Takimi i Romës, pasojë e Procesit të Berlinit? Kjo thuhet vetëm nga pala shqiptare

Postuar në 25 Janar, 2015 08:11

Më 23 janar u zhvillua në Romë takimi tripalësh mes ministrave të Jashtëm të Italisë, Serbisë dhe Shqipërisë, respektivisht Paolo Gentiloni, Ivica Daçiç dhe Ditmir Bushati. Takimi pason vizitën e kryeministrit italian, Matteo Renzi në Shqipëri si dhe deklaratën e tij në Strasburg më 13 janar, ku do të shprehej se “Europa nuk mund të bëjë pa Shqipërinë dhe pa Serbinë”. Mirëpo se çfarë synon takimi, këtë vështirë se mund ta marrësh vesh nga njoftimi që jepet në faqen e Ministrisë së Jashtme. Për më tepër që aty është ndërfutur edhe një përfundim që nuk rezulton nga asnjë zhvillim. “Ky takim tripalësh vjen si rrjedhojë e natyrshme dhe dinamike mbështetëse e vetë Procesit të Berlinit, të iniciuar vitin e kaluar nën kujdesin e Kancelares Merkel”, thuhet ndër të tjera në njoftimin për shtyp. Një konkluzion i tillë është ndoshta një dëshirë e qeverisë shqiptare sesa realitet. Kjo pasi Italia nuk ishte pjesë e Konferencës së Berlinit dhe kurrsesi nuk mund të ishte përderisa e konsideron një rajon si Ballkani Perëndimor zonë të vetën të ndikimit historik. Në konferencë ishte Austria, një vend që ka edhe ajo lidhje tradicionale. Takimi i Romës, ndoshta nuk i vjen ndesh procesit të Berlinit, por as i nënrenditet. Më shumë shkon paralel me të dhe kjo mund të merret vesh edhe në deklaratën e ministrit të Jashtëm italian, Gentiloni, gjatë konferencës së përbashkët me Daçiç dhe Bushatin. “Europa duhet të ketë një sensiblitet gjeopolitik për kufijtë e saj jugorë në Mesdhe dhe për kufijtë e saj verilindorë”, tha ai. Ndërkohë Daçiç ka nënvizuar “nevojën jetike që ka Serbia për marrëdhënie të mira me Shqipërinë në kontekstin e sigurisë rajonale”. Jo më kot në këtë takim është shmangur përmendja e Kosovës, ndërkohë që në Konferencën e Berlinit, Prishtina zyrtare ishte e përfaqësuar drejtpërdrejt. Ndoshta qëndrime si këto të Matteo Renzit i përgjigjen më mirë interesit imediat të politikanëve ballkanas, sesa ndjekja e një procesi që kërkon shumë punë dhe synon ndërtimin e një modeli. Por është jokorrekte dhe e pasinqertë të flasësh për procese diplomatike që bashkëlidhen në qëllime. Përndryshe nisma të tilla do t’i ndërmerrte Brukseli zyrtar, edhe në këtë rast sa për formalitet, pasi kur vjen puna për çështje të sigurisë dihet se kush e ka fjalën e fundit.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.