"Vrasja e Doshit", një kronologji e deklaratave

Postuar në 04 Mars, 2015 11:32

Gjithçka ka lëvizur me shpejtësi prej çastit kur Tom Doshi, si pjesë e grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, i pakënaqur nga kryeministri Rama u shpreh: “Kur të flas më tepër do të dridhet nga themelet mazhoranca”. Më pas akuza tjetër se, ndaj dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë po përgatitej një atentat, është vënë në qendër të debatit politik dhe jo vetëm. Prokuroria njoftoi se kishte nisur hetimet lidhur me deklarimet e deputetit Tom Doshi se ndaj tij dhe deputetit demokrat Mhill Fufi ishte planifikuar ky atentat, madje me porosi të Ilir Metës. Për këtë arsye u ndalua dhe 36-vjeçari Durim Bani, personi i cili dyshohet se sipas Doshit, ishte porositur për të kryer atentatin ndaj tij. Por, personi i dyshuar si autori i paguar për kryerjen e atentatit ka hedhur poshtë çdo akuzë që deputeti Doshi ka thënë për kryeparlamentarin Meta. Sipas burimeve nga Prokuroria, 36-vjeçari, Durim Bani nuk ka pranuar të jetë i implikuar në një skenar të tillë, i paguar nga Meta, duke përgënjeshtruar deklarimet e Tom Doshit.

Nga ana tjetër në një njoftim për shtyp, deputeti Fufi u shpreh se nuk ka ditur asgjë mbi planin e mundshëm për ta ekzekutuar  dhe se nuk ka asnjë informacion prej 6 muajsh për këtë çështje.

Opozita nga ana e saj ka bërë deklarata të njëpasnjëshme për një situatë tronditëse në vend. Deputetët e opozitës kërkuan një mocion mosbesimi ndaj kryetarit të parlamentit Ilir Meta, i akuzuar nga deputeti Doshi si porositësi i vrasjes së tij. Sipas opozitës, kryetari i parlamentit Ilir Meta, duhet të kishte dhënë dorëheqjen dhe të ishte vënë në dispozicion të Drejtësisë.

Nga ana e tij, kryeparlamentari Meta, i vënë nën akuzë të drejtpërdrejtë, tha se deputeti Doshi muaj më parë kishte ofruar një tjetër variant ku kishte shprehur shqetësim se përpjekjet për ta vrarë po organizoheshin nga të afërt të ish-kryeministrit Sali Berisha: “Në dijeninë time, i vetmi person që ka penguar zbardhjen e kësaj çështjeje rezulton të jetë deputeti Tom Doshi. Është e drejta e deputetit në fjalë t’i ndërrojë versionet e atentatit ndaj tij çdo 6 muaj sipas interesit të tij politik”, deklaroi Meta.           

Gjatë paradites së 3 marsit në zyrën e kryeministrit Edi Rama u mblodhën kryeprokurori Adriatik Llalla, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe kryetari i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho. Pak më vonë nga përfundimi i takimit, prokuroria njoftoi nisjen e hetimeve mbi deklarimet e zotit Doshi. Një takim të tillë kryeprokurori Llalla e ka pasur më pas edhe me Presidentin e Republikës Bujar Nishani. Ky i fundit, më pas, mohoi të ketë pasur dijeni për çështjen në fjalë, dhe këtë e bëri të njohur me anë të dy sms-ve drejtuar në studion e emisionit “Opinion”.

Ndërsa kryeministri përmes një postimi në Facebook shkruante se gjithçka është “një telenovelë e shëmtuar, që do të ketë një fund të palumtur për të gjithë ata që janë bërë bashkë për të përbaltur qeverinë dhe shumicën parlamentare”.

Ambasada amerikane në Tiranë përshëndeti përjashtimin e deputetit Tom Doshi nga grupi socialist duke u shprehur se ndaj tij kishte “dyshime se ishte përfshirë në veprimtari kriminale”, një akuzë e hedhur më pas poshtë nga zoti Doshi, i cili deklaroi se ka dhe një video prej 37 minutash me detaje mbi planin për vrasjen e tij.

Ndërsa në Bruksel, e pyetur nga gazetarët shqiptarë, Maja Kocijancic, zëdhënësja e Komisionit Evropian deklaroi: “Ne presim një hetim të plotë të këtij rasti nga autoritetet kompetente shqiptare. Ne gjithashtu presim fjalime e sjellje të përgjegjshme, në veçanti mbi çështjet e sundimit të ligjit, nga të gjithë ata që marrin pjesë në jetën publike”.

 

l.veizi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.