"Shekulli” i deputetit Kokëdhima i “rikthehet” hashashit: “Qeveria mbajti premtimin, por BE-ja nuk dha asnjë kompensim. Përgjigja më e mirë ndaj krizës do të ishte Paraja”

Postuar në 30 Dhjetor, 2014 12:32

Është zakon që mediat, analistët dhe politika të bëjnë në çdo fundviti rezymenë e 365 ditëve që ikin. Kështu bën edhe qeveria, e cila në përgjithësi referon më shumë sukseset, sikurse opozita që thekson vetëm dështime. Një konkluzion disi ndryshe është ai i gazetës “Shekulli” që praktikisht është shprehje mediatike e interesave të deputetit Koço Kokëdhima. Natyrisht nuk është se Kokëdhima ka thënë ndonjë gjë konkrete vetë, pasi editoriali i fundvitit është shkruar nga kryeredaktori i gazetës, Arben Rrozhani. “Pas hashashit, dronit dhe burgut, duhen lekët”, titullohet opinioni i z. Rrozhani, që shpreh kështu një optikë praktike mbi realitetin. Dhe del edhe njëherë teza e hashashit të Lazaratit që përveç se hoqi imazhin e keq të Shqipërisë, solli një dëm ekonomik. Ja një pasazh: “E vlerësuar prej ekspertëve në rreth 7,5 miliardë euro, kjo sasi kolosale financiare përbënte ekonominë e zezë të vendit, valutën që futej në vend, për të mbushur atë boshllëk që nuk do të arrijë edhe për shumë vite ta mbushë paraja e “pastër”. Efektet financiare të aksionit janë ndjerë ende pa u mbyllur viti, me rënien drastike të fuqisë blerëse në vend, shtimin e varfërisë dhe mungesën perspektivës së shumë ekonomive bujqësore. Por, ndërsa nga njëra anë qeveria shqiptare mbajti premtimin për heqjen e Shqipërisë nga harta e zezë e kultivuesve të drogës, që shkonte për konsumatorët europianë, BE-ja nuk ka parashikuar asnjë kompensim, apo subvencion për këto ekonomi që tashmë janë pa të ardhme. Nevojiten të paktën 200-300 milionë euro subvencione, që mijëra ekonomi bujqësore në vend, të kenë mundësinë që të futen në treg, duke u ofruar mbështetje buxhetore, sisteme ujitjeje dhe kullimi dhe daljen e tyre në treg”. Nëse e kuptojmë drejt, po thuhet që goditja ndaj ekonomisë së drogës do të duhej të negociohej jo vetëm me statusin e vendit kandidat, por edhe me kompensime financiare nga ana e BE-së. Çka do ishte jo keq. Më tej, burgosjet, ndëshkimet kolektive për energjinë, Rrozhani i konsideron si njollë për qeverinë, edhe sepse “përgjigja më e mirë ndaj kësaj klime të ngrirë sociale dhe ekonomike, duhej të ishte PARAJA”. Por siç përfundon drejtuesi i gazetës së Kokëdhimës, përgjigjen për gjithçka do ta japë 21 qershori.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.