“Gremina fiskale” në SHBA dhe… Shqipëria

Postuar në 02 Janar, 2013 06:15

Kriza financiare e 2008-ës në SHBA u përhap në të gjithë botën, por në mënyrë të veçantë preku Europën. Ndër vendet europiane që u prekën nga kriza, ishin edhe Greqia e Italia, ku punojnë qindra mijra emigrantë shqiptarë. Dhe pakësimi i dërgesave valutore të tyre për familjarët në atdhe, bëri që dallga e krizës të mbërrinte eventualisht edhe në bregun tonë.

Në datën 1 janar 2013, hyri në fuqi ligji amerikan, sipas të cilit, tatimet e të gjitha niveleve dhe llojeve të të ardhurave personale u kthyen në nivelin e vitit 2001 (shkalla e progresionit të tatimit ndryshoi nga 0-35% në 0-39.6%), ndërkohë që shpenzimet e të gjitha ministrive u shkurtuan me 10%. Hyrja në fuqi e këtij ligji, sipas FMN-së, do të rikthente tkurrjen ekonomike në SHBA dhe, për pasojë, edhe në Europë. Prandaj dhe ky ligj është etiketuar në media si “gremina fiskale”.

Por Kongresi Amerikan, në marrëveshje me Shtëpinë e Bardhë, aprovoi sot një ligj që e parandalon këtë “greminë”. Sipas tij, rritja e tatimeve do të mbetet në fuqi vetëm për të ardhurat mbi 400 mijë dollarë në vit, për individët, dhe mbi 450 mijë dollarë në vit, për çiftet. Ndërsa shkurtimi i shpenzimeve buxhetore do të shtyhet për dy muaj, deri sa të arrihet një marrëveshje afatgjatë për reformën e balancuar të buxhetit.

Pra, një dallgë e dytë krize, që mund të vinte nga Atlantiku, është shmangur për dy muaj për Europën. Për rrjedhojë, edhe për Shqipërinë e vogël…
E.Zaloshnja

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.