"Nuk i lutemi Amerikës"
Moska nuk mban asnjë përgjegjësi që marrëdhëniet SHBA-Rusi kanë arritur nivelin më të ulët historik, tha ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, duke këmbëngulur se barra e rivendosjes së tyre i takon vetëm Uashingtonit, i cili i prishi i pari.
Ne nuk do të vrapojmë në Uashington e t’u themi: Na falni se ishim djem të këqij. Nuk do ta bëjmë këtë.
Turqia i hap dritën jeshile anëtarësimit të Suedisë në NATO
Parlamenti turk ka ratifikuar anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke i dhënë fund negociatave 20 mujore mes Ankarasë dhe Stokholmit.
Kandidatura suedeze, e cila tani kërkon vetëm dritën jeshile të Hungarisë, u miratua me një shumicë dërrmuese.
Një referendum për daljen e Gjermanisë nga BE-ja
Në Gjermani, e djathta ekstreme ka hedhur për herë të parë idenë e largimit të vendit nga BE-ja. Liderja e Alternativës së djathtë për Gjermaninë (AfD), Alice Weidel, i tha Financial Times se nëse vjen në pushtet, gjermanëve do ju jepet mundësia të vendosin me referendum nëse do të rrinë apo jo në Bashkimin Europian.
Opsioni i referendumit, sipas saj, do t’u jepej gjermanëve në rast se qeveria e AfD nuk do të mund të siguronte reforma për të frenuar vendimmarrjen e Komisionit Evropian "të pazgjedhur".
Rikthehet fruthi, tridhjetëfishohen rastet në Europë
Një rikthim i virusit të fruthit e ka detyruar OBSH-në t’u kërkojë vendeve të nisin menjëherë fushata të reja imunizimi. Përgjatë 10 muajve të parë të vitit 2023, në Europë, numri i të prekurve nga fruthi është rritur tridhjetëfish në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2022 (30 mijë raste në janar-tetor 2023, 914 raste në janar-tetor 2022).
Për këtë epidemi të re, OBSH bën fajtore rënien e niveleve të vaksinimit.
NATO autorizon prodhimin e predhave të artilierisë pas zbrazjes së depove për Ukrainën
Anëtarët e Aleancës së Atlantikut të Veriut kanë nisur të zëvendësojnë dispozitivin e municioneve të veta të artilierisë, pasi rezervat e tyre u zbrazën për t’u dërguar si ndihmë Ukrainës. Për këtë qëllim NATO-ja ka miratuar kontrata prodhimi në vlerën 1.2 miliardë dollarësh për prodhimin e 200 000 predhave 155 mm që do të nisin të dorëzohen anëtarëve të Aleancës në fund të vitit 2025.
Është e rëndësishme që aleatët tanë të zëvendësojnë rezervat e tyre ndërkohë që ne vazhdojmë të mbështesim Ukrainën
Foto/Takime në Samitin e Shkupit
Nga samiti rajonal i Shkupit kanë qarkulluar disa foto që zakonisht në mediat shqip, të cilat as kanë dhe as blejnë shërbim fotografik, i marrin nga profilet e politikanëve në rrjetet sociale. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama foli për takime me Kurtin dhe Vuçiç por preferoi të shpërndante foto familjare, pra në grup nga takimi.
Ndotja që vjen nga peshkimi, emetohen 370 milionë tonë CO2 në vit
Peshkimi me rrjetat që lëshohen në fund të detit emeton deri në 370 milionë tonë CO2 në vit, që shton presionin mbi ligjvënësit e BE-së për të marrë në konsideratë rregullimin e kësaj industrie.
Ambientalistët e kanë kritikuar shpesh peshkimin industrial. Duke tërhequr zvarrë rrjetat e tyre të mëdha përgjatë shtratit të detit për të kapur disa lloje peshqish, ata shpesh shkaktojnë dëme të konsiderueshme dhe afatgjata mjedisore.
Një traktat mospërhapjeje për inteligjencën artificiale
Onnor Leahy është njëri prej zërave që kanë kërkuar prej kohësh rregullimin e inteligjencës artificiale. Ai është CEO i Conjecture, një kompani e sigurisë së AI.
Njeriu që ka paralajmëruar disa herë se AI ka hyrë në një trajektore që mund t’i japë kontrollin e njerëzimit, ai foli në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, ku elita e globit mblidhet çdo fillim viti për të diskutuar mbi rreziqet me të cilat përballet planeti.
Momentum i mirë për zgjerimin, por nuk do të zgjasë përgjithnjë
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian për dialogun Beograd-Prishtinë, Mirosllav Lajçka, ka deklaruar se ka një momentum të mirë për zgjerimin e unionit, por duhet mbajtur parasysh se kjo nuk zgjat përgjithnjë. Në cilësinë e moderatorit të Dialogut Diplomatik të Ballkanit Perëndimor në Davos, Lajçak ka vënë në dukje aktualitetin europian që është vënë në sfidë serioze sigurie dhe strategjike.
Zgjojeni nga deliri! Leksione Europës nga dikush që qeveris një vend ku uji vjen me orar
kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka folur në Samitin rajonal të Shkupit duke dhënë leksione si Bashkimit Europian se çfarë duhet të bëjë për integrimin, ashtu edhe ministrave të Ballkanit kur negociojnë me njëri-tjetrin.