Shënim: Çdo familje shqiptare aktualisht ka 9 mijë euro borxh

Rekomandimet e FMN, BB e BE janë të qarta për domosdoshmërinë e mbajtjes nën kontroll të borxhit publik. Pse? Sepse kanë vënë në diskutim aftësinë paguese të shtetit tonë. Një ndër treguesit më të rëndësishëm, i cili ndihmon në gjykimin e aftësisë paguese së një shteti për të shlyer borxhin e tij është shuma e borxhit për frymë. Ai llogaritet si raport i borxhit total publik të emëtuar dhe ende të pashlyer me popullsinë në një vit të caktuar dhe është një ndër elementët kryesor që përcakton riskun dhe normën e interesit të letrave me vlerë. Borxhi ynë për frymë ka përjetuar edhe ai një rritje me ritme realisht shumë të forta, gati befasuese. Rritjen më të madhe e ka pasur në vitin 2011, krahasuar me vitin 2010, me rreth 22.3 përqind.
Në vitin 2012, borxhi për frymë u rrit sërish. Ende nuk i kemi shifrat e plota për vitin e kaluar. Në vitin 2013, stoku i borxhit është parashikuar të shkojë në rreth 895.7 miliardë lekë(mbi 6 miliarde euro). Nëse do të supozohej një rritje mesatare të popullsisë nga viti në vit me rreth 0.5 perqind, atëherë, borxhi për frymë në 2013-n do të jetë rreth 314.271 lekë apo rreth 10 perqind më shumë se në 2012-n. Në këto kushte, një familje shqiptare mesatare prej 4 personash, për vitin 2013 mbart një borxh publik prej afro 9 mijë euro. Një barrë jo e vogël për brezin e sotëm dhe të nesërm.
Aktualisht interesat për borxhin publik janë mesatarisht 6 për qind. Rreth 15 për qind e të gjithë të ardhurave të Buxhetit te Shtetit shkojnë për pagesat e interesave të borxhit. Kjo përqindje është e destinuar të rritet, pse ekonomia jonë nuk rritet më me 4-6 për qind në terma realë. Do ta kemi shumë, shumë të vështirë për ta paguar këtë borxh që veç rritet. Qeveria nuk dëgjon që të paktën ta mbajë të pandryshuar kufirin. Po e rrit edhe më. Ethet e zgjedhjeve ja kanë errur gjykimin. Kjo, në një kohë kur Shqipëria ka borxhin publik më të lartë në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit. E.Shehu
Add new comment