credins
Data sot është 23-05-2013, ora 23:25

Nano Questionnaire

  • 1-Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?

    Besoj se nuk ekziston Zoti që krijoi botën dhe njeriun në shtatë ditë, por besoj se ekziston Zoti që njeriu ka krjiuar si projeksion të dëshirave dhe frikërave të tij.

    2. Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?

    Nuk ka gjuhë të pasur apo të varfër; ka përdorues të zotë e të pazotë të gjuhës.

    3. Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij?

    Njeriu është i mirë. Njerëzit janë të këqinj.

    4. Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive “Big

     Brother”?

    Jo
    5. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?

    Po t’i referohem Shkodrës, qytetit ku kam lindur, harmonia fetare ka qenë realitet i bukur dikur. Sot po kthehet në legjendë.

    6. Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?

    Nuk shoh ndonjë unitet kulturor, dhe s’e kuptoj pse duhet të ketë...?

    7. Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?

    Rëndësia e njerëzve për secilin prej nesh ndryshon nga koha në kohë. Aktualisht është numri i financierit të Universitetit Europian të Tiranës. JJJ

    8. Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?

    Po, mund të bëhen vrasje për arësye (pu)shtetërore.

    9. Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?

    Kemi lexuar që ishte edhe revolucion demokratik, edhe grusht shteti. A ishte më shumë grusht shteti apo revolucion demokratik këtë s’di ta them.

    10. Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?

    Çdo luftë, me gjithë qëllimet “e mira”, me të cilat mundohet ta përligjë veten, pjell monstruozitet. E tillë ishte edhe Lufta Nacionalçlirimtare.

    11. Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?

    Në rrethana normale mund të konsideronim arritje disa vepra hidroenergjitike apo tharje kënetash, por duke qenë se këto janë bërë me punën e detyruar të qindra e mijëra të burgosurve politikë, ato nuk kemi pse t’i konsiderojmë si arritje. Mund të konsideronim masivizimin e arsimit, por mos harroni se në të njëjtën kohë diktatura i kalbi në burg të gjithë intelektualët e rinj që sapo kishin kryer studimet jashtë shteti. Siç e shihni arritjet e diktaturës relativizohen sakaq po të marrësh në konsideratë çmimin me të cilin ato u kryen.

    12. Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar, apo do të qëndronit asnjanës?

    Nuk e di.

    13. Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?

    Nuk preferoj t’i gjykoj etikisht veprimet e njerëzve të kryera në situata presioni të gjithfarëllojshëm. Por le të themi se largimi i Zogut mund të konsiderohet politikisht i qortueshëm dhe njerëzisht i kuptueshëm.

    14. Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?

    Patjetër!
    15. Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?

    Besoj se e keni fjalën për “rëndësinë” që buron nga mbajtja e një posti të lartë shtetëror? Me politikanë të lartë të shtetit shqiptar.

    16. Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?

    Dështimi i klasës politike shqiptare në menaxhimin e shtetit.

    17. Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në kushtet, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?

    Akoma s’kam dëgjuar për një krim që nuk do kisha mundur ta kryeja edhe vetë – thotë Gëte.

    18. Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?

    Ne jemi evropianë! S’kemi nevojë edhe për titull.

    19. Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qënë protagonist?

    Tek një e tillë unë kam qenë protagonist: në rrëzimin e diktaturës në Shqipëri.

    20. Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?

    Me Enver Hoxhën.

    21. Cili është libri që po lexoni?

    “Propaganda” i Jacques Ellul dhe “Moral Minds” i Marc Hauser

    22. Cili komb europian ju ndjell më shumë me historinë e me kulturën e vet?

    Italia.
    23. Si do reagonit, sikur të merrnit vesh se djali/vajza juaj është homoseksual(e)?

    Nuk do ndjehesha fort i lumtur, por do ta respektoja stilin e tij/saj të jetës.

    24. Keni frikë nga vdekja?

    As mendimi e as ndjenjat nuk njohin kufij. Përgjithësisht mendoj se kufijtë nuk ekzistojnë. Është frika nga vdekja ajo që përcakton kufinjtë. Dhe mendoj se është mirë kështu. Frikë kam nga njerëzit që nuk kanë frikë nga vdekja!

    25. Ç’është Atdheu?

    Kujtimet e mia të fëmijërisë, oborret me lule, bahçet mbushur me fiq e kumbulla, likenet e gurëve të lëmuar nga koha…

  • 1-Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?
    “Shpresoj të ekzistoj”.

    2. Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?
    “E varfër – Është shkruar vonë, është ushtruar pak dhe ka bërë shumë huazime”.

    3. Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij?
    “Njerëzit janë esencialisht pragmatikë në përpjekjet e tyre për të mbijetuar. Disa prej tyre zgjedhin të sakrifikojnë duke qenë të mirë”.

    4. Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive “Big Brother”?
    ”Jo. Këto lloj eksperiencash nuk e pasurojnë individin me vlera apo aftësi. Mendoj se “15 minuta” vëmendje e publikut nuk përbën famë”.

    5. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?
    ”Harmonia fetare është një aspekt pragmatik i shqiptarëve”.

    6. Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?
    ”Shoh një aspiratë të qartë për bashkim kulturor. Sigurisht, mbetet shpresa ime që me bashkim të mos kuptojmë njëjtësimin e kulturës, por zgjerimin e saj. E shprehur ndryshe, shumëllojshmëria e pasuron kulturën e një kombi”.

    7. Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?
    “Numrat e njerëzve më të rëndësishëm i kam në kujtesën e mendjes, kjo përfshin familjen dhe njerëzit me të cilët këshillohem shpesh”.

    8. Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?
    ”Nuk di që të kenë reshtur ndonjëherë vrasjet për arsye shtetërore, kështu të paktën na dikton historia”.

    9. Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?
    ”Një revolucion demokratik të parakohshëm për (mos)pjekurinë demokratike të Shqipërisë, madje dhe të Ballkanit, të asaj kohe”.

    10. Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?
    ”Po, sepse nuk u luftuan dhe eliminuan thjesht pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre, por edhe individë e grupime social-politike që nuk ndanin pikëpamje komuniste”.

    11. Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?
    ”Disa nga arritjet e pakta pozitive të centralizimit ekonomik ne fillimet e tij qenë elektrifikimi dhe projektet e punëve publike. Lufta kundër analfabetizmit, e bërë për arsyet e gabuara te propagandës politike, pati rezultate gjithashtu”.

    12. Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar, apo do të qëndronit asnjanës?
    ”Do të kisha qenë më pranë partizaneve; por fill mbas luftës mendoj që do të isha diskriminuar për pikëpamje perëndimore, të cilat prezupozojnë një ekonomi të lire me një sistem të fortë social”.

    13. Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?
    ”Pushtetit vjen me privilegje dhe përgjegjësi. Në rastin konkret, Ahmet Zogu ushtroi vetëm privilegjet”.

    14. Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?
    ”Mua më është dashur ta lexoj Mein Kamp për lëndë të ndryshme në universitet. Më bën çudi që nuk është përkthyer ende”.

    15. Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?
    ”Babai im, me te cilin kam vetëm një foto pasi u nda nga jeta para se unë të mbushja një vit”.
    16. Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?
    “Askush nuk mund t’i përgjigjet më mirë kësaj pyetjeje se sa Mero Baze”.

    17. Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në kushtet, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?
    “Nuk e di. Të vendosur në rrethana ekstreme, njerëzit mund të reagojnë në mënyra ekstreme”.

    18. Ne shqiptarët jemi evropianë me titull të plotë?
    ”Gjeografikisht, sigurisht që po. Në drejtime të tjera kemi ende udhë për të bërë”.

