak të faktit se në vitin 1691, pak vjet pas turit të tij, këto dy kështjella u shkatërruan thuajse tërësisht nga venecianët. Leake, megjithatë, bie në një mendje me Evlijan për pjellorinë e vendit...

Henry Holland, një tjetër udhëtar i besueshëm ofron informacione mbi qytetin në fillim të dekadës së dytë të viteve ‘800. Holland na jep  një panoramë të ngashme me atë të Leake, veçanërisht për pjellorinë e vendit dhe plantacionet përqark qytetit. Sipas Holland, Vlora ishte një qytet mysliman me 1000 myslimanë dhe vetëm 1/3-ën e shtëpive kristiane, me gjashtë xhami dhe një kishë ortodokse. Ai vëren po ashtu se qyteti kishte një port përmes të cilit importoheshin mallra nga vendet europiane dhe eksportohej misër, grurë, lëndë drusore, lesh, vaj dhe bitum.

Shtëpia e Bejlerëve të Vlorës

Familja Vlora, më saktë familja e Bejlerëve të Vlorës, ishte një ndër familjet më të njohura “fisnike” otomane-shqiptare dhe me më shumë ndikim në Shqipërinë e Jugut. Eqrem Bej Vlora shkruan në “Kujtimet” e tij se paraardhësi i parë i familjes ishte një farë Gjergj Golemi – qartazi një kristian – që kishte selinë në kështjellën e Kaninës rreth vitit 1398, gjatë sundimit të Sulltan Bajazitit I, Rrufeja(1389-1402). Ai shton po ashtu se familja e Golemit ishte e lidhur në rrugë martesore me Bajazitin, një hamendësim ky  që është pranuar po ashtu edhe nga Franz Babinger.

Një Gjergj Golemi shumë i njohur është Gjergj Aranit Komneni, një “hero” i historisë kombëtare shqiptare(siç është konstruktuar ajo më vonë), i afërt përmes martese me shtëpinë perandorake të Komnenëve dhe vjehrri i heroit par exellence të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Golemi ishte martuar me Maria Muzakën(Muzaki) dhe kishte përfituar si pasojë toka të shumta në rajonin e gjerë ku përfshihej edhe Vlora. Ky Gjergj Golemi gjithësesi(të cilit nuk ia dimë datën e saktë të lindjes) nuk mund të qëndronte në Kaninë në vitin 1398, përderisa 30 vjet më vonë, në vitin 1432 kur ishte 36 vjeç, udhëhoqi një kryengritje në Shqipërinë Qendrore. Pra, nëse nuk është një rindërtim tërësisht imagjinar i një paraardhësi të shquar nga Eqrem Beu, atëherë do të duhet të jetë një tjetër Gjergj Golemi, i paidentifikuar, me gjasë anëtar i së njëjtës familjeje të madhe.

Po kaq pa bazë duket edhe pretendimi për lidhjet familjare, përmes martese me Bajazitin I. Dihet se Bajaziti kishte shtatë gra nga të cilat katër ishin pricesha turkmene(Devlet Shah Hatun, vajza e Germiyan Suleyman Shah; Devlet Hatun, vajza e Germiyan Yakub Shah; Hafsa Hatun, vajza e Aydin Isa Beut; Sulltan Hatun, vajza e Dulkadir Syleyman Shah dhe një tjetër të cilës nuk i dihet emri, princesa Germyan). Të tjerat ishin princesha bizantine Angela, princesha serbe Mileva apo Despoina, vajza e princit Lazar dhe princesha hungareze Maria, vajza e kontit Janosh. Për më tepër, në atë kohë, Shtëpia e Osmanëve ndoqi një politikë specifike ndërmartesore; më saktë Osmanllinjtë hynë në alenaca martesore me vajzat e zyrtarëve ushtarakë dhe fetarë lokalë në mënyrë që të konsolidonin pushtetin e tyre të brendshëm dhe me vajzat sunduesve kristianë në Ballkan dhe bejlerëve turkmenë të Anadollit për të siguruar dhe zgjeruar domenet e tyre apo për të dobësuar shtëpitë rivale dinastike. Sigurisht që familja Vlora nuk hyn në asnjë nga kategoritë e mësipërme.

Ismail Qemal Vlora(1844-1920) merret po ashtu me origjinën e familjes. Ai përmend si themelues të Shtëpisë Vlora, në periudhën postbizantine, një  “shqiptar puro” që ishte oficer otoman me emrin Gazi Sinan Pasha, “i cili pasi kishte marrë postin e Vezirit të Madh, shkoi në Vlorë në kohën e Sulejmanit të Madhërishëm me detyrën e Admiratit të Madh të Flotës. Ai e vendosi rezidencën e tij përfundimisht aty dhe po aty kaloi edhe ditët e fundit të jetës”.

