Lulzim Basha jashtë hetimit për paktin e ujërave. M. e Jashtme: “Ne kërkuam hetimin e firmëtarit”. Prokuroria: “Do pyetet vetëm Grupi Negociator”

Qëkurse u nënshkrua në maj të vitit 2009, për marrëveshjen e detit politika tha dhe deklaroi thuajse gjithçka: u akuzuan politikane për tradhëti, për shitje të territorit, u përfolën negociatorët derisa Gjykata Kushtetuese, në sajë të një kërkese të opozitës e shpalli atë antikushtetuese. Edhe pas 23 qershorit, përpjekjet për të çuar përpara kauzën e së vërtetës dhe gjetjen e fajtorëve nuk kanë rreshtur. Ministri i Jashtëm, Ditmri Bushati, përcolli më 27 maj 2014 një thirrje për Prokurorin e Përgjithshëm, përmes së cilës kërkonte rishikimin e procedurave dhe zbardhjen e përgjegjësive në frymën e vendimit të GjK-së. Prokuroria nisi shqyrtimin e dosjes në gusht dhe që atëherë është folur për thirrjen dhe marrjen në pyetje të Grupit Negociator. Mirëpo ku konsistonte iniciativa e ministrit të Jashtëm, Bushati? Këshilltari për mediat i tij, Glevin Dervishi, tha për “ResPublica” se “Ministri Bushati i ka bërë ftesë Prokurorisë të hetojë firmëtarin e marrëveshjes dhe nga Prokuroria është tërhequr dosja në Ministrinë e Jashtme”. Pra është kërkuar hetimi i përgjegjësive të ish-ministrit të Jashtëm, aktualisht kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Mirëpo krejt ndryshe mendon për këtë çështje Prokuroria. Ja se çfarë thotë për “ResPublica” këshilltari për mediat i Prokurorit të Përgjithshëm, Albi Serani. “Nga Ministria e Jashtme nuk ka patur një kallzim penal për çështjen e kufirit detar, por organit të akuzës i është përcjellë nga kjo ministri një informacion që prej muajit gusht për vendimin që shpalli si të paligjshme marrëveshjen e ujërave. Jemi në fazën e mbledhjes së informacionit. Dosja është shumë voluminoze, sepse bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare. Prokuroria nuk ka të pandehur për këtë çështje, por po heton nëse ka vepër penale dhe po shqyrton gjithë dokumentacionin. Pjesë e verifikimeve është edhe pyetja e grupit negociator prej 11 personash. Për saktësi muk bëhet fjalë për firmëtarin e marrëveshjes”, tha Serani. Sipas tij, shkak për vonesa është edhe fakti se disa prej anëtarëve të Grupit Negociator janë me shërbim diplomatik jashtë vendit. Një prej tyre është edhe ish-sekretari i Përgjitshëm i Ministrisë së Jashtme, aktualisht ambasador i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, i cili sipas Dervishit “është në limitet e mandatit të vet në OKB”. Ka rëndësi ky moment po të sillet në kujtesë se çfarë tha ministri i Jashtëm në maj të vitit 2014, kur nisi këtë punë me bujë. “Sa i përket personave të përfshirë në negocimin e marrëveshjes, do të merren masat përkatëse, ndërsa për nënshkruesin unë pres me qetësi vendimin e prokurorisë”, tha ai(http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=278779). Me sa mbajmë mend, nënshkruesit janë të qetë në punën e tyre, përveç Kristaq Gervenit, i cili u ruajt edhe sesi ndërronte gradat. Çfarë ka rëndësi është se procesi ngjan si një larje duarsh; ministri i Jashtëm deklaron se ka iniciuar kërkesën për hetim, kurse prokuroria shprehet zyrtarisht “se nuk ka të pandehur”, por po bën verifikime, ndërkohë që GjK ka sanksionuar se bëhet fjalë për lëshim territori. Do nënvizuar këtu edhe fakti i përcjellë nga këshilltari i Prokurorisë, Serani, sipas të cilit M. e Jashtme nuk ka bërë kallëzim, por thjesht ka bërë ftesë, ose ka përcjellë informacion. Thënë kjo, pretendimet e Bushatit ngjajnë më shumë një show politik sesa dëshirë për t’i shkuar çështjes deri në fund. Analogjikisht kjo “hallaktje” ngjan me procesin e 21 janarit, për të cilin hetohen gardistët dhe vendimmarrësit politikë vetëm sa përfliten.
l.mitro/s.zaimi
Comments
Kjo është drejtësia që po
<p>Kjo është drejtësia që po mundohen kaqë shumë të vënë ku është ndryshimi nga Salistani</p>
Add new comment