    19. Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qenë protagonist?
    ”Do të kisha dëshiruar të kisha qenë protagoniste në Konferencën e Paqes së Parisit në fund të Luftës së Parë Botërore krah Clemenceau-së, Wilson-it dhe Lloyd George-it. Kaq arritje qe sot i konsiderojmë rutine e kanë zanafillën në këtë Konferencë, përfshirë këtu edhe mbijetesën e shtetit shqiptarë”.

    20. Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?
    “Do të kërkoja luksin për të bërë një bisedë të gjatë e të shtruar në shoqërinë e dy personazheve, Faik Konicës dhe Fan Nolit”.

    21: Cili është libri që po lexoni?
    ”Sapo mbarova The Help (Ndihma) – një libër që trajton marrëdhëniet mes të bardhëve dhe afrikano-amerikaneve në fillimet e Lëvizjes së të Drejtave Civile në SHBA”.

    22. Cili komb evropian ju ndjell më shumë me historinë e me kulturën e vet?
    ”Anglia, një ishull (relativisht) i vogël që dominoi historinë evropiane dhe të ashtuquajturën Bote të Re për shekuj të tërë”.

    23. Si do reagonit, sikur të merrnit vesh se djali/vajza juaj është homoseksual(e)?
    ”Një prind e do fëmijën e vet pa kushte”.

    24. Keni frikë nga vdekja?
    ”Kam frikë nga harresa që vijon si rrjedhim i saj”.

    25. Ç’është Atdheu?
    ”Jam e ndarë në këtë pyetje. Një pjesë e imja beson se atdheu është vendi nga i cili ke prejardhjen dhe formimin kulturor. Një pjesë tjetër më thotë se atdheu është vendi që të adopton pa dallim si të tijën dhe të jep të gjithë mundësitë për të ecur në jetë”.

  • 1-Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?
    Kur rritesh në ateizëm, e ke vështirë të besosh më pas. Mënyra se si po ecën shoqëria shqiptare më bind për mundësinë e fundit.

    2. Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?
    Gjuha shqipe është shumë e pasur, për dy arsye: Së pari, bërthamës së moçme të fjalëve e strukturave shprehëse, ajo i ka mbishtresëzuar në shekuj huazime sidomos nga latinishtja, greqishtja, gjuhët sllave, turqishtja (me arabishten e persishten). Një pjesë e madhe e këtyre huazimeve janë asimiluar „shqiptarçe“ dhe sot ndihen si pjesë e gjuhës. Arsyeja e dytë është që shqipja është kultivuar, veçanërisht në shekullin 20, në dy variantet e saj letrare, gegënisht dhe toskërisht. Po të shfletosh botimet e 6 dhjetëvjeçarëve të parë 1900-1960, mahnitesh nga gjithë ajo pasuri; merrni vetëm „Iliadën“ në përkthimin e Gjon Shllakut, botim i vitit 1964, në çdo faqe gjeni fjalë të panjohura. Në këtë pikëpamje mund të jetë më e pasur nga gjuhë të tjera indoeuropiane. Mirëpo në anë tjetër, shqipja është më pak e kultivuar nga gjuhë të tjera të kontinentit në arsenalin e termave p.sh. nga dijet humane si filozofia, psikologjia, sociologjia etj.
    3. Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij?
    Për mua njerëzit janë në thelb irracionalë. Ti gënjehesh nga fakti se janë të pajisur me arsye. Kanë nevojë për shumë vuajtje dhe shkatërrime që të vinë në udhë të drejtë. E keqja më e madhe është që njeriu është qenie egoiste, grabitqare. Kështu që gjithë kohën përpiqet të grabisë ose nga natyra ose nga shoqëria. Kjo sjell përplasje dhe katastrofa të pashmangshme.

    4. Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive “Big Brother”?
    Jo, kurrë.

    5. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?
    Është një realitet. Por nuk e quaj harmoni, e quaj më shumë indiferencë fetare. Në përgjithësi shqiptarët janë mosditës në punë feje. Duke mos patur pasion, përkushtim pozitiv ndaj ndonjë feje, kjo i bën që edhe të mos kenë pasione negative ndaj një feje tjetër.

    6. Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?
    Uniteti është i dhënë nga historia, që e kemi të përbashkët deri te Jugosllavia e Titos dhe Shqipëria e Enver Hoxhës. Dallimet kulturore që nisin prej asaj kohe nuk më duken thelbësore. Vetëm se fakti që shqipja që flasin sot kosovarët është aq larg gjuhës së shkruar të përbashkët, përbën vetiu faktor të fortë diferencues.

    7. Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?
    Njerëzit që dua, duke nisur nga vajzat e mia.

    8. Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?
    Për Shqipërinë e keni fjalën? Sigurisht. Por Shqipëria nuk është vend demokratik; këtu kanë ndodhur disa vrasje për arsye shtetërore, nga ato të 2 prillit 1991 deri te të fundit më 21 janar 2011. Po edhe përtej, në botën demokratike mund të ndodhin. Bie fjala, kurrë nuk u sqarua vdekja e politikanit gjerman Uwe Barschel në vitin 1987 në një dhomë hoteli në Gjenevë.

    9. Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?
    Do ta gjuaja grusht oborri. Shtet atëherë nuk kishte, politikanët luanin si macja me miun, gjersa doli më i forti që i shtypi gjithë rivalët.

    10. Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?
    Ky ishte mallkimi, që një luftë e drejtë çlirimtare u përzie qysh herët me luftën kundër forcave kundërshtare politike, për të siguruar pushtetin pas largimit të të huajve, dmth. luftë civile me format më të ashpra dhe vrasjet më të shëmtuara. Komunistët i shfrytëzuan me mjeshtri gabimet trashanike të nacionalistëve, që në vend që të luftonin ashpër gjermanët, bënë me këta shpesh kauza komune dhe aksione të përbashkëta. Pasoja ishte që u martirizuan fshatra, qytete, deri dhe krahina të tëra, si ato të Veriut.

    11. Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?
    Ruajtja e vendit; mes një varfërie e shtypjeje të skajshme të lirive, ruajtja e pasurive natyrore të njërit prej vendeve më të bukura në Europë.

    12. Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar, apo do të qëndronit asnjanës?
    Kjo pyetje e ka brenda të fortë elementin e Hallës. Ne jemi edukuar qysh 15-16 vjeçarë me veprat e Stendalit, Tolstoit, Çehovit pastaj Sartrit, Kafkës. Zor se do kishim pranuar në krye gjysmë-injorantë si Enver Hoxha. Por, si fshatar i thjeshtë natyrisht do të kisha luftuar pushtuesit.

    13. Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?
    I ka të dyja brenda. Siç e kishte ndërtuar pushtetin e tij ai, me një patericë italiane, e kishte të pamundur të ngrihej kundër pushtimit italian. Por po ta kishte bërë këtë do të ishte kthyer në një hero kombëtar. Kurse kështu është një mbret paksa komedish, që për më shumë mori me vete floririn e vendit të tij.

    14. Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?
    Sot asgjë nuk mund të ndalohet. Por nëse kushtetuta e ndalon përhapjen e literaturës fashiste (besoj po, kështu mund të interpretohet neni 9 pika 2), ai përkthim nuk mund të botohet.

    15. Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?
    Hanna kur qe 3-ditëshe dhe Katharina kur qe 2-muajshe.

    16. Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?
    Rrëshqitja e shtetit prej duarve të njerëzve që s’ishin fare burra shteti: Berisha, Meksi etj. Kështu ndodh kur vijnë në krye të një vendi jodiktatorial ish-sekretarë të PPSh ose restauratorë kishash.