Gjithësesi, sikurse në rastin e paraardhësit bizantin, ka një problem me saktësinë e informacionit që përcillet nga Ismail Qemali lidhur me “Gazi Sinan Pashën”, që konsiderohet prej tij si themelues otoman i Shtëpisë Vlora. Me emrin “Sinan” identifikoheshin shumë zyrtarë të lartë otomanë. Veçanërisht gjatë periudhës së cilës i referohet Ismail Qemali, që përkon me kohën e sundimit të Sulejmanit të Madhërishëm(1520-1566), i vetmi Sinan Pasha që shërbente si Kapudan Pasha – admiral – në vitet 1550-1553, ishte Yusuf Sinani(ose ndryshe Sinanüddin) Pasha që vdiq më 21 dhjetor 1553. Megjithatë ky Sinanüddin Pasha ishte vëllai i Vezirit të Madh, Damad Rustem Pasha, Opukoviç(1544-1553&1555-1561), për të cilin dihet me siguri se nuk ishte shqiptar, por me origjinë kroato-boshnjake.

Një tjetër zyrtar i lartë otoman me të njëjtin emër ishte Koja Sinan Pasha(?-1596), pesë herë Vezir i Madh, i cili shërbeu si Kapudan Pasha dhe drejtoi po ashtu në cilësinë e serasqerit shumë fushata ushtarake  në Tunis, Vllahi dhe kundër safavidëve të Iranit apo Perandorisë Habsburgase. Por Koja Sinan Pasha, që ishte në të vërtetë shqiptar(nga fshati Topojan në rajonin e Lurës që është në verilindje të Shqipërisë) shërbeu si Kapudan Pasha dhe Vezir i Madh gjatë sundimit të Muratit III(1574-1595) dhe Mehmetit III(1595-1603). Më tej akoma, ai vdiq në Stamboll dhe “u varros në tyrben e vet, ndërtuar nga Mimar Davud, në Çarshikapi, lagje e Stambollit)” dhe nuk ka ndonjë të dhënë se ai u vendos apo edhe vizitoi ndonjëherë Vlorën. Vezirët e tjerë të Mëdhenj me origjinë shqiptare gjatë sundimit të Sulejmanit ishin Ajaz Mehmet Pasha, Damad Çelebi Lutfi Pasha dhe Damad Kara Ahmed Pasha; asnjë prej të cilëve nuk quhej Sinan Pasha dhe të gjithë jetonin në Stamboll. Asnjë prej tyre nuk ishte me origjinë nga Vlora, përveç Lutfi Pashës.

Informacione që kanë të bëjnë me paraardhësin themelues të familjes Vlora janë dhënë nga K. Merzios, Chr. Soulis, P. Aravantinos  dhe W. Miller. Sipas këtyre burimeve, paraardhësi i Familjes Vlora ishte sipas gjasave Kara Sinan Pasha(ose Çelebi Sinan Pasha), një komandant ushtarak me origjinë shqiptare, pushtues i Epirit, i cili në vitin 1431 u caktua guvernator i provincës në fjalë. Megjithatë ai nuk ka qenë asnjëherë në detyrën e Admiralit - Kapudan Pasha – ai asnjëherë nuk e mori detyrën e Vezirit të Madh dhe më tej, ai shërbeu gjatë sundimit të Muratit II(1421-1451) dhe jo nën Sulejmanin I.

Të tjera burime përmendin se në fillim të shekullit të 16-të(1518) një farë Sinan Pasha, kreu i një force detare(jo Admiral, por drejtues skuadriljeje) arritit të pushtojë rajonin e Himarës – por ky Sinan Pasha nuk e ka mbajtur asnjëherë detyrën e Vezirit të Madh. Miller që e ka marrë këtë informacion nga Aravantino, vëren se Sinan Pasha u vendos në Vlorë pas përfundimit të operacioneve ushtarake dhe u caktua guvernator i provincës. Ai u kujdes shumë për qytetin, për çka fitoi popullaritet të madh dhe epitetin Arnauti – Shqiptari, ndonëse origjina e tij ishte nga Anadolli, qyteti i Konjës. Gjithashtu, janë Aravantino dhe Miller që thonë se pasardhësit e Sinan Pashës mbajtën, praktikisht trashëguan zyrën e Guvernatorit  -  Beut të Vlorës.

Megjithatë, nëse themeluesi i Familjes Vlora është në të vërtetë Aranut Sinan Pasha, atëherë pretendimet e Ismail Qemalit për origjinënpuro” shqiptare të familjes rrëzohen:

Pas pushtimit dhe sidomos pas konvertimit në masë të popullsisë në Islam, shqiptarët u përpoqën të gjenin tituj për familjet e tyre në lidhje me origjinën anatoliane, njësoj si grekët e vjetër pretendonin se rridhnin nga familjet fisnike egjiptiane. Por e vërteta është se paraardhësi ynë Sinan Pasha, ishte puro shqiptar; dhe ne jemi krenarë teksa ndjejmë se gjatë dominimit otoman, pavarësisht nga trajtmi aq i padrejtë i sundimtarëve turq, ne i shërbyem Perandorisë me besnikëri, ndërkohë që ruanim të paprekur patriotizmin shqiptar”.

