Kurti: Jo çdo gjë mund të jetë në tryezën e dialogut me Serbinë
Albin Kurti, kandidati më i mundshëm për kryeministër i Kosovës ka deklaruar në një intervistë për European Western Balkans se në raport me Serbinë nuk mund të jetë çdo opsion në tavolinë.
Do takohem me z. Borrell dhe të arrijmë një marrëveshje për të vazhduar dialogun me Serbinë. Zonja Mogherini ka lejuar që shumë gjëra të bëhen publike dhe besoj se bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës duhet të vendosen në kontekstin e vlerave europiane. Jo çdo duhet të jetë në tavolinë
shprehet Kurti.
Tërmet me magnitudë 6.1 godet Kretën
Edhe Greqia është goditur sot nga një tërmet me magnitudë 6.1. Shkencëtarët raportojnë se goditja u dha në orën 9.23, 74 km në veriperëndim të qytetit Hania në Kretë në thellësinë 74 km. Vala goditëse është ndjerë edhe në Peleoponez dhe në Atikë, ndonëse nuk janë raportuar dëme apo viktima.
Kreu i Organizatës për Planifikimin dhe Mbrojtjen nga Tërmetet, Efthymios Lekkas ka deklaruar se tërmeti i Kretës nuk ka lidhje me tërmetin e datës 26 nëntor në Shqipëri dhe atë në Bosnje,
Rëndohet bilanci i tërmetit: 24 viktima, 650 të lënduar
Bilanci i viktimave nga tërmeti i 26 nëntorit është rënduar edhe më. Aktualisht raportohen 24 persona që kanë humbur jetën, 650 të lënduar dhe 45 të shpëtuar. Kërkimet në rrënoja në zonat më të goditura si Thumanë dhe në zonat Durrësit nuk janë ndërprerë për asnjë moment, ndërkohë që specialistëve shqiptarë i janë shtuar edhe 200 specialistë të huaj nga vende të ndryshme si Greqia, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Italia, Franca, Rumania, Turqia, Kroacia, Zvicra dhe ShBA.
Raporti i Europol për 2019, jemi në zonën e medaljes për trafikun e drogës
Shqiptarët vijojnë të jenë faktor i rëndësishëm në trafikimin e drogës në Europë. Në raportin e Europolit për vitin 2019, grupet kriminale shqipfolëse cilësohen si ndër më të fuqishmet në Ballkan. Raporti analizon tregjet dhe rrugët në të cilat kryhet trafikimi i disa llojeve të lëndëve narkotike brenda dhe drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Turqia refuzon planin e NATO-s për mbrojtjen e vendeve balltike nga Rusia: Shpallni YPG si terroristë
Turqia është deklaruar kundër planit të mbrojtjes së NATO-s për vendet e Balltikut dhe Polonisë, nëse aleanca nuk do të japë mbështetje për Ankaranë në luftën e saj kundër milicisë kurde në Sirinë Veriore. Ambasadori i Turqisë në NATO ka refuzuar të firmosë planin e propozuar duke ngritur në nivel informal kërkesën që milicia kurde të klasifikohet si organizatë terroriste.
Zbulohet pas 74 vjetësh spiuni i katërt i sovjetikëve në projektin amerikan të bombës atomike
Mediat amerikane raportojnë për zbulimin e një prej shkencëtarëve të projektit Manhatan që spiunoi për sovjetikët.
Projekti në fjalë synonte krijimin e bombës atomike që ishte monopol i SHBA që nga hedhja e bombës së parë në vitin 1945 e deri kur sovjetikët detonuan bombën e tyre në vitin 1949.
Oscar Seborer, me pseudonimin Godsend, thuhet se u kaloi informacone sovjetikëve mes viteve 1944-1946 teksa punonte si inxhinier në projekt. Roli i Seborer është ekspozuar nga historianët Harvey Klehr dhe John Earl Haunes në revistën e CIA-s.
Minishengeni sizmik, tërmeti godet edhe Bosnje Hercegovinën
Goditjet sizmike kanë vijuar edhe në këto momente, por me një tjetër epiqendër. Mediat raportojnë e Bosnje Hercegovina është goditur nga një tërmet me magnitudë 5.4 ballë dhe qendra është llogaritur se ka qenë 75 km në jug të Sarajevës. Tërmeti është regjistruar rreth orës 10 të paradites së sotme.
Ministrja e Mbrojtjes: 7 të vdekur nga tërmeti. Dy goditje kryesore sizmike dhe 100 goditje dytësore
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka dalë këto momente në një deklaratë për mediat për të informuar publikun për goditjen sizmike të mëngjesit të sotshëm. Xhaçka ka konfirmuar se ka patur 7 jete të humbura dhe dy goditje kryesore si dhe 100 goditje dytësore. Ministrja ka kërkuar solidaritet dhe ka theksuar se qeveria dhe strukturat e mbojtjes civile janë në terren. Më poshtë video:
Bilanci zyrtar deri në orën 08:30: 6 të vdekur nga tërmeti
Autoritetet shqiptare konfirmojnë se nga tërmeti i mëngjesit të 26 nëntorit 2019 kanë humbur jetën 6 persona, 2 në Thumanë, 3 në Durrës dhe një në Kurbin.
Sipas të dhënave paraprake nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, raportohet se epiqendra e tërmetit ishte 10 kilometra nga Durrësi dhe 31 kilometra nga Tirana.
Bilancit paraprak i shtohen edhe të lënduarit që janë mbi 100 dhe dëmet materiale për të cilat ende nuk ka një përllogaritje.
Në Durrës raportohet të jetë shembur edhe mbikalimi I Shkozetit si dhe disa objekte.
Durrësi, më i godituri. Raportohen viktima nga tërmeti
Tërmeti që ka goditur Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të sotshëm ka sjellë viktma. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga kryeministri Edi Rama që ka qenë gjatë natës në Durrës, qyteti që është goditur më shumë.
Në orën 07:00 është regjistruar edhe një lëkundje tjetër me magnitudë 5.9 ballë, që konsiderohet paslëkundje.
Nuk ka ende një bilanc zyrtar, por ministrja e Shëndetësisë Manastirliu komunikoi se ka mbi 100 njerëz të lënduar. Në mediat sociale janë përcjellë pamje nga Durrësi ku janë shembur pallate dhe janë regjistruar të paktën dy viktima.