    17. Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në kushtet, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?
    Po patjetër, mbrojtja e detyruar pranohet me ligj. Besoj se do të kisha trimërinë e duhur, por s’di sa do të më ndodheshin armë.

    18. Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?
    Ç’do të thotë europianë me titull të plotë? Si Giordano Bruno, Da Vinci, Martin Lutheri, Churchilli, De Gaulle-i, si votuesit francezë ose zviceranë, si ekologjistët gjermanë? Jo, nuk jemi. Ne kemi brenda shumë elemente orientale, shumë elemente tradicionale të një shoqërie zakonore, për të cilat jo gjithmonë duhet të turpërohesh dhe jo gjithmonë t’i zbosh nga vetja.
    Po këto nuk përbëjnë pengesa për të hyrë në BE. Sidoqoftë, të jesh europian si natyrë dhe të hysh në BE si administratë, këto janë dy gjëra të ndryshme.

    19. Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qënë protagonist?
    I kam patur gjithmonë zili dy gazetarët që zbuluan skandalin Watergate dhe rrëzuan Nixonin.

    20. Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?
    Me Skënderbeun. Do ftoja në bisedë edhe Oliver Jens Schmittin, ndoshta dhe Kadarenë.

    21: Cili është libri që po lexoni?
    Gomorra e Roberto Savianos. Një libër i mrekullueshëm, po e lexoj për herë të dytë. Pastaj Ulisin e Joyce-it, Iliadën në përkthimin e Gjon Shllakut, Rubarirat përkthyer nga Noli. Më pëlqen të lexoj disa libra paralelisht.

    22. Cili komb europian ju ndjell më shumë me historinë e me kulturën e vet?
    Anglia ka qenë në ëndrrat e rinisë, por pastaj më kanë tërhequr kombe të ndryshme për periudha të ndryshme. Sidomos popujt që kanë prodhuar kultura të larta si grekët e vjetër, persianët, babilonasit, romakët, arabët, italianët, spanjollët, francezët etj.

    23. Si do reagonit, sikur të merrnit vesh se djali/vajza juaj është homeseksual(e)?
    Fare i qetë. Do ta këshilloja mos e varte në qafë me të madhe publikisht. Më ka qëlluar të punoj me njerëz të tillë që e mbanin qetë, gati fshehur homoseksualizmin e tyre, njerëz finë me talente të rralla.

    24. Keni frikë nga vdekja?
    Aspak, vetëm se do doja të mos ishte e dhunshme. Të ikësh i qetë, me vetëdije e pa dhimbje duhet të jetë një bekim.

    25. Ç’është Atdheu?
    Shtëpia, rrugicat e lagjes, qyteti a fshati ku je rritur. Gjuha amtare.

  • 1 - Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?

    Zoti për mua ekziston, por në momentin që kërkojmë që ta shohim ngjet shkërbimi i beftë i tij në paprani. Nëse beson, Zoti ekziston, pra nuk mund të vihet në dyshim qenësia e tij.

    2 - Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?

    Gjuha shqipe duket e varfër, por në fakt nuk është ashtu, po të hedhësh një vështrim në kohën mitike, pra pellazgjike që vijon të endet si një pluhur kozmik nëpër gjuhët e tjera, por edhe në kohën historike, pra me Pal Engjullin dhe Formulën e Pagëzimit të vitit 1462. Edhe gjuha shqipe është një sistem, që shpalohet jo simbas një rregulli të caktuara.

    3. Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij?

    Njerëzit lindin të mirë, por në varësi të rrethanave të ndryshme, ose mbeten të tillë përjetësisht, ose rrugëtojnë nëpër shtigje të çuditshme, në varësi të fatit… Në betejën midis tyre, zakonisht e keqja mundet nga vetvetja dhe del në pah e mira.

    4. Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive “Big Brother”?

    Mendoj se po, nëse fëmija e mendon si një përvojë që i shërben, pavarësisht nga fakti se është djalë apo vajzë, e mbi të gjitha duke e parë këtë si një moment ku edhe provon se po i dalin krahët që përmend Markesi, në mënyrë që ta nisë fluturimin e shumëdëshiruar.

    5. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?

    Ka diçka midis legjendës dhe realitetit, megjithatë është një fakt i pranishëm, i cili ruan disa ekuilibre të brishta të shoqërisë shqiptare, që nëse zënë e prishen me regjistrime specifike fetare, enkas për shqiptarët, ka më shumë gjasa që ta humbasë kuptimin si e tillë.

    6. Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?

    Padyshim, madje shoh më shumë nga sa mendohet, në troje, doke dhe mentalitet. Mbi të gjitha është uniteti gjuhësor, që edhe mbas një shekulli ndarjesh me kufij të pakalueshëm politikë, gjuha na zbulohet si një limfë përbashkuese e fatit të përbashkët dhe të pandarë të tyre, si dy pjesë thelbësore të trojeve dhe të kombit shqiptar.

    7. Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?

    Vajza… Dikur kam patur fatin të luaja në dramën Çështja e Blertës, të dramaturgut Fadil Kraja. Dhe kur erdhi në jetë në vitin 1993 i vura emrin asaj…

    8. Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?

    Vrasja është absurde në çdo lloji sistemi, ndërsa në demokraci është e patolerueshme. Jeta nuk merret për asnjë arsye, aq më pak për shkaqe shtetërore, pra pushtetmarrëse apo pushtetmbajtëse.

    9. Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?

    Nga leximet e disa librave pas viteve 1990, më rezulton se ka bërë një grusht shteti, në kuptimin se ka rrëzuar me dhunë dhe jo me mjete demokratike, një pushtet legjitim të dalë nga votimet. Figura e Nolit mbetet në histori për autoqefalinë e kishës ortodokse, si dhe për vlerat që solli në kulturën dhe letërsinë shqipe.

    10. Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?
    Për mua ka qenë luftë çlirimtare dhe civile, porse caqet e tyre, se ku fillon dhe ku mbaron ndarja, është e vështirë që të vendosen, aq më tepër që historianët tanë, të ndarë në të majtë dhe të djathtë, më tepër kanë punuar për të mos hedhur dritë mbi faktet siç ndodhën atëherë, e jo si u treguan nga fitimtarët e pushtetit monist.

    11. Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?

    Realiteti bardhë e zi po na lë peng i kohës që lamë pas, e tashmë i përmbysur në zi dhe bardhë, por që sërish në fakt shpesh herë na ngatërrohet nëpër këmbë, por shkolla dhe arsimi gjeti një shtrirje të madhe, natyrisht së bashku me politizimin e jashtëzakonshëm.

    12. Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar, apo do të qëndronit asnjanës?

    Kush dha jetën për liri, ballist apo partizan, ka kryer një akt të shenjtë… Ideali kombëtar është më i madh se internacionalja e idologjisë utopike të komunizmit, pra në atë kohë nuk kishe asnjë mundësi të ishe asnjanës.

    13. Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?

    Për mua, në fakt është i kuptueshëm dhe i mirëkuptueshëm, gjithnjë e lidhur ngushtësisht me atmosferën e luftës, jo si pacifist, ku nuk kishte shumë argumenta, që shqiptarët të hynin në një betejë shkatërrimtare me Italinë e Musolinit.

    14. Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?

    Pamëdyshje që duhet përkthyer, madje nuk arrijë ta kuptojë vonesën e këtyre viteve. Botës nuk i vjen e keqja nga librat, por nga mosdija se çfarë ngjet në këtë rruzullim, që më shumë se sa gjithkund e gjejmë të materializuara nëpër libra.