Kuptohet se në kohën kur Ismail Qemali shkruante këto radhë(fillimi i shekullit të 20-të) ai e kishte braktisur tanimë legjitimitetin otoman bashkë me anëtarë të tjerë të Shtëpisë Vlora – dhe i ishte bashkuar lëvizjes nacionale shqiptare(Rilindja Kombëtare). Kësaj radhe, një origjinë “puro” shqiptare përbën për ish-zyrtarin e lartë otoman një kredenciale për hyrjen dhe legjitimimin e pjesëmarrjes së tij në lëvizjen kombëtare shqiptare. Përkundrazi, promovimi i një origjine turke anatoliane në fund të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të, saktësisht në kulmin e lëvizjes kombëtare shqiptare, nuk ishte e përshtatshme dhe e leverdisshme për anëtarët e familjes që zgjodhën të luajnë një rol drejtuues në të.

Sa për detyrën e Vezirit të Madh me të cilin Ismail Qemali mvesh paraardhësin e tij(të vërtetë apo të krijuar), kjo mund të jetë për shkak të informacionit të paplotë dhe të pasaktë, ose me më shumë gjasë, me dëshirën e tij për të ekzaltuar edhe më lart prestigjin e familjes së tij. Megjithatë, pavarësisht të vërtetës historike, Familja Vlora duket se ka bindur shumë historiografë dhe historianë, si dhe të gjithë bashkëkombësit e saj, por edhe vetense origjina e saj nis me një farë Sinan Pasha, fëmijë e i një familjeje fisnike bizantine shqiptare të periudhës para osmane, i cili përmes konvertimit në Islam, me gjasë me sistemin e devshirmesë, u bë Kapikulu(skllav/shërbyes i Portës) dhe arriti në detyrat më të larta ushtarake dhe administrative. Më pas ai u kthye në qytetin e lindjes, administroi me mençuri zonën përreth, fitoi respektin dhe besnikërinë e njerëzve dhe më në fund ia doli të krijojë një detyrë “të trashëgueshme” për pasaardhësit e tij.

Shtëpia Vlora u imponua si familja dominuese në rajon dhe mori titullin e Beut në fund të shekullit të 15-të. Familja e mbajti titullin e vet, jo de jure, por de facto, përgjatë periudhës otomane dhe pas krijimit të shtetit shqiptar më 1913. Hegjemonia e vazhdueshme e familjes konsolidoi reputacionin e saj, prestigjin dhe pushtetin, jo vetëm në rajonin e Vlorës, por gjithashtu në zonën më gjerë, apo edhe në Stamboll.

Edhe në rastet kur drejtues të saj humbën privilegjet, apo u dënuan me vdekje për gabime të ndryshme, lëshime, apo veprime që binin në kundërshtim me pushtetin e Sulltanit(p.sh Jusuf Pashë Vlora dhe Ismail Pashë Vlora Velebishti u varën në vitet 1634 dhe 1763 respektivisht), pasardhësit e tyre zgjidheshin përherë mes anëtarëve të të njëjtës familjeje. Kështu Hasan Beu dhe Jusuf Beu, nipër të Deli Jusuf Pashës, u bënë guvernatorë të qytetit dhe rajonit, respektivisht më 1640 dhe 1666. Më tej akoma, në vitin 1765, Mahumd Beu, nip i Ismail Pashë Velebishtit, u caktua me administrimin e sanxhakut. Deri në fillim të shekullit të 19-të, Shtëpia Vlora dukej si e vetmja zgjedhje për administratën qendrore otomane për sa kohë asnjë familje tjetër nuk ka patur pushtetin të imponojë autoritetin e vet dhe të vendosë rendin në rajon. Në mesin e shekullit të 18-të, vlonjatët “ndanë në copa” një farë Ismail Pasha, pasi ai u përpoq të marrë qeverisjen e qytetit “nga pasardhësit e Sinanit”. Kështu, ky ushtrim i trashëguar pushtetit nga 25 anëtarë të Familjes Vlora për 350 vjet ka krijuar një “fisnikëri” të trashëgueshme të pazakontë dhe në kundërshtim me institucionet otomane.

Sovrantiteti i padiskutueshëm i Familjes Vlora në sanxhakun Vlorë/Berat u fuqizua më shumë nga fundi i shekullit të 17-të për shkak të degradimit të sistemit të timareve – dirlik – një fakt që solli si pasojë humbjen nga Porta e Lartë të kontrollit mbi provincat dhe mbizotërimin gradual të sistemit të Çifligut. Klasa e vjetër e spahinjve, që përbënte kavalerinë e provincave u zëvendësua nga klasa e re e bejlerëve dhe agallarëve, zotërues tokash, që ishin të çliruar nga detyrimet ushtarake që përfshinte sistemi i timareve.

