Xhavit Haliti shkruan për bashkimin mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke “harruar” se të dyja vendet janë në fund të listës për zhvillim dhe stabilitet

Postuar në 16 Mars, 2015 08:04

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, shkruan sot në “Zëri” për temën e bashkimit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Pasi rimerr në vështrim kritik idetë se shqiptarët nuk kanë aftësi shtetformuese, apo se një bashkim i shqiptarëve mund të destabilizonte edhe Europën, Haliti ndalon te situata e brendshme në të dyja vendet, ku edhe sheh pengesat më të mëdha. “U bënë disa vjet që strukturat më të larta shtetërore të të dy vendeve po përpiqen të përgatisin kushtet dhe të bëjnë realitet të dukshëm dhe efektiv afrimin dhe integrimin midis dy shteteve. Janë bërë dhe do të vazhdojnë të bëhen mbledhje të përbashkëta të qeverive për probleme të caktuara; janë bërë hapa në sektorin ekonomik (në taksat, doganat dhe energjinë), në diplomaci (konsullatat e përbashkëta), në arsim (abetarja, unifikimi i programeve, njësimi i diplomave), etj.. Gjithçka është e dobishme dhe e lavdërueshme, por mendoj se politika, raportet mes partive si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, me konfliktualitetin e manifestuar në vazhdimësi gjatë gjithë viteve pas pavarësisë së Kosovës nuk i ndihmojnë bashkimit. Që bashkimi të jetë real dhe organik duhet përgatitur e realizuar hap pas hapi, përmes bashkëpunimit e integrimit mes vete, mes dy shteteve si dhe me Bashkimin Evropian”, shkruan Haliti. Është me interes të veçohen dy elementë: së pari që teza e bashkimit hidhet dhe rihidhet thuajse përherë nga përfaqësues të Kosovës(nuk po përmendim Kreshnik Spahiun dhe Shpëtim Idrizin që përfaqësojnë vetëm llogaritë politike personale) dhe së dyti, që kjo kërkesë vjen nga një klasë politike e cila teksa humbet legjitimitetin në sytë e qytetarëve të vet, shton dozën e pretendimeve. Analogjikisht ky “faull” i qëllimshëm vihet re edhe në Shqipëri, sidomos pas vizitës së kryeministrit në Serbi. Çfarë i mungon këtij meraku për bashkim, apo kësaj teze që buron nga kancelari të huaja dhe në Tiranë dhe Prishtinë vetëm sa artikulohet, është trajtimi i problemeve ekonomike dhe sociale si dhe vullneti i patestuar i njerëzve. Është e vërtetë që sot Shqipëria dhe Kosova kanë kapur fundin, vende ku njerëzit po detyrohen t’ia mbathin nga sytë këmbët, por do të ishte me të vërtetë tragjike që një ditë të bukur përfaqësues të kësaj klase politike dështake, si kryeministri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, të na dalin edhe heronj të një bashkimi, në krye të të cilit do të duan të kakarisin sërish po ata.
s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.