    15. Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?

    Gjyshi, i cili me rrëfimet fantastike, si dhe me mënyrën e çuditshme se si tregonte më nxiti që të lidhesha me letërsinë…

    16. Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?

    Një greminë ku u rrokullis shteti, pushteti dhe një pjesë e madhe e popullit shqiptar, vetëm në disa sekonda, si dhe një kohë pa kohë, që ka lënë armët në duart e njerëzve dhe nuk ka ditë të këtyre moteve, që të mos lodrohet me to në mënyrë të pakuptueshme.

    17. Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në kushtet, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?

    Njeriu është qenia e vetme me arsye, por që e ka të pranishme edhe pjesën e instikteve. Mos e provofshim… Dy jetë janë më shumë se një, jam rrekur ta shtjelloj në një tregim me titull Një ditë në vitin 1996… Vrasja sjellë vetëm zi dhe tmerr dhe shkatërron çdo rrem jete.

    18. Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?

    Gjeografikisht dhe historikisht po, ndonëse nga pikëpamjet politike dhe ekonomike ka aspekte të një dallimi të prekshëm, e sidomos këto bëhen edhe më të dukshme në mënyrën e jetesës së tanishme, ku sërish jemi larg standardeve të kontinentit, që në fakt e përlindi gadishulli ynë.

    19. Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qënë protagonist?

    Në shembjen e murit të Berlinit, sepse aty njerëzia dhe koha vuri re humnerën e një ndarje të padrejtë dhe shkatërrimtare të vlerave dhe antivlerave njerëzore, që ngjau në shekullin e ekstremeve.

    20. Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?

    Me Ahmet Zogun, mbretin e shqiptarëve, për të kuptuar se si arriti të bëhej ministër, kryeministër, por edhe të jepte dorëheqje disa herë, si dhe të bëhej edhe mbret në këtë hapësirë që zakonisht i kapërdinë bijtë e vetë.

    21: Cili është libri që po lexoni?

    Do të habiteni, por është përmbledhja poetike Vargjet e Lira të Migjenit. Në fakt po e rilexoj, sepse po shkruaj një libër studimor, mbi tekstet dhe formësimin e letrares së autorit, të titulluar Migjeni – prijës i modernizmit.

    22. Cili komb europian ju ndjellë më shumë me historinë e me kulturën e vet?

    Gjermania, për letërsinë dhe artin, për kontributin e shkencëtarëve gjermanë për hedhjen e themeleve të shkencës së albanologjisë, për vitalitetin dhe aftësinë përlindëse, që sidomos mbas Luftës së Dytë Botërore, ia mbërriti të dalë nga tuneli sërish, e të jetë në avangard [pararojë] të zhvillimit dhe prosperitetit të kontinentit.

    23. Si do reagonit, sikur të merrnit vesh se djali/vajza juaj është homeseksual(e)?

    Nuk do të ndjehasha fort mirë, por dera do të ishte e hapur, sepse ku tjetër mundet të trokas fëmija.

    24. Keni frikë nga vdekja?

    Edhe po, edhe jo. Hëm, dikur në vitin 2006, në operacionin që kam bërë në spitalin ushtarak, sikur e kam takur për disa sekonda…

    25. Ç’është Atdheu?

    Djepi dhe varri, pra është autostrada ku shetisim për aq sa mundemi në këtë jetë, ndërkaq është edhe hija që na çapon hapat kudoqë shkojmë.

  • Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?
    “Në hapësirën që më keni lejuar në pyetje, pëlqej të shprehem që duhet të ekzistojë. Në këtë jetë duhet t’iu shfaqet qartësi atyre që rrojnë me mirësinë, ashtu dhe atyre që veç me të keqen bashkëjetojnë”.

    Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?
    “Duhet të jetë si të tjerat, më pëlqen të pranoj se është më e pasur. Bëhet e varfër nga keqpërdorimi dhe mosnjohja që kemi për të”.

    Njerëzit janë esencialisht të mirë apo janë esencialisht të këqij?
    “Apriori i marr si esencialisht të mirë. Më pas, nga bashkëpunimi me ta dalloj që ka dhe të këqinj. Në Shqipëri këta të fundit kanë zaptuar pushtetin”.

    Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive “Big Brother”?
    “Nuk e kam ndjekur këtë lojë, por mendoj se ka shumë e shumë mënyra të tjera për t’u bërë i/e njohur”.

    Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?
    “E vlerësoj si një realitet të bukur, pa harruar që nuk jemi shumë fetarë”.

    Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?
    “Uniteti kulturor është i qartë dhe dita-ditës qartësohet më tej. Më shumë kjo vjen nga individë e subjekte private dhe fare pak nga qeveritë dhe institucionet përgjegjëse të të dy vendeve”.

    Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?
    “Familjarët prej shumë vitesh”.

    Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?
    “Po. Të tilla kujtoj që ka patur madje dhe në botën e zhvilluar”.

    Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?
    “Me dijet e mia, Fan Noli udhëhoqi një revolucion demokratik”.

    Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacional-çlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?
    “Me ndonjë tejkalim apo gabim të mundshëm në gjithë atë luftë për t’u krenuar, ka qenë luftë nacional-çlirimtare”.
     

    Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?
    “Mendoj që nuk ka regjim që bën vetëm të këqija, siç nuk ka dhe të tillë që bën vetëm të mira.
    Duke mbetur problem cilësia, por arsimi u bë masiv, kishte mjek a pikë shëndetësore deri në çdo qendër fshatrash. Po kështu mund të përmend elektrifikimin, sigurinë e qetësinë”.

    Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar apo do të qëndronit asnjanës?
    “Patjetër me partizanët”.

    Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?
    “Për njohuritë e mia i qortueshëm. Deri më tani nuk është argumentuar e kundërta. Askush nuk braktis ‘shtëpinë e tij’ kur e sulmojnë”.

    Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe ‘Mein Kampf’ i Adolf Hitlerit?
    “Si popull na kanë mbetur pa lexuar apo “përtypur” kryevepra progresiste botërore. Për to jam i shqetësuar, jo për ‘Mein Kampf’”.
     

    Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?
    “Nuk jam shumë i kujdesshëm ndaj fotografisë. Nëse nuk harroj ndonjë, besoj duhet të jenë të botës së ekonomisë, si p.sh. drejtuesit më të lartë të FMN-së, BB-së apo bankave qendrore p.sh. të ShBA-së, Eurozonës etj. Më vjen keq që nuk kam foto me Nënë Terezën, me të cilën kam biseduar gjatë në një udhëtim të përbashkët”.

    Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?
    “Rezultati i fajeve fatale të një pjese të mirë të zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar, pa përjashtuar dhe mungesë kulture në popull për këto skema. Por më shqetësuese shoh që një pjesë e atyre fajeve manifestohen në forma të tjera apo në mënyra të fshehura edhe aktualisht”.

    Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në kushtet, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?
    “Më duket tërësisht e pamundur tani që po shkruaj këtë përgjigje. Por nuk di nëse do t’i përgjigjesha po kështu në praktikë në kushte të mbrojtjes ekstreme”.

    Ne shqiptarët jemi evropianë me titull të plotë?
    “Mendoj që jemi, por duhet të kemi guximin të përjashtojmë pa hezitim nga bashkësia që përmendni qeveritarët tanë”.

    Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qenë protagonist?
    “Historia është një fushë ku jam amator. Më ka munduar pyetja përse historia shkruan duke u bazuar në “maja e hone”, pra bazuar në luftëra e ngjarje të tjera kryesisht të dhimbshme.
    Histori mendoj se bëhet përditë. P.sh. nuk do të ishte histori e bukur të përshkruhet Zvicra e lulëzuar, që po shkon drejt mijëvjeçarit pa luftëra, në vend të Ballkanit që “prodhon më shumë histori luftrash nga sa mund të konsumojë”?

    Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?
    “Me Teutën, Skënderbeun, Ali Pashë Tepelenën, Ismail Qemalin, Ahmet Zogun, së bashku, për të më zgjidhur ndoshta një enigmë që më trazon:
    përse pushtetarët e Shqipërisë nuk mësojnë nga gabimet e të tjerëve as edhe nga gabimet që kanë bërë vetë?”
     

    Cili është libri që po lexoni?
    “Diçka jo fort me interes për lexuesin. Janë dy libra që kanë të bëjnë me teorinë monetare dhe me opsionet dhe derivativët”.

    Cili komb evropian ju ndjell më shumë me historinë e me kulturën e vet?
    “Më duket pyetje shumë e gjerë. Por pëlqej në kohë të ndryshme kulturën dhe historinë e vendeve të ndryshme, pasi kanë të veçanta mbresëlënëse dhe diversitet.
    Më bëjnë për vete kur krijoj njohje si me lexim apo duke i ndjekur në vend”.

    Si do reagonit, sikur të merrnit vesh se djali/vajza juaj është homeseksual(e)?
    “Jam tip tradicional”.

    Keni frikë nga vdekja?
    “Duhet të jenë të rrallë ata që nuk i tremben vdekjes, por nuk më tremb ‘për vdekje’. Mendoj se është më mirë një vdekje ‘e bardhë’ sesa një jetë e poshtëruar”.

    Ç’është Atdheu?
    “Gjithçka për të cilin nuk duhet të kursehemi, por jo vendi që disa individë po mundohen ta hanë me garuzhde”.

  • 1-Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?
    Buda ishte njeri dhe jo zot. Unë i besoj më tepër njeriut. Zoti megjithatë ekziston si harmoni e përgjithshme e gjithçkaje me gjith­çka. Më tepër se Zoti, ekziston hyjnorja. Ajo që më vjen keq është se edhe me Zotin duan të spekulojnë njerëzit e politikës.

    2. Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?
    Gjej shenja të përbashkëta të shqipes me dialektin Pali, me të cilën pasardhësit e Budës kanë lënë skripturat e tij. Jam e bindur se shqipja deri me sot nuk është një gjuhë e industrializuar. Kam shkruar për këtë një ese.

    3. Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij?
    Nuk ka njeri që të ketë lindur i keq.

    4. Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive “Big Brother”?
    Mund ta njihja në këtë rast me një këndvështrim tjeter. Ne vuajme, deri për fëmijët, nga njohjet sipas një këndvështrimi të vetëm.

    5. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?
    Deri tashmë askush nuk ka bërë një studim serioz për martesat mes shqiptarëve që rrjedhin nga familje të feve të ndryshme, të cilat krijojnë të parët harmoninë e ashtuquajtur ndërfetare. Fatkeqësisht më tepër u biet daulleve, për të cilat flasin të tjerët. Nuk ka për këtë as legjendë as realitet të bukur, por propagandë,si të gjithë propagandat.

    6. Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?
    Gjyshja ime që ishte nga Polena e Korçës, i tregonte jashtëzakonisht bukur përrallat. I dija jashtëzakonisht vetjake. një prej tyre e përdora për strukturën e një romani. Një dite prej ditësh, të njëjtën përrallë, e dëgjova duke pirë kafe nga një ish- kryetar komune nga Kavaja, gjyshja e të cilit kishte lindur në Llap të Kosovës. Nuk ka se si gjyshet dhe stërgjyshet tona të kene qenë kaq të ngjashme dhe ne kaq të ndryshëm.

    7. Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?
    Nuk e mbaj në phonebook.

    8. Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?
    Mundet. Vetem ligjet nuk vrasin, sado që mund të kenë shkruar edhe dënimin me vdekje. Unë i besoj më tepër një shteti pa asnjë ngjashmëri njerëzore në konstrukt. Dhe ligjet në vetëmësi janë shumë të shkëputura prej funksioneve të një njeriu të vetëm.

    9. Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?
    Në rast se ngjarjet e vitit 1924 mund të konsiderohen grusht shteti, në to ka marrë pjesë edhe Shekspiri.

    10. Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?
    Çdo lëvizje përdor fjalë të bukura. Në 28 nentor 1944, Tirana është fiksuar në pelikulë e mbuluar nga flamuj anglezë dhe amerikane, pra edhe me një realitet që përveç fjalëve premtonte shumë. Grushti i vërtetë i shtetit mori fytyrë në vitin 1946. Nuk mund të flitet për lufte të mirëfilltë civile si në Greqi apo diku tjetër.

    11. Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?
    Lufta kundër analfabetizmit ka qenë një nga arritjet e mëdha.

    12. Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar, apo do të qëndronit asnjanës?
    Do të ishte mire që edhe shqiptarët ta kishin mbyllur njëherë e mirë këtë kapitull. Asnjanësit i quajnë shpesh mole të buta, ose m… i ngjitur, a kushedi se çfare tjetër. Ndoshta se jane më të volitshëm për çdo pushtet dhe çdo konjukturë të ardhshme.
    Kampet e ndara janë fiktive. Nuk është e pabesueshme që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore mjaft adhurues të botës naziskine të trembur nga nënndergjegja e tyre, u rrekën të militojnë si anëtarë partie dhe pjesë të diktatures. Sa për vete, nuk kam forcë dhe as kontroll sa të mbetem asnjanëse. Njësoj si mamaja ime partizane, do të punoja si radiste për shtabin antifashist të Mesdheut që gjendej në Maltë.

    13. Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?
    Unë e kam dëgjuar si histori romaneske të largimit të një lehone, si ishte mbretëresha Geraldine. Shqiptarët e nderojnë shumë periudhën e lehonisë. Pushtimi preku edhe lehoninë shqiptare dhe e njerëzoi edhe largimin e Ahmet Zogut.

    14. Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?
    Po.Por jam me ata që para se të zgjedhin një burrë shteti, e dinë mirë se çfare vendi dhe raporti zë në jetën e tij një “Mein Kampf”.

    15. Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?
    Njeri i rëndësishëm për mua është ai me të cilin nuk kam vetëm një fotografi të vetme.

    16. Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?
    1997 për mua në fillim është pro­dhuar në fantazinë shqiptare. Gjithë frika për atë që ndodhte në fantazi me vonesë u realizua në realitet.

    17. Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në kushtet, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?
    Një nga librat e mi më të dashur është Luftëtari i dritës, i Paulo Coelhos. Ky libër mund të jepte një përgjigje më të mirë edhe për mua. Është ai dhe jo unë që do të thoshte, po. Dikur i kam adhuruar shumë pacifistët, por edhe Anshtajni në fund të jetës e kuptoi se ishte e vështirë të mbeteshe pacifist.

    18. Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?
    Nuk mund të përgjigjem në emer të të gjithe shqiptarëve. Mund të kemi vetem këtë titull, si titullin lord a kont dhe anën e tyre komike, si në komedinë e Gordon të shkruar për fisnikët e rënë nga vahti.

    19. Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qënë protagonist?
    Në ato që kam marrë pjesë vetë. Në rrëzimin e diktaturës.

