Virusi që bart “videoloja” me denoncimin e korrupsionit

Postuar në 05 Shkurt, 2015 11:36

Dy raste të freskëta po mjaftojnë që të vënë në diskutim nismën e qeverisë me platformën online antikorrupsion. Në shkollën “Dhora Leka” drejtoresha u shkarkua, sepse e denoncoi një mësues. Ndërkohë vetë mësuesi u shkarkua sot, pasi kryente akte anti-etike me nxënësit. Dikush e ka denoncuar patjetër edhe këtë mësues. Një video ku një infermiere pranonte 2 qind lekë(të reja) në këmbim të vizitës, mjaftoi që ajo të flakej nga puna. Në këtë kuptim, po rrezikon që në vend të forcimit të ledheve institucionale në dhënien e drejtësisë, apo zgjidhjen e konflikteve, të shkohet drejt rithemelimit të gjyqeve popullore, prerogativë bazë e të cilave nuk është drejtësia, por demaskimi. E gjithë kjo nismë, që po e vendos qeverinë në pozicionin e arbitrit final, shkon ndesh me sistemin dhe më keq, krijon që në fillesë pabarazi në trajtim. Kështu ditën që kryeministri i vendit “raportoi” në “Facebook” se është krijuar portali kundër korrupsionit, një numër shumë i madh ndjekësish të tij në rrjetin social, “denoncuan” hapur atë që tanimë është i vetëdenoncuari i pafajshëm: kreu i Kuvendit, Ilir Meta. Të gjithë nisen nga videoja e famshme, por që sot nuk vlen si metër për t’u rigjykuar me të njëjtin standard që po veprohet në rastin e 2 mijë lekshit. Sidomos kur marrim parasysh se largimi nga puna rregullohet me ligj...Askush nuk është naiv të kërkojë realisht kaq shumë nga qeveria e vendit të shqiponjave, por nuk duhet pranuar kaq kollaj që edhe lufta kundër korrupsionit të instrumentalizohet si beteja për energjinë: pra ta hajë ai që nuk ka krahë, ose që kapet gafil. Do rrezikonim që disa viktima të na i shisnin si rezultate. Jo pa ironi, Alfred Lela shkruante te “Mapo” se infermierja ka marrë shumë pak: e kush do të merrte sot dy mijë lekë që befas na u shenjtërokan si vijë e kuqe e moralit të ri? Për më tepër që ky rizgjim i instinkteve të dikurshme për letra anonime, dëshmon kapitullimin e institucioneve dhe shkon paradoksalisht dora dorës, me besimin e brendashkruar se kryeministri është padiskutim i ndershëm! “Për kryeministrin ka mjaftuar kallëzimi online i një mësuesi dhe me atributet e Gjykatësit Suprem Popullor ai ka nxjerrë në rrugë dy gra që nuk dihet nëse janë ose jo fajtore. Ky shembull i “udhëheqësit” vetëm luftës antikorrupsion nuk shërben. Ai mund të nxisë njerëzit që ta keqpërdorin denoncimin e abuzimeve të vërteta si hakmarrje personale…Populizmi primitiv i kësaj medek beteje “të duarve të pastra” mund të prodhojë një armatë qytetarësh të çoroditur, që të pafuqishëm të ndryshojnë fatin e tyre, do të armatosen me celularë, kamera të fshehta etj., për të kërcënuar këdo, me të drejtë e pa të drejtë”, shkruan Armand Shkullaku që e konsideron këtë platformë “një hile qeveritare”. Hile e cila mund të degradojë denoncimin nga një akt qytetar, në një spiunllëk pervers. Kjo do të korruptonte çdo shpresë, pasi denoncimi real nuk ka sesi të jetë anonim dhe privat, por duhet të jetë publik dhe i hapur që të mund të vlejë për diçka.
s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.