"Tallavaja" juridike mes KESH dhe OSHEE. Mungesa e një marrëveshjeje u kushtoi shqiptarëve 4 milionë euro

Postuar në 08 Shkurt, 2015 16:13

Një marrëveshje që do të rregullonte shitblerjen e energjisë mes KESH dhe OSHEE u ka kushtuar shqiptarëve 4 milionë euro. Shqetësimi për importin e energjisë nga OSHEE dy herë më shtrenjtë nga sa e ka shitur Korporata Elektroenergjetike u bë publik pak ditë më parë nga BIRN, fakt që u përdor edhe nga kryetari i opozitës.

Përmes një njoftimi publik, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare sqaron se në kushtet e prurjeve të mëdha, KESH zbaton procedurat e shitjes së energjisë të konsideruar si tepricë, në mënyrë që të evitojë shkarkimin e ujit pa prodhim energjie elektrike.

Sipas procedurës,  për të siguruar energjinë për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për muajin  (Shkurt 2015), OSHEE ishte e detyruar të kryente  blerjen e kësaj energjie, për të mbuluar humbjet në rrjet, jo më vonë se java e fundit e muajit paraardhës (23 – 27 Janar), gjatë të cilës niveli i liqenit të Fierzës ishte në kuota normale.

KESH hapi tenderin pak ditë më vonë, pasi vlerësoi se prurjet mund të kërkonin hapjen e portave të hidrocentralit të Fierzës.

“Në këto kushte emergjente KESH sh.a. në datat 2 Shkurt, hapi menjëherë procedurat per shitjen e energjise në treg, me qëllim që të mos vepronte me shkarkime të detyruara në ditët në vijim, sikurse shpjeguar me sipër”-sqarohet në njoftimin e KESH.

Por KESH, ndonëse sqaron se hapja e ankandit për shitje të energjisë u bë në kushte emergjence në datën 2 shkurt, pranon se situata e prurjeve të mëdha ishte e parashikuar.

“Procedurat e shitjes se energjisë elektrike në muajin Shkurt 2015, janë procedura të kryera në kushtet e prurjeve të mëdha dhe ky është edhe shkaku që kemi disa procedura njëra pas tjetrës, si rezultat i këtyre prurjeve, të cilat si të tilla kanë qenë të paparashikuara dhe në intervale kohore të ndryshme nga njëri-tjetri. Pra nuk mund të kryhej shitje e gjithë kapacitetit që është shitur me një procedurë të vetme”-thuhet në deklaratën e KESH.

KESH thotë se shitja në tregun e parregulluar të energjisë në kushtet e prurjeve të mëdha në kaskadën e Drinit dhe në kushtet që Operatori i Shpërndarjes importon për të mbuluar humbjet në rrjet gjeneron një anomali që duhet të rregullohet përmes një marrëveshjeje që është arritur me ndërmjetësimin e ministrit të Energjisë, por që do të hyjë në fuqi pas miratimit nga  Enti Rregullator i Energjisë. Deri atëherë paradoksi që shesim lirë e blejmë shtrenjtë do të vazhdojë./p>

 

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.