    20. Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?
    Do të doja të bisedoja me Luigj Gurakuqin. Përveç si Luigj i papërsëritshëm, financier dhe kritik letrar, ka përgatitur të gjithe brezin e parë të mësuesve shqiptarë. E kanë vrarë.

    21: Cili është libri që po lexoni?
    Buda. Testamenti i tij.

    22. Cili komb europian ju ndjell më shumë me historinë e me kulturën e vet?
    Deri tani ai shqiptar pasi ate kam mundësi ta njoh më mirë. Brenda tij kuptoj më mirë të gjithë të tjerët. Jetoj brenda një muzeu të historisë botërore.

    23. Si do reagonit, sikur të merrnit vesh se djali/vajza juaj është homeseksual(e)?
    Vetëm faktet e kryera të bëjnë të hapesh shtigje të reja në mendje, njësoj si tunelet që nxitin komunikimin.

    24. Keni frikë nga vdekja?
    Kam më tepër frike të jem e vdekur, por e gjallë. Virtualisht dhe shpirtërisht jam vrarë disa herë, si në poezine time Dhelpra b. Në kontravers, në një poezi tjeter unë them se toka është aq e ngopur me të vdekur, sa me duket se këtej e tutje jam më e mbrojtur

    25. Ç’është Atdheu?
    Atdheu për mua janë vargjet e Naimit, De Radës, Çajupit. Sikur të mos kishte letërsi shqipe, nuk do të kishte as atdhe. Do të kishte vetëm pemë dhe bar si në të gjithë botën.

  • 1-Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?
    Natyrën e botës unë e kam mësuar në mikrokozmosin e familjes sime, e cila më është shfaqur shumë pagane. Por kur unë u rrita, dhe arrita të udhëtoj nga mikrokozmosi në makrokozmos, besimi im parësor u bë dashuria, ngritja e vetvetes. Unë ende nuk kam arritur plotësisht tek dashuria hyjnore.

    2. Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?
    Mendoj se gjuha shqipe nuk është as më e pasur as më varfër se të tjerat. Unë besoj se gjuha është brenda nesh, është përpjekja individuale për të zgjedhur fjalët që kemi brenda kokës sonë dhe për t’ua komunikuar ato të tjerëve. Kur kam rastin të lexoj në shqip autorë si Noli, Kadare, Kuteli, Lasgushi, apo përkthime si të Petro Zhejit, Nasi Lerës, Adhurim Lakos, Edmond Tupes, Irma Vucit apo të dëgjoj të flasin Ledia Lazri, Mirela Kumbaro, Eda Derhemi gjuha shqipe më duket shumë e pasur. Por këtë fat nuk e kam çdo ditë.

    3. Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij?
    Për mua njerëzit në thelb janë edhe të mirë edhe të këqinj. Në rrugëtimin tonë të përditshëm ne përpiqemi pafund ta përmbajmë këtë koklavitje të brëndshme. Kur përdorimin arsyetimin dhe ndjeshmërinë pozitive, qasja jonë ndaj fenomeneve jetësore është pozitive. Kur presioni shoqëror dhe shtetëror është i tillë që të shmang nga arsyetimi i zakonshëm, qasja bëhet negative.

    4. Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive “Big Brother”?
    Ky do të ishte kryeput një vendim i saj, por unë do të bëja detyrën time duke i treguar që një reality show është një sipërmarrje shumë e vështirë.

    5. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?
    Në Shqipëri e kemi konsideruar besimin fetar si një nxitje universale dhe jemi munduar që në jetën tonë të përditshme të rregullojmë bashkëjetesën fetare, edhe për nevoja bazike. Më pas na detyruan të heqim dorë dhe kur u rikthyhem në besim, vazhduam po me këtë bindje. Ende nuk ka kaluar aq shumë kohë, ose nuk ka ardhur aq shumë zhvillim, sa të sfidohet kjo bashkëjetesë.

    6. Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?
    Nuk mendoj se ka një unitet kulturor të qartë mes nesh.

    7. Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?
    Numri i telefonit të nënës sime.

    8. Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?
    Mendoj se po, edhe pse i gjykoj të padrejta. Bile mendoj se ato janë krejtësisht të fshehura nga sytë dhe veshët e publikut të zakonshëm.

    9. Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?
    Nuk di tamam ç’të them. Më parë kam besuar se Fan Noli udhëhoqi një revolucion demokratik, por së fundmi kam lexuar që ngjarja analizohet si një grusht shteti. Ajo që me siguri do të ketë ndodhur, do të ketë qënë qëllimi i mirë i Nolit për të demokratizuar jetën feudale, abuzive, pro-turke të Shqipërisë.

    10. Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?
    Lufta Nacionalçlirimtare ishte një luftë çlirimtare. Por shumë shpejt ajo degjeneroi në një luftë civile, ku elementi i luftës së klasave ishte më i turpshmi. Aq shumë na ka indoktrinuar ky element, sa ende sot nuk po gjejmë dot paqe.

    11. Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?
    Së fundmi kam lexuar një libër nga Elif Shafak “Bastardja e Stambollit”, i cili më ndihmoi të dalloj disa diferenca kulturore midis dy vendeve ku jetoj akualisht dhe më bindi që ka edhe një arritje tjetër gjatë periudhës komuniste, përveç mundjes së analfabetizmit, dhe është krijimi i institucioneve me rregulla të njehsuara duke eleminuar rregullat primitive të lokalizmit krahinor.

    12. Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar, apo do të qëndronit asnjanës?
    Duke gjykuar me mendësinë time të sotme atë ngjarje të së shkuarës, mendoj se do të isha rreshtuar me partizanët.

    13. Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?
    Për mua është një gjest i qortueshëm. Eshtë një nga momentet më pak të lavdishme në historinë tonë kombëtare.

    14. Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?
    Personalisht nuk kam asnjë ndjesi. Nuk mendoj që censura e botimeve është një gjë e mirë. Por dyshoj se edhe me përkthimin e tij, ky libër do të këtë influencë tek publiku shqiptar.

    15. Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?
    Fotografitë që unë shoh me më shumë qejf, janë ato të pushimeve të familjes sime. Ka çdo herë diçka për të kujtuar dhe për të gëzuar.
    16. Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?
    Ajo nisi si një revoltë popullore kundër mashtrimit ekonomik, por unë besoj se tregoi një krize të besimit popullor tek institucionet e ekonomisë së tregut. Mungesa totale e dhënies llogari të këtyre të fundit, tregoi se ishte edhe një krizë e demokracisë në Shqipëri.

    17. Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në kushtet, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?
    Nuk e di, nuk dëshiroj asnjëherë të provoj këtë kërcënim ekstrem.

    18. Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?
    Aspirojmë antarësimin, por besoj se edhe marrja e këtij statusi nuk na bën europianë me titullin të plotë. Mendoj që duhet ende shumë kohë, që vlerat europiane të bëhen organikisht vlerat tona. Duhet më shumë energji drejt civilizimit europian të shoqërisë, se sa ajo që ne japim sot.

    19. Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qënë protagonist?
    Protagoniste nuk do të bëhesha dot, por në dëshirat e mija pjesmarrëse në distancë, kam përfyturuar gjithmonë dy vende; Festivalin e Woodstock-ut dhe çastin e rënies së murit të Berlinit.

    20. Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?
    Me Eqerem Bej Vlorën.

    21: Cili është libri që po lexoni?
    Jam duke përfunduar leximin e një libri në shqip, “ Epoka e trazirave” të Alan Greenspan-it. Është një përkthim shumë i mirë i Aristotel Panos, mbi një shpjegim mendjemprehtë të botës së sotme financiare.

