Blloku Bota
Prodhuesit e vaksinave, të ndarë për efektivitetin ndaj variantit Omicron
Varianti i ri i Covid-19 ka trazuar sërish tregun e vaksinave. Dy nga tre prodhuesit më të mëdhenj perëndimorë nxituan të qetësonin autoritetet dhe njerëzit, duke thënë se dozat ekzistuese janë efektive edhe kundër variantit Omicron. Universiteti i Oksfordit dhe BioNTech e bënë një njoftim të tillë vetëm pak pas rënies së tregjeve, që pasoi një deklaratë të shefit të Moderna-s, sipas të cilit vaksinat ekzistuese mund të mos e parandalojnë variantin e ri.
Raketat supersonike kineze zënë në befasi Amerikën
Edhe pse Biden e kundërshton idenë se mes SHBA dhe Kinës po zhvillohet një Luftë e re e Ftohtë, gjeneralët në Pentagon mendojnë ndryshe. Ata thonë se mes dy vendeve ka nisur "një garë armatimi dhe kinezët po e bëjnë atë në mënyrë shumë agresive". Ndërsa SHBA luftonte në Irak dhe Afganistan, Kina e ka çuar përpara ambicien për armatime të reja.
BE i kundërpërgjigjet influencës kineze me një projekt 300 miliardë euro
Bashkimit Europian iu deshën plot 3000 ditë për një alternativë ndaj nismës kineze për Rrugën e Mëndafshit. Presidenti Xi Jingping e paraqiti skemën për herë të parë në 2013 dhe synon që me të të lidhë Kinën me pjesën tjetër të botës përmes hekurudhave dhe porteve, duke lehtësuar tregtinë. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, prezanton sot projektin me vlerë 300 miliardë euro, i cili pritet të bëhet kundërpesha e Belt&Road. Porta Globale e Europës do ta kanalizojë këtë shumë në projekte infrastrukturore deri në 2027-n.
Putin kërcënon NATO-n: Mos kaloni vijën e kuqe në Ukrainë
Presidenti rus paralajmëron NATO-n se nëse i kalon “vijat e kuqe” në lidhje me Ukrainën, do të përballet me reagimin e Rusisë. Vendosjen e disa raketave sulmuese në territorin e Ukrainës, Putin e cilësoi një shkak për luftë. Në forumin e investimeve në Moskë, Putin tha se shpreson që arsyeja e shëndoshë të mbizotërojë nga të dy palët.
Nobelisti i Paqes që shpenzoi 1 miliard dollarë për armatim në 2020
Nga fillimi i vitit 2021, kryeministri etiopian ka shpenzuar të paktën një miliard dollarë për të blerë sisteme gjithnjë e më vdekjeprurëse, për një luftë që deri tani i ka kushtuar vendit 2.5-3 miliardë dollarë. Një nga “burimet” për armatim është Ankaraja. Në gusht, kryeministri Abiy Ahmed firmosi me Erdoganin një marrëveshje për furnizimin me dronë bombardues TB-2, të cilët përmbysën valën e konfliktit në Libi dhe u dhanë azerëve fitoren ndaj armenëve.
Eric Zemmour hyn në garën presidenciale të Francës
Gazetari francez i ekstremit të djathtë, Eric Zemmour, i shtohet listës së kandidatëve për presidencën franceze. I njohur për qëndrimi ekstrem kundër emigracionit, Zemmour ka dominuar kalendarin parazgjedhor me gjuhën e tij të ashpër dhe vëmendjen e jashtëzakonshme mediatike. Sulmet e tij të ashpra ndaj myslimanëve dhe emigrantëve e kanë bërë atë një figurë polarizuese, duke tërhequr mbështetje si nga e djathta tradicionale, ashtu edhe nga Bashkimi Kombëtar i ekstremit të djathtë të Marine Le Pen.
Austri, 7200 euro gjobë nëse nuk bën vaksinën anti-Covid
Austria do të ashpërsojë akoma më tej ligjet në favor të vaksinimit. Pas vendimit për ta bërë vaksinimin të detyrueshëm, i cili hyn në fuqi nga 1 shkurti, qeveria po përgatit një ligj që ndëshkon me gjobë ata që nuk pranojnë të vaksinohen.
Sipas draftit që disponon austriakja “Die Presse”, të cilës i referohet Euractive, gjoba mund të arrijë vlerën 7200 euro.
Dodik: Nëse Perëndimi na vë sanksione, kemi Kinën dhe Rusinë
Lideri serb i Bosnjës sfidon sanksionet për të cilat e ka paralajmëruar Perëndimi, duke i kujtuar këtij të fundit se mund të gjejë aleatë te Rusia dhe Kina. I akuzuar së fundmi se mund të provokojë luftën në vendin e tij, Milorad Dodik, lë të kuptohet se së shpejti mund të ketë një takim me Putin.
Moderna: Nëse do të kërkohet, vaksinë e re kundër "Omicron" në fillim të 2022
Kompania farmaceutike “Moderna” ka njoftuar se mund të zhvillojë një vaksinë kundër variantit Omicron të Sars-CoV-2 brenda fillimit të vitit që vjen. Sipas kreut të sektorit të kërkimeve Paul Burton, “Moderna” është në gjendje të hedhë në qarkullim sasi të mëdha vaksine nëse do të kërkohet.
Duhet të kemi besim, kemi mësuar shumë mbi CoVid-19 dhe sesi ta përballojmë atë. Është një virus në pamje i rrezikshëm por tani kemi shumë mjete në arsenalin tonë kështu që jam optimist
OBSH: Omicron përbën rrezik të lartë, bota të përgatitet
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se varianti Omicron përbën potencial për rrezik global me pasoja të rënda në disa zona. Agjencia e OKB-së u kërkoi 194 vendeve anëtare të përshpejtojnë vaksinimin e grupeve me prioritet të lartë dhe, në pritje të rritjes së numrit të rasteve, të hartojnë plane për të zbutur impaktin e një vale të re dhe për të ruajtur shërbimet thelbësore shëndetësore.