Vizioni i BE-së për Kosovën

Postuar në 06 Dhjetor, 2011 01:45
Arian Koçi

Pas reagimeve të para emocionale rreth kompromisit mes Kosovës dhe Serbisë për pikat e kalimit kufitar në veri, po dalin edhe qëndrime më të balancuara.  Tashmë, marrëveshja po shihet si një kompromis tipik europian i cili anashkalon kërkesat maksimaliste të të dy palëve që trajtohen si jorealiste dhe të rrezikshme, sepse ato shkaktojnë konflikte dhe luftë. Megjithatë, shumica e reagimeve në Kosovë dhe Serbi rreth kësaj marreveshjeje janë përqëndruar në atë se çfarë i mungon asaj dhe jo se çfarë ka. 
Opozita në Kosovë vë në dukje se teksti i marrëveshjes nuk përmend fjalën “kufi” ose “pikë kufitare”, por vetëm “pikëkalim”, ose “vend kalim”. Po ashtu argumentohet se nuk mund të flitet për një funksionim ose bashkëpunim në këto pika kalimi kur pala tjetër nuk njeh kufijtë e Kosovës. Nga ana e tyre, opozita serbe shkon edhe më tej kur e akuzon qeverinë e Beogradit se me këtë marrëveshje është njohur pavarësia e Kosovës ç’ka, sipas tyre, është pothuaj e barabartë me tradhëti kombëtare. Pavarësisht kësaj, arsyet e arritjes së kompromisit nuk duhen kërkuar as në Prishtinë e as në Beograd, as edhe te kryenegociatorët Edita Tahiri apo Borisllav Stefanoviçi, por te ndërmjetësi i tyre, Robert Cooper.
Deri tani pak kush, qoftë në mediat kosovare apo dhe ato serbe, është kujtuar të pyesë se kush është Robert Cooper-i? Çfarë botëkuptimi ka ai dhe çfarë synon të realizojë me këto bisedime? Ne dimë se ai është diplomat karriere dhe zyrtar i lartë i BE-së për çështjet e jashtme, dhe se ka qënë përfaqësues britanik në Afganistan. Por petku burokratik i Robert Cooper-it mbulon dhe një mendimtar dhe vizionar që është njohur si ‘mendimtari i politikës së jashtme të Toni Blerit‘.  Ai është personifikimi i thënies së presidentit amerikan Teodor Ruzvelt se për të arritur diçka duhet ‘folur shkurt por shkopin, duhet ta kesh të gjatë’.
Ndoshta kontributi më i qenësishëm i tij për Ballkanin ka qënë  artikulimi i nevojës për një politike të jashme parandaluese e cila u përdor me sukses kundër gjenocidit milosheviçian në Kosovë. Si i tillë, Robert Cooper-i mund të thuhet se ka dhënë një kontribut të vyer për çlirimin e Kosovës dhe parimet bazë të kësaj politike tani po përdoren për të arritur një kompromis mes Kosovës së pavarur dhe Serbisë. 
Në thelb të botëkuptimit të Robert Cooper-it, të artikuluar në një artikull të botuar në vitin 2002, qëndron pikërisht refuzimi i qasjeve maksimaliste për zgjidhjen e konflikteve etnike në Ballkan. Në fund viteve 1990-të NATO ndërhyri në Kosovë për të ndaluar zbatimin e një politike gjenocidale që synonte krijimin e një shteti etnik serb.  Kjo nuk ndodhi sepse BE-ja apo dhe SHBA-të ishin kthyer papritur në armiq të Serbisë dhe miq të shqiptareve. Por ndodhi për shkak të mospërputhjes dhe përplasjes së dy vizioneve për të ardhmen e rajonit.  Për Serbinë, fundi i luftës së ftohtë dhe shpërbërja e Jugosllavisë ishte rasti për të konsoliduar sovranitetin e një shteti etnik, ç’ka mund të ndodhte vetëm në kurriz të interesave të etnive të tjera. Por ky koncept shihej si i tejkaluar dhe atavist nga elitat shtetërore në perendim. Përvoja e Bosnjës i ishte një mësim i pasojave të mosndaljes se revanshit etnik. Qëndresa shqiptare kundër regjimit serb të kohës luajti rol të rëndësishëm, por shumë kush beson se ndërhyrja ndërkombëtare ishte vendimtare.
Sipas Robert Cooper-it, bota sot përbëhet nga tre lloje shtetesh; së pari, ka shtete para-moderne, si Somalia apo Afganistani ku qeveria nuk ka kontroll mbi territorin e vet dhe nuk ka monopolin e legjitimitetit të përdorimit të forcës. Kategoria e dytë përbëhet nga shtete në periudhën moderne të zhvillimit të tyre, të cilat kanë kontroll të plotë sovraniteti mbi territor dhe funksionojnë sipas parimit Makiavelist të maksimalizimit të interesave të tyre qoftë dhe kurriz të të tjerëve, duke shkaktuar kështu konflikte dhe luftra. Në grupin e tretë bëjnë pjesë shtete që janë në fazën përtej modernizmit, të cilat Robert Cooper-i i quan shtete pas moderne.
Ndër karakteristikat kryesore të ketyre shteteve, ku futen anëtarët e Bashkimit Europian, janë ndërthurja e çështjeve të sovranitetit, zvogëlimi i rëndësisë së kufijve, refuzimi i përdorimit të forcës për zgjidhjen e konflikteve mes tyre dhe zbehja e dallimeve mes politikave të brendshme dhe të jashtme. Këto shtete vazhdojnë të kenë ushtri dhe siguri të fortë jo për të luftuar njëri-tjetrin, por vetëm për të përballuar sfidat që u vijnë interesave të tyre nga shtetet para moderne (apo të dështuara) dhe ato moderne që funksionojnë si njësi të pavarura.
Në këtë kuptim, Bashkimi Europian funksionon, sipas Robert Cooper-it, si një perandori e bazuar në bashkëpunim të vullnetshëm shtetesh që dorëzojnë pjesë nga sovraniteti i tyre për një jetë të përbashkët më të mirë. Duke qënë se Ballkani gjeografikisht është në Europë dhe fqinj i BE-së, edhe politikat e Brukselit ndaj rajonit kanë pasur synim afatgjatë përgatitjen e këtyre vendeve për një anëtarësim eventual në të. Si të tillë, vendet e Ballkanit janë inkurajuar të bëjnë dhe zbatojnë politika bashkëpunimi dhe jo të forcimit të sovranitetit si dhe politika mirëqeverisje që të krijojnë stabilitet, liri i e mirëqënie. Pra, BE-ja në Ballkan ndjek ato politika që Cooper-i e quan imperializëm fqinjësor. Në këtë aspekt, thelbi i marrëveshjeve Kosovë-Serbi nuk është forcimi i sovranitetit të dyanshëm, por pakësimi i tij, nuk është ravijëzimi i kufijve, por zbehja e tyre, nuk është ndërtimi i shtetit mbi përkatësi etnike, por të bazuar në ligj. Ky është vizioni i BE-së për Kosovën dhe Ballkanin dhe ndoshta bisedimet në Bruksel janë përqëndruar më shumë në dakordësimin e Kosovës dhe Serbisë me këtë vizion sesa me lëshimet mes tyre.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.