    22. Cili komb europian ju ndjell më shumë me historinë e me kulturën e vet?
    Italia, kaq aq shumë kulturë dhe histori, dhe pastaj hahet aq mirë…...

    23. Si do reagonit, sikur të merrnit vesh se djali/vajza juaj është homeseksual(e)?
    Qetësisht, besoj.

    24. Keni frikë nga vdekja?
    Mendoj se vdekja është “aleati ynë i tmerrshëm i anës së majtë”, por edhe burimi i këshillave të mënçura. Mendoj se kam ende gjëra për të bërë, dua të vazhdoj të çuditem akoma.

    25. Ç’është Atdheu?
    Për mua atdheu është vendi i lirisë së përbashkët, vendi i shpresës, vendi i kulturës, vendi i kujtimeve kolektive dhe personale, vendi i dashurisë për të mirën publike, vendi i zhurmave, vendi i aromave, vendi i babait tim, vendi i të gjithë grimcave të mija emocionale, që sot nuk më lejojnë më të largohem prej tij.

  • Intervistë me Gjergj Bojaxhiun

    1-Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?
    Nuk jam i sigurtë nqs ekziston ose jo por nqs dikush do të më detyronte të përgjigjesha patjetër do të thoja se nuk ekziston. Sidoqoftë mendoj se në situatën dhe nivelin e zhvillimit ku jemi si shoqëri mendoj se shqiptarëve do tu bënte mirë të besonin në Zot.
    2. Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?
    Kjo varet nga lloji i njeriut që e përdor.
    3. Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij?
    Unë nuk e di si janë njerëzit por vetë personalisht në marredheniet me këdo unë e filloj kontaktin duke menduar që janë të mirë dhe u lë atyre të tregojnë nëse janë të mirë apo të këqinj.
    4. Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive “Big Brother”?
    Jo.
    5. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?
    Shqipëria nuk ka harmoni apo tolerancë fetare, por indiferentizëm fetar.
    6. Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?
    Po.
    7. Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?
    Bashkëshortja ime
    8. Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?
    Po
    9. Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?
    Të dyja bashkë. Mendoj se një pyetje më e vështirë do të ishte se në çfarë gradë ishte njëra apo tjetra.
    10. Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?
    Padyshim që ishte edhe luftë civile. Për mendimin tim motivi kryesor i udhëheqjes komuniste nuk ishte lufta kunder pushtuesve por si do të merrnin pushtetin pas mbarimit të luftës. Diçka që nuk e shoh të përmendet në Shqipëri është fakti që duke filluar nga viti 1943 u duk qartë që Gjermania e kishte humbur luftën dhe ishte vetëm çështja se sa kohë do të duhej për ta mbyllur këtë luftë. Ndërkohë viti ‘43 shënon dhe fillimin e intensifikimit të luftës në Shqipëri. Ata që do të “luftonin” më shumë pushtuesin do të kishin jo vetëm të drejtën morale për të pretenduar legjitimitet politik, por do të kishin edhe me shumë armë në dorë për të vendosur se kush do ta drejtonte vendin. U zgjata pak si shumë.
    11. Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?
    Arsimimi
    12. Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar, apo do të qëndronit asnjanës?
    Asnjanjës kurrë. Me asnjërin prej tyre
    13. Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?
    Në nivel personal i kuptueshëm, pasi djali i tij i parë ishte i porsa lindur, por në nivel politik largimi i tij ishte i pafalshëm. Ishte ky largim i cili deligjetimoi deri në njëfarë mase në sytë e popullatës klasën politike të asaj kohe dhe ky boshllëk i krijoi hapësirë lëvizjes komuniste.
    14. Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?
    Po
    15. Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?
    Nuk jam njeri që mbaj aparat me vete.
    16. Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?
    Specifikisht ishte dështim i modelit të menaxhimit të shtetit, ndërsa më gjerë ishte edhe dështim i klasës politike.
    17. Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në kushtet, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?
    Përgjigja është e qartë por uroj qe askush të mos përballet me këtë dilemë.
    18. Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?
    Po, por të keq ushqyer që në gjenezë.
    19. Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qënë protagonist?
    Opsioni i parë do të ishte Lufta e Parë Botërore. I dyti, Lufta e Dytë Botërore. I treti, periudha e fundit e Perandorise Romake.
    20. Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?
    Nuk do dija me cilin të filloja.
    21. Cili është libri që po lexoni?
    Into thin air. Është eksperienca e një alpinisti që ngjiti majën e Everestit, por të gjithë anëtarët e ekipit i vdiqën pranë majës.
    22. Cili komb europian ju ndjell më shumë me historinë e me kulturën e vet?
    Nuk kam një të preferuar, i vlerësoj pothuajse të gjithë për kontributin e dhënë në kohëra dhe mënyra të ndryshme. Kjo është edhe e bukura e Europës. Është një qilim i thurrur ndër shekuj ku stafeta me dashje apo pa dashje ka kaluar nga një dorë në tjetrën pa shkatërruar punën e tjetrit.
    23. Si do reagonit, sikur të merrnit vesh se djali/vajza juaj është homeseksual(e)?
    Nuk do më pëlqente
    24. Keni frikë nga vdekja?
    Jo
    25. Ç’është Atdheu?
    Si përkufizim teknik do të thoja vendi për të cilin je i gatshëm të rrezikosh deri edhe jetën, edhe kur familja e ngushtë nuk është e rrezikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë.

  • 1.Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?
    Ateistët thonë nuk ekziston, fatkeqët duhet të ekzistojë, frikacakët mund të ekzistojë dhe besimtarët tregojnë qiellin me gisht për të dëshmuar fronin e tij. Ka shumë alternativa, shumë pasiguri. Nëse njerëzimi është në dijen e Zotit, vetë Zoti mbetet i parrokshëm për mendjen njerëzore. Prandaj unë nuk kërkoj ta shoh, por duke dashur ta ndiej, ka zbritur deri në zemrën time. Kështu, Hyjit s’i kërkoj provë tjetër të ekzistencës.

    2.Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër apo si të tjerat?
    Shqipja si të tjerat është, veçse në familjen indoeuropiane pa motër e vëlla. Në Bankën e madhe të Shqipes, meqë shërbehen me rreth dyqind fjalë, nuk kanë numër llogarie taksambledhësit, policët, nëpunësit e CEZ-it, biznesmenët dhe të varfërit. Nisur nga asetet e fjalorit, politikanët dhe analistët duket se numrat e tyre i kanë kryesisht në bankat e huaja. Brenda 24 orëve, sipas adresave të emërtimeve, pa hedhur një hap jashtë kryeqytetit mund ta pish kafen e mëngjesit në Romë, drekën ta hash në Paris, darkën me kuzhinë tradicionale në Pekin, të flesh deri në të zbardhur të dritës në Californi dhe kur të dalësh për fllad, meqë banja publike nuk kemi, mund të dhjesësh kacuk (galiç) në ndonjë hale mejhanesh pranë Pazarit të Gabit. Kur lexon tabelat e lokaleve dhe shitoreve tona, të duket vetja se je në një panair të leksikut të përbotshëm, ku mungon vetëm një përfaqësim: Shqipëria. (E. Basha ka një poezi të fortë për joshjen e tepruar ndaj të huajës.)

    3.Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij?
    Mendoj se njerëzit janë moralisht të mirë, moralisht të këqij dhe më shpesh as vetëm të mirë, as vetëm të këqij. Kur flitet për esencën, njerëzit janë të barabartë, pasi esenca nënkupton Shpirtin dhe shpirti është standard për njerëzimin. Shishja e kësaj esence për të gjithë është trupi.

