A jemi në gjak me sistemin e drejtësisë?

Mark Shkreta u shtri, bashkë me të 71 vitet e jetës, në një pellg gjaku teksa mundohej t’i ikte gjakësit në një vijë gjaku që zgjatej, e përgjakur dhe duke thirrur për gjak nga Mamurrasi në Tiranë. Aty mbeti burri i moçëm, i vdekur jo siç i kish hije, as siç do kish dashur të vdiste, duke menduar ndoshta si mendim të fundit, se nuk e kish merituar as plumbin e hasmit e as fundin e tillë. Në Mamurras ndërkohë janë hapur dyert e mortit dhe askush nuk di e as mund të thotë, se ku mund të ndalet tashmë pika e gjakut e bërë pellg e me gjasë lumë. Si të gjithë lumenjtë që përfundojnë në det, edhe lumi i gjakut derdhet në detin e shoqërisë. Si shoqëri, na bie e na duhet t’i bëjmë ca pyetje. Jo sall për kureshtje. As për atë habinë morbide që na bën të ndalim këmbët a makinat kur shohim gjak në rrugë.
Pyetja e parë mund të ishte: mirë kriminelët, pjesë e asaj që mund të quhet industri e nëndheshme e krimit, që arrijnë, lehtësisht, si për shkak mjetesh financiare, si për shkak të biznesit që bëjnë, të sigurojnë armë, po të tjerët si ia bëjnë? Ku i gjejnë armët gjakmarrësit në fshatrat e qytetet e Shqipërisë; ku i gjen fqinji i varfër që vret fqinjin edhe më të këputur se veten; ku i merr kushëriri që vret kushëririn për vijën e ujit, arën e ngushtë a gardhin që është shmangur në tokën e tij? Një përgjigje, që vjen e pakonfirmuar zyrtarisht, por si dijeni e përgjithshme do të qe: ka me mijëra armë nëpër Shqipëri, të llojeve e kalibrave të ndryshëm, të mbetur nëpër duar që nga Lufta e Dytë (!!!) apo kaosi i ’97-ës. Të fshehura, të pambledhura kurrë, të shitura e të blera në treg të zi a faqazi.
Pyetja e dytë: ç’është kjo sindromë e vrasjes, e zhbërjes me gjithsejt të tjetrit? Ç’është ky Akil shqiptar që e tërheq Hektorin shqiptar duke e zhagitur nëpër baltë e pluhun, duke ia marrë ftyrën pasi i ka marrë edhe jetën? Nëse është gjakmarrje, ku është prita, ruba e zezë në grykë të pushkës apo në ballë, kthimi për së mbari i trupit të të vrarit, ku është çojfjala ‘gjakun kërkoje tek unë, o Mark Shkreta!”?
Një pyetje e tretë: përtej kronikës së zezë të gazetave, përtej folklorit, vetëgjyqësisë e Kanunit të shkelur, a është ky lumë vrasjesh i këtyre ditëve, duke filluar nga Puka, Mamurrasi, Tirana, Fieri, një krizë totale, sistemike, besimi ndaj sistemit të drejtësisë në Shqipëri? A është gjithë kjo vetëgjyqësi, kjo marrje e drejtësisë në duart e secilit, një alarm se shteti i së drejtës ekziston, për fat të keq, vetëm në letër? Përgjigjet, edhe për këtë, sërish mund të kërkohen te dijenia e përgjithshme, te pulsi i shoqërisë, dhe pikërisht këtu qëndron e zeza e madhe: sado konspirative qoftë një shoqëri, sado bestyte, sado temperametale, ajo nuk mund ta krijojë dot e vetme atë hendek të madh me institucionet e drejtësisë. Jemi para një dileme të madhe: e dimë se nuk ka faje e as dënime kolektive, por nëse na shtinë të zgjedhin mes ‘fajtorëve’, mes ‘të ndëshkueshmëve’, mes institucioneve të shtetit të së drejtës dhe shoqërisë, nuk do të zgjidhnim shoqërinë, apo jo?
As Mark Shkreta 71-vjeçar, dhe as Indrit Llani 10-vjeçar nuk mund të kenë përgjigje për serinë e pyetjeve më lart. Sepse ata janë vetë përgjigjja. Të larë në gjak siç janë, të heshtur përjetë, të vrarë njëri në fillim, e tjetri në fund të jetës nga pushkë të shkrehura ‘për gjak’, ata duhet të bëhen pushkë e shkrehur për veshin e shurdhër të atyre që duhet t’i mbledhin armët dhe të atyre që duhet t’i dënojnë armëmbajtësit.
Mapo
Add new comment