Dobësimi i pushtetit qendror dëshmohet nga ecuria e Regjistrimeve Kadastrale dhe Regjistrat e Popullsisë. Në provincat otomane shqiptare ky sistem u vu në punë që në vitin 1431 dhe që nga ajo kohë e më pas u përsërit më 1485, 1534, 1536, 1571, 1582, 1591, 1596, 1606, 1672, 1691, 1694, 1698 dhe 1715.  Më pas ky sistem do të pushojë së ekzistuari për shkak të paaftësisë së Portës së Lartë për ta imponuar atë dhe për shkak të mungesës së dëshirës nga të fortët lokalë për ta zbatuar atë.

Kjo është një periudhë gjatë së cilës bejlerët shqiptarë nisën të rinegocionin në favorin e tyre, detyrimet ndaj Portës së Lartë dhe rritën ndjeshëm zotërimet e veta duke uzurpuar tokat e fshatarëve që u shndërruan në qiraxhinj. Mori rrugë në këtë mënyrë zgjerimi i zotërimit pronësor që çoi në përqendrimin e pasurisë në duart e pak familjeve të fuqishme. Këto familje menaxhonin një sistem kompleks klientele, me shumë degëzime dhe kishin në dispozicion të tyre bandat të fuqishme të armatosura që mbështesnin zgjerimin politik dhe social duke u mundësuar kundërvënien ndaj pushtetit qendror të Sulltanit. Kështu në provincat shqiptare ishte imponuar një gjendje e përhapur paligjshmërie, për shkak se bejlerët kishin konflikte me njëri-tjetrin dhe synonin epërsinë politike dhe përfitime ekonomike, ndërkohë që Porta e dobësuar, e paaftë që të menaxhonte situatën, u kufizua te politika “Përça e sundo”, me shpresë se do të shmangte humbjen e plotë të kontrollit në rajon.

Dera e Madhe e Vlorajve e përcaktoi veten në këtë grup të ngushtë social të Bejlerëve të Mëdhenj që lulëzuan në Jugun shqiptar pas dekadës së parë në shekullit të 18-të, duke mbajtur një pozicion të spikatur. Familja qeveriste sanxhakun nga Konaku i vet, një kompleks monumental ndërtuar në një sipërfaqe prej 40 000 m2, i njohur edhe si Sarajet e Bejlerëve. Ndërtesa ndodhej afër hyrjes juglindore të Vlorës, mbi një aks që çonte nga porti në qendër dhe rrethohej nga mure guri 8 m të larta, me dy porta të mëdha.  Sarajet kishin një selamllëk – zonë e meshkujve – dhe një harem – zona e femrave – për anëtarët e familjes; kishte po ashtu ndërtesa të tjera në të cilat jetonin dhe punonin shumë të tjerë, femra dhe meshkuj si dhe shërbyes: shtëpiake, mësues europianë dhe turq si dhe mësues të gjuhëve të huaja dhe manierave të mira, për djemtë dhe vajzat e familjes, truproja, shoqërues,  roje, dhëndurët, karrocierët, kopshtarët, druvarët, vajza dhe djem “të adoptuar” si dhe një numër i madh njerëzish të armatosur. Familja ushqente çdo të enjte më shumë se 200 njerëz(dita e Pazarit) që dyndeshin në qytet nga fshatrat ngjitur. Anëtarët kryesorë meshkuj të shtëpisë prisnin përditë një numër të madh njerëzish që shpresonin të zgjidhnin çështjet personale të mbetura pezull – një pocedurë që konfirmonte mundësinë e Familjes Vlora për të ushtruar pushtet. Në Sarajet e beut kalonin natën edhe zyrtarë qeveritarë, “klientë” politikë apo ushtarakë të familjes, udhëtarë dhe të afërt përmes martesave që vinin zona.

Bejlerët e Vlorës kishin çifligje të shumta në fushën pjellore të Myzeqesë dhe merrnin të ardhura nga aktivitete të ndryshme ekonomike(menaxhimi i mbledhjeve të taksave, të drejtat mbi të ardhurat nga qiraja) që u jepnin atyre mundësinë të mbanin një sistem kompleks klientele, banda të fuqishme të armatosura me të cilat siguronin ruajtjen dhe zgjerimin e pushtetit politik, ekonomik dhe social si dhe përmirësonin pozitën negociuese me Portën e Lartë. Shtuar kësaj, pushteti i tyre ishte ngulitur dhe zgjeruar përmes një sistemi të ndërlikuar martesash me familje të tjera me ndikim. Më konkretisht, Vlorajt kishin lidhur martesa dhe krijuar aleanca përmes tyre me familjen e Kurt Pashës së Berati, familjen Arslan Libohova të Gjirokastrës, familjen Vrioni të Beratit, Biçakët e Elbasanit, Delvinat e Delvinës dhe me familjen e Ali Pashë Tepelenës.