    4.Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive Big Brother?
    S’kam fëmijë të moshës për atë lojë, por një fqinj ma ka lavdëruar shumë spektaklin e fundit. Ishte i mrekullueshëm, tha, sa do të dëshiroja të merrte pjesë edhe vajza ime. Veçse ai kishte një kusht, çdo natë e bija të shkonte në shtëpi për të fjetur. Ndërsa në romanin që po shkruaj, dy vëllezër vdesin në aksident. Mbas disa kohësh Fabiani, më i riu, kthehet sërish prej matanë por pa Lorikun. Pa e ditur nëse pranohen ata që janë ngritur së vdekurish, dikush e këshillon që të marrë pjesë në Big Brother, me shpresën për ta gjetur atje Vëllanë e madh. Fabiani, njeriu që ka parë me sy botën tjetër, i përgjigjet: “S’jam i denjë për atë Parajsë.” As në metropolet më të mëdha, në skenat e teatrit të operas, të dramës apo të komedisë, tragjikja nuk ka mundur të gjejë kaq shndërrim, sa në Big Brother-in televiziv.

    5.Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?
    Një realitet i bukur që, për fat të keq, po fillon të ktheht në legjendë.

    6.Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?
    Një unitet i qartë na bashkon dhe ca debate të turbullta na ndajnë.
    7.Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?
    Riviera Çela-Karagjozi, ime bijë nëntë male mërguar.

    8.Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund) bëhen vrasje për arsye shtetërore?
    Më tepër për arsye të shtetarëve.

    9.Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?
    Po e mbaj vetëm në plan letrar. Përkthyesit gjenial, që kishte lindur për Hamletin, iu shfaq para kohe fantazma e një monarku të ardhshëm dhe e goditi. E goditi jo se i kishte vrarë të atin për t’i grabitur pushtetin, por sipas tij i kishte vrarë vëllain opozitar në Asamblenë Kombëtare, Avni Rustemin (siç do t’i vriste edhe mikun liberator Luigj Gurakuqin, Horacin e tij besnik,) dhe, mbi të gjitha, i kishte dhunuar mbretëreshën pa kurorë, faqeçjerrur, leshlëshuar, shpirt e zemër përvëluar, të ëmën pra - Shqipërinë. (Mbahu Nëno, mos ki frikë...) Më pas, “kur hallvaxhin’ e pamë mbret”, kur me të vërtetë erdhi mbreti, në skenën e Tiranës mungonte Hamleti. Dhe ky nuk është paradoks, sepse ku ka mbret, mund të mos ketë një Hamlet, por aty ku ka Hamlet, do të ketë patjetër një mbret.
    10.Ajo që komunistët e kanë quajtur Lufta Nacionalçlirimtare, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?
    Konflikti zanafillor mes Kainit dhe Abelit (sot për shqiptarët Kanani dhe Adili) është miniatura e parë e luftës civile. Prandaj, pavarësisht nga natyrat që kanë pasur, vëllavrasja ka qenë pjesë e të gjitha luftërave që plasën më pas.

    11.Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thonit?
    Ndërtimi i hidrocentraleve. (Edhe puthjet që shkëmbeheshin fshehurazi.) Për dritën paguhet nga xhepi, për lirinë nga lëkura.

    12.Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar apo do të qëndronit asnjanës?
    Asnjanësinë e respektoj, por kur nuk përdoret si alibi. Po të jetoja atëherë, ndoshta do të isha një komisar me yllin e kuq në çetat e Enver Hoxhës. Ndoshta një ballist që pushkatohet nga partizanët për shqiponjën pa yll. Ndoshta një legalist që... O ju të pasprovuar, mos nxitoni të thoni dëngla pa qenë vënë në provë!

    13.Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria, në prill të vitit 1939, është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?
    Si mbret Lartëmadhëria braktisi një mbretëri, që as e kishte trashëguar dhe as do të trashëgohej; si Familjar fitoi një trashëgimtar, bir të lindur që do të trashëgohej gjithashu. Midis mbretit dhe burrit ka gjithmonë një gaztor, që herë qesh për njërin e herë qan për tjetrin.
    14.Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?
    Ndoshta jemi të vonuar. Kush njeh të padrejtën e kampit të kundërshtarit, e njeh edhe më mirë të drejtën e kampit të vet.

    15.Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?
    E thënë kështu, besoj se keni parasysh ofiqet. Mbas njëzet e pesë vjetësh nga njohjet e para, sivjet e solli rasti (përurimi i librit “Përgjigje për dashurinë”) të kem foto me kryeministrin Berisha.

    16.Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?
    Ferri që vetë e krijuam dhe prej ku, të verbuar nga flakët, nuk dolëm vetë por na nxorën të huajt.

    17.Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri, në kushtet kur ai kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?
    Ka raste kur vrasja nuk është krim, por luftë kundër krimit. Veçse, për metaforë, deri tani jam mësuar të vritem dhe jo të vras.

    18.Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?
    Jemi europianë nga autoktonia, kompakt nga etniciteti, të përzier nga qytetërimet, jo homogjenë nga besimi, tashmë edhe të dhunshëm në humbje dhe pa fisnikëri në fitore.

    19.Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do të donit të kishit qenë protagonist?
    Meqë e shkuara nuk kthehet, po i drejtohem së ardhmes sado e largët qoftë. Me kalimin e kohës, për shkak të sovranitetit të deleguar, në Bashkimin Europian do të krijohet edhe psikologjia perandorake. Kur të vijë dita që kjo perandori të shpërbëhet, do të punoja që shtetet e federuara të ndahen pa gjakderdhje dhe pa futurizmin kolonialist të të madhit ndaj të voglit.

    20.Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do të kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?
    Nuk do të flisja vetë, por do ta dëgjoja duke folur. Dhe është njësoj si të dëgjosh muzikë, bie fjala, “Katër stinët” e Vivaldit. Kur ndodh? Nëse flet me një zonjë të bukur, inteligjente dhe sidomos shpirtërore. Në sytë e mi, më falni për mallin njerëzor, me këto cilësi ajo bëhet edhe historike.

    21.Cili është libri që po lexoni?
    Një libër për botën e natyrës, ku shtjellohet edhe urbanistika e milingonave.

    22.Cili komb europian ju ndjell më shumë me historinë e kulturën e vet?
    Ai që njoh më mirë, francezët.

    23.Si do të reagonit sikur të merrnit vesh se djali/vajza juaj është homoseksuale?
    Njëherë, në fshatin Kosmaç, rrija me një plak nën hijen e një plepi, që ishte fort afër murit të shtëpisë. I them, si do t’ia bëje ti me strehën e çatisë, po të kishte devijuar trungu? Ma ktheu, ti po ma kujton, se meqë plepi ka shkuar drejt, kisha me vdekë pa më vajtur kurrë ndër mend kjo pyetje.

    24.Keni frikë nga vdekja?
    Unë jam i gjalli që, për arsye të ansamblit, herë pas here i jap ndonjë leckë edhe varrit tim. Ndodhet pranë banesës së fundit ku prehet im bir, Dritani. Tashmë për mua nuk është problem vetë vdekja, por administrimi i rreptë i kohës derisa të vijë ajo.

    25.Ç’është Atdheu?
    Kalliri dhe drapri bashkë, pikëçuditja që fuqizon ngazëllimet e pafajshme të fëmijës dhe pikëpyetja që vë në dyshim iluzionet boshe të plakut. Atdheu është kupa e helmit që në bankete botërore, ku të gjithë shtiren ngapak, mund të ndodhë ta pish duke e shitur për shampanjë.