Një mega-intrigë në skenën politike/“Zëri i Popullit” rilind me “Qytetarin Dixhital”

Postuar në 20 Janar, 2016 03:46

Ka nisur një agresion i jashtëzakonshëm i disa mediave dhe njerëzve të afërt me të majtën, pasi “ResPublica” bëri publik lajmin se Sali Berisha, Doktori, do të publikonte librin e tij të vetëm: “Qytetari Dixhital – Publishing Inbox”.

Thuhet se, meqenëse nuk e dinë ende përmbajtjen, disa njerëz që Doktori i cilëson shpesh si Salla Operative në Kryeministri, u lëshuan me komente gjithfarëshe, duke u “dhënë mundësi” disa mediave që të flisnin për marrëzinë e tij. Në artin ushtarak kjo njihet si zbulim me luftim.

Në fakt edhe ne dyshuam se çfarë po ndodhte, sesi është kjo puna e mesazheve dhe kush bën redaktimin. Në bazë të ligjit për informacionin kërkuam një prononcim dhe përgjigja ishte se “sulmi ndaj librit për Qytetarin Dixhital, është as më shumë e as më pak sulm i neobllokmenëve ndaj fjalës së lirë”. “Ai dëshmon frikën e madhe që Edvin Rama ka ndaj lirisë së shprehjes, të cilën e urren për vdekje”.

Kjo s’do të thotë asgjë, po të mos ishte për një informacion, tepër konfidencial që i erdhi “ResPublica”, le të themi “nga një qytetar dixhital”, demokrat safi me sa duket, që rrëfente një deklaratë të Doktorit të para disa kohëve, qëkurse Edvini mbylli “Zërin e Popullit”: “Ai mund të mbyllë “Zërin e Popullit”, por nuk mund të bëjë popullin të heshtë”, kishte thënë Doktori me një pamje triumfante. Shumëkush, nga ata që janë demokratë denbabaden, që nga 2004-a, u befasuan se menduan se Berisha kishte nostalgji për “ZP”. Por tjetërkund flinte lepuri dhe qysh atë ditë Berisha vendosi publikimin e librit në fjalë.

Kjo fjalë i shkoi në vesh Edit. Dhe ç’është më e keqja, edhe Doktori e mori vesh që Edi e mori vesh dhe ishte shqetësuar shumë. Ndaj sot në emisionin me Eni Vasilin, Doktori, si një usta i vjetër organizate që është, nuk e hodhi pa qëllim thumbin: “E ka kuptuar se me Ilir Metën që në momentin që ti shkrepë në mendje Metës, ai është një hiç, jo kryeministër, por ka rrezik të humbasë edhe partinë. Kjo është betejë për jetë a vdekje e Ramës për t’u bërë lideri i së majtës”.

Këtu panorama qartësohet dhe evidenton edhe njëherë skemën vepruese politike, që duhet thënë, është gati perfekte. Skemë e thjeshtë: “Ilir Meta të marrë partinë, unë do manovroj t’i marr median”. Çfarë është media përveçse “Zëri i Popullit”? Dhe çfarë është Zëri i Popullit sot përveçse populli që flet, pra qytetari dixhital? Këtu pra del në skenë edhe vlera taktiko-politike e librit, si një dritare ku “çdokush mund TË SHKRUAJË ME GËRMA TË MËDHA DHE PA FRIKË gjithçka që mendon”. Ja “Zëri i Popullit”, i vërteti, atë që Edvini, i cili siç na thotë Doktori i ka reflekset politike pesë herë më të ulëta sesa Ilir Meta, e shpërfilli.

Dikush mund të pyesë po pse hyn në këtë ekuacion Koço Kokëdhima? Me aq sa na mundëson intuita, Kokëdhima i sulmuar djathtas e bën atë të duket edhe më i majtë përkrah Ramës. Sepse e sulmon Berisha. Dhe Kokëdhima është edhe (garancia)partia, por edhe media, që po gatiten t’ia marrin.

Ndonëse problematik dhe shumë antipatik për mjaft socialistë, ai është thuajse i vetmi që Edvini jo vetëm i beson, por edhe e bën të ndihet i sigurtë. Thuhet madje, por kjo është e dyshimtë, se në çdo të enjte në darkë, për të fjetur, Edi vë kufjet në vesh dhe dëgjon një regjistrim radiofonik me zërin e Koços, nga cikli “Si të bëhesh milioner”. Zëri i personit që beson e të jep siguri është ninulla më e mirë. Nuk ka ndonjë të keqe. Ndodh në jetë që dikujt i ngrihet kënga, e dikujt i këndohet ninulla.

Koha e revolucioneve ka ikur. Koha e së vërtetës është tepër stresuese. Më mirë një botë ku “çdokush mund TË SHKRUAJË ME GËRMA TË MËDHA DHE PA FRIKË gjithçka që unë dua”.

Thoni çfarë të doni, por nga “Qytetari Dixhital”, libri dhe dukuria, Fitojnë të Gjithë.

Edhe Koçua që nëse kjo skemë funksionon, me siguri do t’ia falë vetë Gjykatës Kushtetetuese mandatin e deputetit. Por a është e rakorduar kjo me Doktorin? Shshshsht! 

Shaptilografisti 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.