Konfrontimi i Vlorajve me Ali Pashë Tepelenën

Problemi i kaosit dhe konfliketeve të vazhdueshme mes çifligarëve të pashtruar dhe prijësve në provincat shqiptare nuk u zgjidh me ndërhyrjen ushtarake apo politike të pushtetit qendror otoman, por nga forcat lokale. Në gjysmën e dytë të shekullit të 18-të, sidomos në çerekun e fundit të tij, nga ky kaos dolën dy personalitetete të fuqishme që imponuan autoritetin e tyre duke krijuar dy Pashallëqe të fuqishme që zëvendësuan autoritetin e dobësuar qendror të Stambollit  dhe mbushën boshllëkun e pushtetit që ishte lënë më herët. Kështu në veriun shqiptar, në tokat e gegëve, mbizotëroi Mustafa Pashë Bushatlliu, themelues i një dinastie reale me qendër në Shkodër, e cila sundoi zonën nga viti 1757 deri më 1831. Në jug, sërish në tokat e toskëve, dominoi Ali Pashë Tepelena, Vali i Ejaletit të Janinës.

Aliu, fëmijë e një familjeve bejlerësh nga Tepelena(babai i tij, Veli Pasha shërbeu si myteselim) nisi karrierën e tij legjendare në vitin 1763, në moshën 22 vjeçare si koka e një grupi banditësh dhe gadualisht ia doli të mbante detyrat e rëndësishme të Rumeli Derbentler Başbuğu – roja kryesore e kalimeve malore të Ejaletit të Rumelisë(1784); atë të Valiut të Trikallës(1788). Qysh atëherë, Ali Tepelena do të sundojë për rreth 40 vjet, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi, përmes fëmijëve dhe nipërve, mbi një zonë të gjerë gjeografike që mbulonte jugun e sotëm shqiptar dhe pjesën më të madhe të pjesës së sotme të Greqisë në Epir, Thesali, Maqedoninën Perëndimore, Greqinë Perëndimore dhe Qendrore, pjesën veriore të ishullit Evia dhe Peleoponez.

“Shteti” mulitetnik dhe multifetar i Tepelenës përfshintë kristianë ortodoksë, myslimanë(kryesisht sunitë si dhe bektashinj dhe anëtarë të urdhërave të tjera sufi), hebrenj si dhe grupe të tjera më të vogla etnike apo fetare; populllsia e tij arrinte afërsisht te 1 500 000 banorë(Mbretëria e parë Greke sipas censusit të vitit 1834 kishte 651 233 banorë) dhe konsistonte në shqiptarë, grekë bullgaë, hebrenj, serbë, turq, vllahë dhe romë. Mbulonte një sipërfaqe 75 000 km2, pra më i madh se shtetit i parë grek(50 212 km2) si dhe se Belgjika e sotme, Hollanda, Danimarka dhe Zvicra.

Sundimtari shqiptar fitoi admirimin, respektin dhe frikën si të miqve të tij ashtu edhe të armiqve dhe tërhoqi më vonë intersin e udhëtarëve, historianëve, romancierëve, poetëve dhe artistëve që kanë regjistruar, pikturuar dhe vlerësuar jetën dhe veprimtarinë e tij duke dalë në përfundimet më kundërthënëse. Por qoftë “Satanai nga Ferri”, apo “Bonaparti Mysliman”, Ali Pashë Tepelena ishte pa asnjë diskutim, një personalitet historik karizmatik dhe një produkt origjinal i kohës që jetoi.

Aliu, duke marrë më 1788 administrimin e pashallëkut të rëndësishëm dhe të pasur të Janinës, nxitoi të mbushte në favorin e vet vakuumin e pushtetit në rajonin e Toskërisë, që ishte krijuar si pasojë e dobësisë së Portës së Lartë, duke mposhtur bejlerët lokalë dhe çdo grup tjetër që mund të sfidonte autoritetin e tij.

Për pasojë, familja me ndikim Vlora dhe të cilës ia kishin frikën, e pa veten që nga fillimi, krahas familjes Delvina, bejlerëve të Çamërisë dhe luftëtarëve të krishterë të maleve të Himarës dhe Sulit, të ishte shënjestër e një njeriu të fuqishëm, të ri në skenën e Jugut të Shqipërisë.

