Kriza greke pasuron fjalorin ekonomik të BE-së, por negociatat kanë ngecur dhe vendi mund të dalë “aksidentalisht” nga zona euro

Kriza greke po shërben paralelisht edhe për pasurinë e neologjizmave në fjalorin ekonomik të BE-së. Kështu, sipas Dojçe Vele-s, tani po flitet për të “graçident”, pra dalje aksidentale jashtë zonës euro, ndërsa në herët flitej për Grexit. Por përtej kuriozitetit, mundësitë për përparime në bisedimet mes Greqisë dhe BE-së janë të ulëta. Sipas raporteve në mediat greke të ardhurat nga tatimet në muajin shkurt duhet të kenë rënë përsëri me 1,5 miliardë euro. Edhe rritja ekonomike është ndalur dhe në tremujorin e katërt të vitit 2014 ishte në minus. Për të financuar buxhetin aktual qeverisë iu desh të merrte në mars të holla hua nga fondet e pensioneve. Ministri Janis Varoufakis ka kërkuar pagesa paraprake prej 7 miliardë eurosh nga paketa e shpëtimit të BE-së dhe FMN-së. Por shefi i eurogrupit Jeroen Dijsselbloem thotë se nga 20 masat që duhet të ndërmarrin grekët, ata kanë paraqitur gjashtë. Plani grek është një përzjerje masash të arsyeshme por edhe kontraproduktive. Pozitiv është krijimi i një institucioni të pavarur për buxhetin dhe një administrim më i mirë i buxhetit në ministri. Por nga ana tjetër ka edhe plane për krijimin e një ushtrie private spiunësh të përbërë nga studentë, amvisa dhe madje edhe turistë që pritet të padisin tregtarët, pronarët e restorantëve apo të hoteleve që nuk paguajnë TVSH-në. Plani grek nuk përmban masa që kërkohen prej eurogrupit dhe kreditorëve të tjerë, si privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore, reformimi i arkave të pensioneve dhe forcimi i administratës fiskale.
a.k
Add new comment