Shkundet edhe njëherë Shën Kozmai. Servet Pëllumbi shkruan se përkujtimi i tij, i shërbeu qarqeve shoviniste dhe kishte mesazhe antishqiptare(përditësuar)

“Politika si fe, feja si politikë dhe rasti i Shën Kozmait”, kështu titullohet opinioni i sotshëm i Servet Pëllumbit në gazetën “Dita”. Nisur nga titulli, Pëllumbi duket se ka gjetur një moment për të folur për instrumentalizimin e figurës së Shën Kozmait në funksion të politikave të caktuara. Mirëpo në opinionin e gjatë që i ngjan një parashtrese të ideve të ndryshme mbi fenë, Kozmai zë vetëm 5% të volumit dhe diku nga fundi. Pëllumbi ndalet tek ateizmi, dhe teologjia, te trajtimi filozofik i tyre për të vijuar me çështjen e rekrutimit të xhihadistëve për në Siri. Pasazhi për Shën Kozmain, është në fakt një kritikë ndaj KOASH-it dhe për rrjedhojë kryepeshkopit Janullatos. “...Në një rrafsh të tillë historik edhe mund të flitet për “përplasje” politike të feve të ndryshme. Një shembull tipik na serviri kohët e fundit (24 gusht 2014), kremtimi i 300-vjetorit të lindjes së Shën Kozmait nga Kisha Autoqefale Shqiptare. Që të festohet datëlindja e një shenjti, në vetvete s’ka asgjë të keqe, por kur politizohet për interesa të qarqeve shoviniste të një shteti fqinj, atëherë kemi përdorim të fesë për qëllime politike. Dhe rasti i organizimit të festimeve për shën Kozmanë është i tillë. Historikisht dihet se ai ka lindur në shkurt 1714 dhe jo në gusht, në Etoli, një krahinë përballë Patras (Greqi) dhe jo në Kolkondas (fshat në afërsi të Libofshës së Fierit), ka ardhur si misionar për greqizimin e territoreve shqiptare, ka luftuar kundër gjuhës shqipe dhe është varur në një pemë rrugës për Berat më 24 gusht 1779. Pra del që është një përvjetor vdekjeje dhe jo lindjeje, një festë e sajuar me mesazhe politike antishqiptare. Për më tepër që festimet u zhvilluan me prezencën e priftërinjve të lartë grekë, drejtuar nga sinodi i shenjtë i Kishës Ortodokse të Shqipërisë, por dhe me pjesëmarrje të politikanëve nga të dy vendet dhe angazhim të pushtetit vendor Fier… Me të drejtë kjo “festë” u shoqërua me kundërshti dhe debate të përligjura nga shtypi shqiptar dhe 26 shoqata të shoqërisë civile. Gjithsesi, kujdesi i politikës së fqinjësisë së mirë për raste të tilla asnjëherë nuk është i tepërt!”, shkruan Pëllumbi(http://www.gazetadita.al/politika-si-fe-dhe-feja-si-politike/). Nuk dihet se në bazë të cilës metodë, apo për cilat qëllime, një shkrim i nisur me gjithë ato referenca të lavdërueshme, si Kanti, Bergsoni dhe Marksi, ekzekutohet me qëllimin e vet të vërtetë, teksa del te një ceremoni përkujtimore nga KOASH. Pëllumbi flet për shovinistë e për greqizim, ndërkohë që Shën Kozmai është shenjt i Kishës Ortodokse. Nëse ka informacion tjetër është mirë ta ndajë me publikun, pasi në lëmin e interpretimeve, qasje të tilla, për dikë janë patriotizëm i kulluar, për dikë tjetër dokrra, kurse për ndonjë tjetër edhe provokime të porositura. Ka një përpjekje për ta shitur largimin e Janullatosit, apo shmangien e tij nga ndikimi në zgjedhjen e pasardhësit, si çlirim të KOASH-it dhe ripërcaktim të raporteve të saj me shtetin shqiptar dhe shoqërinë. Nuk është shumë e qartë se nga cila perspektivë pretendohet ky moral korrigjues, sa kohë që vetë ortodoksët nuk duket të kenë ndonjë kundërshti dhe sidomos se protagonistët e kësaj loje nuk duan të shohin programe, apo shkelje statutesh dhe normash, sidomos kundrejt shqiptarisë që vihet në lëvizje në kësi rastesh, në komunitetet e tjera fetare.
s.zaimi
Shënim: Sqarojmë lexuesit se shkrimi i mësipërm u ndërtua duke marrë shkas nga analiza e z. Pëllumbi, botuar si e tillë te rubrika “Opinione” në faqen online të gazetës “Dita”. Linku i vendosur në shkrim, çon në versionin e parë të botimit të analizës në fjalë, si analizë. Versioni që gjendet aktualisht në faqen e gazetës “Dita”, ka disa ndryshime: së pari ai është botuar nën emrin e z. Xhevdet Shehu dhe së dyti, analizës i është shtuar një hyrje që njofton se ajo është shkëputur nga libri i z. Pëllumbi “Kultura Filozofike dhe Misticizmi (Vlera dhe Antivlera)”(http://www.gazetadita.al/servet-pellumbi-politika-si-fe-feja...). Pra, kjo nuk është një ndërhyrje e z. Pëllumbi për çështjen që referon titulli në fjalë, por thjesht një fragment nga libri i tij i sipërcituar dhe riprodhuar nga “Dita”. Kjo e ndryshon tërësisht qasjen e shkrimit tone të mësipërm, përderisa ai merr të mirëqenë faktin se kjo është një ndërhyrje e z. Pëllumbi në një diskutim që vijon prej disa ditësh në “Dita”. Është pra një keqkuptim i pavullnetshëm që bën të nevojshëm një kërkesë ndjese(por që nuk lidhet me qëndrimin ndaj çështjes, temë diskutimi)nga ana jonë ndaj lexuesve, por edhe ndaj z. Pëllumbi.
Add new comment