Burgu të mëson të shkruash i lirë nga tundimi për botim - thotë Bashkim Shehu dhe i shmanget pyetjes ç'është sot për të Shqipëria

Dy javë më parë, Ministria e Kulturës i dha Bashkim Shehut çmimin “Fan Noli” për përkthimin e veprës “Nokturnet e Kilit” të shkrimtarit Roberto Bolanjo, me motivacionin “prurje me vlera të spikatura në traditën e përkthimit të autorëve të rëndësishëm nga letërsia e huaj në gjuhën shqipe”. Këtë vepër, Shehu e ka përkthyer bashkë me bashkëshorten e tij Edlira Hoxhollin. Bashkim Shehu, djali i ish-kryeministrit komunist më jetëgjatë në pushtet Mehmet Shehu prej vitit 1997 jeton në Barcelonë. Aktualisht punon si këshilltar për Europën Lindore në Qendrën e Kulturës Bashkëkohore të Barcelonës. Në një intervistë botuar sot në të përditshmen SHQIP i pyetur për lidhjen me letërsinë, Shehu përgjigjet: "Ka filluar mjaft herët, qysh në adoleshencë. Më pëlqente të lexoja dhe dikur, ashtu si pa kuptuar, ndjeva nevojën që të shkruaja. Nga shtysat librore mund të përmend në veçanti tregimet e Kafkës.... Por pjesën më të madhe të krijimtarisë e kam botuar pas burgut, siç thoni ju. Periudha e burgut ka ndikuar jashtëzakonisht në ato që kam shkruar. Ka qenë vendimtare në të gjitha aspektet. Efekti i menjëhershëm dhe më i rëndësishmi nga pikëpamja letrare, ishte ndryshimi i mënyrës së të shkruarit. Duke qenë se në burg ndihesha i lirë nga tundimi për të botuar dhe, rrjedhimisht, nga kufizimet që sillte botimi në Shqipërinë e atëhershme, kisha më shumë hapësirë për të kërkuar mënyra shprehjeje, për një estetikë më vetjake. Mendoj se të shkruarit në burg përbën momentin më të rëndësishëm të kthesës në krijimtarinë time. Nga ana tjetër, përjetimet e burgut janë lëndë paraletrare shumë e pasur, ndonëse e vështirë për t’u trajtuar, për t’u shndërruar në letërsi, për të arritur që shprehja letrare të jetë në nivelin e të tilla situatave të ekzistencës. Në letrarizime përvojash të tilla, ndoshta aleati më i mirë i shkrimtarit është koha, distancimi kohor..."
Më poshtë, i pyetur drejtpëdrejt se cfarë është tashmë për të Shqipëria, shkrimtari thotë: "...Nga koha kur kam shkruar tekstet më të vona, këtu në Barcelonë, kanë kaluar dhjetë vjet, po Shqipëria vazhdon të ndodhet në fokusin e subjekteve të shkrimeve të mia. Ç’është Shqipëria për mua? Kjo do të kërkonte një libër më vete". (A.N.)
Intervista e plotë:
http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/01/07/intervista-bashkim-...
Add new comment