Rivaliteti mes Shtëpisë së Vlorajve dhe Aliut daton që nga viti 1765, kur i fuqishmi Kurt Pasha i Beratit preferoi të martonte vajzën e tij Merjeme, me Ibrahim Pashë Vlorën që “rridhte nga një familje e shquar” dhe ishte “një pasardhës i klanit fisnik të Sinanit”, duke refuzuar propozimin e Ali Tepelenës që nuk ngrinte peshë. Kjo martesë çoi në një rritje substanciale të pushtetit të Vlorajve të cilët, pas vdekjes së Kurt Pashës më 1784, e zgjeruan autoritetin e tyre në zonën e Beratit. Për më tepër, vëllai i Ibrahimit, Xhaferr Beu, “një njeri me talent dhe reputacion” mori komandën e distriktit të Vlorës. Gjërat morën megjithatë rrjedhë të ndryshme për bejlerët e tjerë të rajoneve veriore të Jugut shqiptar; në vit më parë(1789) Ali Tepelena kishte arritur një fitore dërrmuese kundër tyre. Vlorajt pavarësisht caktimit të Ibrahimit në adminstratën e sanxhakut të Beratit, do të jenë në 20 vjetët në vazhdim (1790-1810) të shtypur mes synimeve ekspansioniste të dy sunduesve lokalë, Tepelenës dhe Bushatlliut.

Vlorajt do të përdorin forcën, manovrat dhe kompromiset, përmes aleancave të përkohshme dhe heterogjene, duke përdorur edhe lidhjet e tyre me Portën e Lartë, që të mbajnë kontrollin në sanxhak. Në gusht të vitit 1794, Ibrahim Pashë Vlora, në një përpjekje të dëshpëruar për të vendosur marrëdhënie të mira me Tepelenën, dha miratimin e vet për martesën e dy prej vajzave të tija me djemtë e Aliut, Myftarin dhe Veli Pashën.

Kështu në pranverë të vitit 1805, kur Bushatlliu i Shkodrës tentoi të merrte kontrollin mbi Elbasanin, në qytet që i përkiste sferës së ndikimit të Vlorajve, Tepelena mbështeti të afërmit e tij duke dërguar  2500 trupa për të përballur forcat e Bushatlliut. Më tej akoma, në qershor të atij viti aleanca mes Vlorajve dhe Ali Tepelenës do të konfirmohet me arritjen në Berat të djalit të Aliut, Myftar Pashës.

Martesat mes familjeve të pushtetshme ishin një procedurë që synonte rritjen e ndikimit dhe pasurisë dhe gjithashtu të parandalonte apo mbyllte konflikte të padëshiruara. Këtë aleanca martesore megjithatë jo përherë kishin rezultatet e pritura. Bejlerët e fuqishëm të Delvinës kishin martuar vajzën e tyre te Tepelena, e megjithatë kjo martesë nuk mjaftonte për parandalimin e konfliktit me dhëndrin e tyre të fuqishëm që nuk kënaqej kurrë. Një rezultat të ngjashëm kishte aleanca martesore mes bejlerëve “fisnikë” Vlora dhe “parvenysë” Tepelena për sa kohë që martesat nuk mjaftuan që të siguronin një paqe permanente mes të dyja familjeve.

Konfliktet mes familjeve të lidhura me martesa nuk çonin megjithatë përherë në animozitet të pafundëm. Marrëdhëniet e gjakut dhe martese konstituonin një lidhje të fortë në territoret shqiptare që vazhdointe në brezat e mëpasëm në mënyrë që famikjet të mund të mbështeteshin te njëra-tjetra. Kështu, në shkurt të vitit 1850, afërsisht 30 vjet pas përfundimit të armiqësive të përgjakshme mes familjeve Tepelena dhe Vlora, kur gratë dhe fëmijët e kësaj të fundit u zhvendosën – për shkak të pakënaqësive të Portës së Lartë- në Selanik dhe në Konja, personi që ndihmoi në çdo mënyrë të mundshme kthimin dhe rehabilitimin e tyre ishte kushëriri, guvernatori i “Shqipërisë së Poshtme”, Ismail Rahmi Tepelenzade. Ky nuk ishte kush tjetër veç nipi i dashur i Aliut(djali i Veliut dhe Zempidesë, vajzë e Ibrahim Pashë Vlorës). Edhe më vonë, në vitin 1864, kur Ismail Rahmiu ishte vali i Thesalisë, ai do t’i ofrojë një detyrë të rëndësishme administrative nipit të tij të ri, Ismail Qemal Bej Vlorës:

Unë tani shkova në Larisa me ftesë të xhaxhait tim, Ismail Rahmiut, vali i Thesalisë, i cili më caktoi shef kabineti dhe më trajtoi si anëtar të familjes së tij.

Në vitin 1809, Ali Pasha ishte në kulmin e pushtetit të tij: në vitin 1796 ai kishte aneksuar vosjvodilikun – distriktin – e Artës; një vit më pas, më 1797 ai nisi një fushatë kundër Himarës dhe ia doli të pushtonte të gjithë rajonin përveç maleve të pakalueshme veriore. Në fund të viti 1803, pas tre fushatave të pasuksesshme, Aliu detyroi kapitullimin e luftëtarëve suliotë(klane të çamëve të krishterë shqiptarë) që kishin ndihmuar fshehurazi Ibrahim Pashë Vlorën – duke i detyruar të largoheshin nga vendi i tyre; më 1805 ai aneksoi Prevezën dhe Vonicën, qytete me rëndësi strategjike dhe ekonomike të madhe. Më në fund, në vitin 1809 ai shtypi revoltën e martolit Thimjo Vllahavas në rajonin e Agrafës, duke vënë rend dhe qetësi në këto zona malore.

