Nxitim i M. së Mbrojtjes për të mbyllur ngjarjen e helikopterit. Pilotët shpallen “Dëshmorë të Atdheut”, ndërkohë që hetimi vazhdon!!!

Postuar në 07 Prill, 2016 02:14

Ministria e Mbrojtjes po e fut çështjen e rrëzimit të helikopterit në Grizhë të Malësisë së Madhe në një situatë absurde që krijon edhe dyshime. Qëndrimi zyrtar i Mbrojtjes për këtë ngjarje u përcoll nga shefi i Shtabit të Ushtrisë, Jeronim Bazo, i cili ndër të tjera deklaroi se: “...helikopteri ishte brenda trajektores, itinerarit të miratuar gjatë një stërvitjeje fluturimi rutinë, apo siç e quajmë ne, fluturim për njohje, pasi ky helikopter shërbente për operacionet e kërkim – shpëtimit. Ky ishte qëllimi i fluturimit”. Dhe pak më tutje: “Janë shumë pyetje që kanë nevojë për përgjigje, por do të kërkoja mirëkuptimin tuaj që t’i japim kohën e nevojshme procesit të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes për të cilat jemi të gjithë të interesuar”. Pra helikopteri po kryente një fluturim për njohje dhe se për shkaqet e ngjarjes nuk ka ende një përgjigje zyrtare. Çka do të thotë se ngjarja po hetohet.

Mirëpo dje në mbrëmje, Ministria e Mbrojtjes ka shpërndarë një e-mail ku njofton për homazhet që do të zhvillohen sot dhe përcjelljen e trupave në varrezat “Dëshmorët e Kombit”, pasi bën të ditur se Komiteti Shtetëror për Dëshmorët i ka shpallur dy pilotët, Floran Deliaj dhe Donald Hoxha, “Dëshmorë të Atdheut”. Thotë njoftimi i Ministrisë: “Komisioni Shtetëror për Dëshmorët shpalli "Dëshmor i Atdheut" dy pilotët e Forcave të Armatosura, kapiten Floran Deliaj dhe toger Donald Hoxha, të cilët u ndanë nga jeta më datë 6 prill 2016, si pasojë e rrëzimit të një helikopteri EC 145, me të cilin po zhvillonin një fluturim stërvitor në Grizhë të Malësisë së Madhe”. Ndërkohë që po hetohet dhe nuk ka ende një qëndrim zyrtar, Komiteti Shtetëror ka vendosur shpalljen e dy pilotëve si dëshmorë të Atdheut.

Pilotët kanë humbur jetën dhe kjo është tragjike. Por tragjedia thellohet nga kjo mungesë serioziteti e Ministrisë, e cila po heton, ndërkohë që në disa media po përfliten edhe skenarë për të cilët duhet një përgjigje. Nga ana tjetër ka edhe një aspekt ligjor në shpalljen dëshmor. Ligji përcakton qartë se kur përfitohet ky status për personat që humbasin jetën në krye të detyrës:

“Statusi i Dëshmorit të Atdheut u njihet...

e) shtetasve shqiptarë që kanë rënë ose bien në krye të detyrës për mbrojtjen e integritetit territorial, për mbrojtjen e institucioneve shtetërore nga terrorizmi ose në luftë kundër bandave të armatosura dhe kundër krimit ndaj jetës së individit;

e/1) shtetasve shqiptare qe kane rene ose bien ne krye te detyrës për mbrojtjen e paqes dhe të lirisë së kombit shqiptar, ose atyre që kanë rënë apo bien në mbrojtje të paqes e të sigurisë së popujve të tjerë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar ose për mbrojtjen e pasurisë shtetërore, apo që humbasin jetën në krye te detyrës nga rreziqet e fatkeqësitë natyrore...”( http://www.infocip.org/al/?p=6789).

Cilat kërkesa të ligjit përmbush vendimi i këtij Komisioni Shtetëror? Le të na sqarojë ministrja e Mbrojtjes këto DYSHIME të LIGJSHME përveç shfaqjes që do të na ofrojë sot. Është e qartë se për familjen e pilotëve ka nevojë për përkrahje financiare, por kjo mund të bëhet në rrugë të tjera, jo duke marrë vendime shumë të dyshimta dhe që i paraprijnë përmbylljes së hetimit.

Më poshtë një video amatore që pretendon se paraqet helikopterin në fjalë në Doganën e Hanit të Hotit pak përpara rrëzimit. Videoja për momentin nuk është përgenjështruar nga Ministria e Mbrojtjes.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.