Shënim/Kroacia në BE dhe një përfytyrim: A do bëhemi dhe ne skeptikë?

Kroacia është vendi i 28-të anëtar i klubit të BE-së. Ajo, bashkë me Shqipërinë dhe Maqedoninë ishte pjesë e Kartës së Adriatikut, një instrument i shpikur nga “Fuqitë e mëdha” për të bashkërenduar përpjekjet e tre vendeve ballkanike për anëtarësim në NATO e BE. Kuptohet, duke synuar së pari bashkëpunimin rajonal. Ky vend kaloi një luftë shkatërrimtare në fillim të viteve 90-të me Serbinë e Millosheviçit, pastaj hodhi hapa para (hapa të vërtetë, jo si ato të raporteve të vagullta ndërkombëtare) në ca luftra jo më pak të rëndësishme, si ndërtimi I institucioneve demokratike dhe lufta kundër korrupsionit. Padyshim, edhe përparimi ekonomik ishte mbresëlënës, megjithëse kriza europiane ka lënë gjurmë. Por paralelisht kapërcimit me sukses të etapave integruese dhe afrimit të datës fatlume, kroatët nisën të bëhen edhe skeptikë mbi përfitimet e anëtarësimit. Madje pati edhe një lëvizje civile kundër anëtarësimit në BE, aspak në frymën refuzuese me sfond kombëtarist si në Turqi, por me pikëpyetje se a ja vlen realisht ky anëtarësim. Festimet e vakëta të së dielës dëshmojnë se pas dalldisë së fillimit, mbi kroatët rëndojnë disa pikëpyetje, më kryesorja e të cilave: Mos do mbetemi vrima e fundit e kavallit në një Bashkim ku ligjin e bëjnë të mëdhenjtë dhe ne jemi periferia?
Ta përftyrosh elektoratin shqiptar me të tillë frymë skepticizmi dhe dyshimesh rreth anëtarësimit në BE, sot është e paimagjinueshme. Ndoshta duhen plotësuar disa parakushte. Fjala të vjen, të përparojmë aq shumë ekonomikisht e “demokratikisht”, sa në orën e mbrame të ndalemi një çast e të themi: Ore, mos jemi më mirë kështu si jemi? Fantazi, sigurisht…
A.K.
Add new comment