Kështu në fund të dekadës së parë të shekullit të 19-të, Ali Pasha kishte vënë rregull si në rajonet e Jugut(Çamëria), ashtu edhe në rajonet veriore(Toskëria dhe Labëria) të territorit që sundonte pasi kishte marrë Tepelenën, Voskopojën, Këlcyrën, Korçën, Gjirokastrën, Delvinën dhe zonën bregdetare të Himarës. I vetmi person që nuk i ishte nënshtruar Aliut ishte Ibrahim Pashë Vlora dhe provinca e tij e pasur. Ismail Qemali përmend në kujtimet e tij:

Nuk hezitonte para asnjë akti uzurpues apo krimi, për të eleminuar gradualisht të gjitha familjet fisnike të Shqipërisë, me synim fuqizimin e autoritetit të tij. Qëndronte ende familja jonë, që i rezistoi atij në Vlorë dhe në Berat

Në të vërtetë Vlorajt, pavarësisht veprimeve ekspansioniste të Sundimtarit të Janinës, vazhdonin të kontrollonin një zonë, tokat e së cilës shtriheshin në veri deri në lumin Shkumbin. Kjo zonë përfshinte Myzeqenë, fushën më pjellore të Shqipërisë, minierat fitimprurëse të Selenicës dhe qytetin e Vlorës, porti më i madh i import/eksportit në jugun e Shqipërisë.

E gjithë sipërmarrja megjithatë nuk ishte e lehtë sepse Ibrahim Pashë Vlora – përveç mbrojtjes nga Porta e Lartë që me të drejtë e konsideronte atë si të vetmen mburojë ndaj aspiratave ekspansioniste të Tepelenës – mund të mblidhte 10 000 njerëz të armatosur. Favorizimi i familjes Vlora nga Porta u demonstrua në fillim të vitit 1789, kur Bejlerbeu i Rumelisë i dorëzoi të drejtat e mbledhjes së taksave të Korçës – një qytet i zhvilluar me aktivitet të pasur tregëtar – Ibrahim Pashës dhe vëllait të tij, Xhaferrit. Po ashtu, siç u përmend më sipër, Porta e Lartë kishte caktuar më 1790 Ibrahim Pashën si Mytesarif i sanxhakut të Beratit/Vlorës dhe vëllanë e tij, Xhaferr Beun si qeveritar të Vlorës.

Ali Pasha, përpara se të niste operacionet ushtarake ishte përgatitur politikisht, diplomatikisht dhe ushtarakisht. Së pari, ai u përpoq të bindtte Portën e Lartë se beniamini i saj zhvillonte konsultime diplomatike sekrete me agjentët francezë të Bonapartit- një fakt i vërtetë ky, ndonëse i hedhur poshtë në “Kujtimet” e Ismail Qemalit.

Paraleisht, ai vuri në punë një tjetër nga talentet e tij, që është korruptimi, duke përmbytur me para dhe ofiqe shumë nga mbështetësit e Familjes Vlora, duke provokuar dezertimin e shumë prej tyre përpara nisjes së operacioneve ushtarake. Më 13 maj 1809, 12 mijë njerëz të ushtrisë së Aliut pushtuan sanxhakun e Beratit nën udhëheqjen e djalit të tij, Myftar Pashës. Lufitmet vazhduan 3 muaj dhe Ibrahim Pasha, i mbetur pa shumicën e mbështetësve të vet, u detyua të nënshkruante një traktat(13 gusht 1809) me të cilin ai humbiste shumicën e territoreve të tija në sanxhak. Paqja nuk zgjati shumë; në fillim të tetorit forcat e Myftar Pashës pushtuan Beratin dhe Ibrahimi bashkë me 500 besnikë u strehua në Kështjellë. Rrethimi i kështjellës ishte një mundësi e mirë për të dëshmuar aftësitë e ushtrisë së Aliut, që ishte stërvitur ngaoficerë europianë. Kështjella e Beratit, një ndër më të fuqishmet në Shqipërinë e Jugut ra relativisht me lehtësi më 8 janar 1810.

