Ministri i Brendshëm jep gjykimin. Flet për krim mjedisor dhe ndërtim pa leje në Këlcyrë

Postuar në 08 Tetor, 2017 18:21

Mjaftuan dy apo tri ditë që disa pak media online të shkruajnë për atë që po ngjet në Këlcyrë dhe qeveria reagoi. Reagoi madje duke marrë edhe rolin e gjykatësit teksa përmes dy ministrave, atij të Mjedisit, Blendi Klosi dhe atij të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka shprehur bindjes se bëhet fjalë për një krim mjedisor.

SHÇBA e Hetimi Pol Shtetit në luginen e Vjosës. Tolerance 0 ndaj çdo ndërtimi të paligjshëm e krimi mjedisor. Flm medias e shoqërisë civile”, shkruan Xhafaj në Tëitter.

Nuk ka asnje tolerim per bisnese te paligjshme ne dem te interesit re perbashket dhe pasurise se perbashket, mjedisin. Dinozaure mjedisore si ky ndertim ketu, nuk do te pranohen, nuk do lejohen dhe nuk kalojne ne heshtje” tha Blendi Klosi që bashkë me ministren Sonila Qato, ishin sot në Këlcyrë.

Ngjan e çuditshme sesi qeveria ka marrë vesh se në Këlcyrë po bëhet një krim mjedisor pasi ka vënë syzet e ka lexuar mediat. Nuk e bëri këtë ditën e parë, as të dytë. Nuk i mjaftoi një media, një denoncim, por priti sa u bënë një dy apo tri, sa u firmos edhe një deklaratë kundërshtimi dhe ja sot u çel ndërgjegja qytetare e bashkëqeverisjes.

Vetëm se ndërkohë që ministrat falënderojnë mediat(pavarësisht se kë kanë në mendje) dhe kalërojnë titujt e tyre për të bërë djalin apo burrin e mirë që merakoset për Shqipërinë, kryeministri sbëzan dhe vazhdon të stigmatizojë portalet si modeli më i keq i mundshëm për një media. Kjo mund të ketë vërtetësi po të gjykojmë nga standardet. Por edhe ky reagim kaq hipokrit dëshmon se pavarësisht cilësisë dhe nivelit të mediave, skandalet, papërgjegjshmëria dhe paaftësia e kësaj trupe qeverisëse, është e tillë, saqë ajo po merr pamjen e atij që i shkruan fletërrufe, por edhe ndonjë letër anonime vetes ditë për ditë. Që rend pas kazanit të medias, në vend se të përmbushë detyrat e veta e që në këtë rast i realizon duke u detyruar të marrë qëndrim gatitu para lexuesve, sepse zullumet u bënë shumë. Ligji i mbetjeve, ndërtimi në Butrint, ujërat e zeza që nuk pyetën as për investimet e BE-së dhe shpërthyen gjithë verës. E kështu me radhë.

Qeveria e sotme ka prezantuar legjislacionin që e konsideron vepër penale ndërtimin pa leje dhe çon drejt burgut ata qytetarë që e konsumojnë atë. Lexoni se çfarë thotë z. Xhafaj: Tolerance 0 ndaj çdo ndërtimi të paligjshëm e krimi mjedisor. E ndërkohë që ministri premton hetim policëve për mos reagim, a mund të na thotë nëse Harri Lena, biznesmeni, që sipas z. ministër ka kryer krim mjedisor dhe ndërtim pa leje, do të arrestohet? Sepse ky, nisur nga pohimi i ministrit, do të ishte një hap i parë për rikthimin e besimit te qeveria, puna e së cilës mbaron te dera e prokurorisë dhe e gjykatës. Nga ana tjetër, kryeministri që preferon të mos flasë, ka të gjitha mundësitë që të informohet përpara të tjerëve. Kjo ndodh sot, por ka ndodhur edhe më parë dhe asgjë nuk ka ndodhur. Theksojmë: asgjë nuk ka ndodhur pavarësisht flagrancës së dokumentuar. Meriton vëmendje ky rast jo vetëm për rëndësinë e çështjes në aspektin mjedisor dhe ligjor, por edhe sepse në një farë mënyre ajo tradhëton cipën propagandistike të bashkëqeverisjes.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.