Ibrahim Pasha, në përputhje me termat e kapitullimit, i dorëzoi 2 000 000 piastra otomane nga pasuria personale Myftarit dhe u la i lirë të largohej drejt Vlorës, administrator i së cilës ishte që nga viti 1809, djali i vëllait të tij të ndjerë, Xhaferrit, Sulejman Beu, dhëndër i Mustafa Pashës së Delvinës. Francezët të alarmuar nga suksesi i Aliut(që tani favorizone Anglinë) e përforcuan Ibrahim Pashën me para dhe municione, duke i mundësuar të kundërvepronte dhe të rimerrte Beratin. Por mbërritja e trupave të reja të Aliut rivendosën autoritetin e tij absolut në rajon: kësaj radhe Vlorajt humbën edhe kontrollin e Vlorës që kaloi nën administrimin e Myftar Pashës. Ky caktoi përfaqësuesin e tij, Marko Damiralin, një i krishterë shqiptar nga ishulli Naksos. Humbja që pësoi i fuqishmi Ibrahim Pashë Vlora hapi rrugën për pushtimin e dy qyteteve të fundit që nuk kontrolloheshin ende nga Tepelenasi, Delvina dhe Gjirokastra, që u nënshtruan vitin e ardhshëm. Kështu, më 1811 përfundoi inkorporimi i të gjitha provincave jugore shqiptare në “shtetin” e Pashait të Janinës, që konsolidoi po ashtu edhe dominimin e tij në Epir(përveç Pargës) dhe Thesali.

Ibrahim Pashë Vlora u kap rob dhe u u transferua në Janinë ku qëndroi i burgosur deri sa vdiq, megjithë përpjekjet e Portës së Lartë për ta liruar. Siç vëren Ismail Qemali:

Rezultati i kësaj fushate të vogël që favorizoi Ali Pashën, ishte kapja rob e Ibrahim Pashës dhe burgosja e tij në Janinë ku pasi vuajteve dhe trajtimit më të rëndë për 12 vjet, ai vdiq atë kohë kur sapo vetë Ali Pasha ishte rrethuar nga trupat perandorake

Komandën e kësaj “fushate të vogël” e kishte Omer Pashë Vrioni, një nga komandanët më efikasë të Tepelenës dhe një armik i papajtueshëm i Vlorajve. Ismail Qemal Vlora, duke shkruar 90 vjet më vonë, nuk e fsheh urrejtjen dhe përbuzjen e tij për Familjen Vrioni  që e përshkruan si “parvenu”. Vrionët, sigurisht që nuk kishin origjinën e shquar të Vlorajve. Dihet se në shekullin e 18-të, ata jetonin në fshatin Vrion afër Beratit, që këtej edhe mbiemri. Me shumë gjasë ata ishin me origjinë gege përderisa ishin katolikë të islamizuar(një degë e familjes mbeti katolike). Në shekullin e 180të familja kishte prona të konsiderueshme në fushën e Myzeqesë dhe më vonë, më 1864, një pasardhës i tyre, Karheman Pashë Vrioni, themeloi qytetin tregëtar të Fierit, në veri të Vlorës dhe Perëndim të Beratit.

Që nga shekulli i 18-të kishte një konkurencë mes dy familjeve sepse Famija Vrioni përpiqej të afirmonte prezencën e vet në rajonin e Vlorë/Beratit, në të cilin kishte ushtruar pushtetin tradicionalisht Familja Vlora. Asnjë prej familjeve nuk mund të impononte epërsinë e plotë dhe të përhershme. Pavarësisht referencave nënçmuese të Ismail Qemalit, duket se Shtëpia “e vjetër” dhe “fisnike” e Vlorajve u detyrua të përballej si e barabartë me Vrionët dhe të lidhte martesë me të(kushëriri i Ismail Beut, Sulejman Pasha u martua me vajzën e Omer Pashë Vrionit, Merushen). Por kjo nuk i ndali konfrontimet; në fundin e shekullit të 18-të Vlorajt “kishin dëbuar Omer Bej Vrionin, një njeri problematik, pasi i konfiskuan pronat”. Ky i fundit shkoi në Egjipt dhe hyri në oborrin e sundimtarit të Egjiptit , Muhamed Aliut – një figurë legjendare me origjinë shqiptare që kishte mbledhur shumë(shumica shqiptarë) aventurierë ushtarakë që synonin karrierë dhe pasuri. Në Egjipt, Omer Vrioni, “ishte dalluar kundër anglezëve dhe u kthye në Epir me një pasuri të jashtëzakonshme dhe një reputacion të madh për trimëri”. Ai i ofroi shërbimet e veta dhe aftësitë e shkëlqyera ushtarake Ali Pashë Tepelenës që kishte formuar një oborr të ngjashëm, duke mbledhur aty një numër të madh(myslimanë e të krishterë) ambiciozësh dhe komandantësh të zotë si dhe zyrtarë administrate.

Pas humbjes, kapjes rob që pasoi dhe burgosjes së Ibrahim Beut(janar 1810), Familja Vlora u mënjanua ndërkohë që familja rivale Vrioni u bë fuqia drejtuese në Sanxhak. Bejlerët e Vlorës, përveç margjinalizimit politik të familjes, pësuan edhe katastrofë ekonomike pasi humbën vetëm nga kazaja e Vlorës të ardhurat nga 16 çifligje dhe 6 913 715 piastra nga kreditë.

Vijon...

Përkthimi: Skerdilajd Zaimi

Ndalohet ribotimi i këtij përkthimi nga mediat më të klikuara dhe më të besueshme 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.