credins
Data sot është 18-05-2013, ora 12:53
Ndaje |

"Rruga e Vetme" e Fugës

Në shkrimin “Komisionet Zgjedhore përtej logjikës duale”, të botuar në Mapo në datën 13 tetor 2011 Artan Fuga merr spunto prej një propozimi të LSI-së për nisjen e punës për reformën zgjedhore, dhe prodhon një analizë që konfirmon pritshmëritë e një diskursi dominant publik, një diskurs që shkon (sipas meje) përkundër bashkësisë, e në pohim të individit e të partikularitetit.

Teza e Fugës është se komisionet (apo të tjera trupa politike) do të qe mirë të de-particizoheshin, e të mbusheshin me përfaqësues të grupeve të interesit. Shtrimi i pyetjes fillestare nga ana e LSI-së sipas autorit nuk vjen për shkak të dëshirës krejt të kuptueshme e banale për pushtet të këtij formacioni politik, po sepse LSI qenka “Edhe e deklaruar e majtë, edhe në koalicionin qeverisës me parti të spektrit të qendrës së djathtë, çka nuk përbën çudi në kohën tonë edhe për vende të tjera sipas konjukturave që paraqiten”. Konstatimi bazohet në deklarime, a në perceptime publike, ama Fuga duket se nuk e merr parasysh faktin se nuk ekziston ndonjë farë koherence në mesazh, në përfaqësim a në aksion në spektrin politik që merr pjesë në Kuvendin e Shqipërisë, e kjo do të thotë që aty ka vetëm vetëdeklarime e etiketa boshe. Kjo nuk përbën çudi as në vendin tonë, as në vende të tjera, pasi jetojmë në një periudhë tabush, në një periudhë të denkverbot-it, në një periudhë konsensusi diktatorial që e mohon diskutimin mbi realen, kështu që apriori e mohon mundësinë e ndërhyrjes së politikës në reale, mundësinë e çarjes që do të bënte të mundur përparimin.

Mundësinë e çarjes në aktualitet e mohon edhe vetë Fuga, që hedh tezën e tij të zhvillimit linear, duke shkruar: Në politikë ne kemi nevojë të ikim nga logjikat duale, që edhe në shkencë janë bërë shumë të kapërcyera, për të shkuar drejt metodave të një arsyetimi me logjika lineare, graduale, pra që e shtrojnë dhe i zgjidhin çështjet brenda një spektri zgjidhjesh që parashtrohen si vazhdimësi e njëra-tjetrës dhe plotësime të njëra-tjetrës.

Brenda diskursit të Fugës mbin, si mohim i duales mundësia e logjikës lineare. A thua me Fugën (Artan) të jetë konsultuar Rama (Edvin) kur prodhoi sloganin për zgjedhjet lokale “E vetmja rrugë”…

Logjika lineare në fakt nuk është as e mohueshme në tërësi, as e kritikueshme në secilin moment. Ajo ka ekzistuar në histori, edhe në zhvillime politike, edhe në zhvillime shkencore e kulturore. Zhvillimi që parashikon kjo lloj logjike shpeshherë paraqitet si “evolutiv”, përkundër atij “revolucionar”. Në këtë fazë të propagandimit natyrisht që revolucioni është pikturuar me ngjyrat më të errëta, e evolucioni ngjan më mirë (se edhe feja duket se po dekafeinohet prej aparateve që prodhojnë kulturën mainstream). Kështu që lexuesve do u dukej menjëherë e pranueshme teza e Fugës për zhvillim linear, të tipit “gur gur bëhet mur” e kësisoj. Mirëpo këtu duhet thënë që edhe zhvillimi evolucionar e nënkupton tensionin dhe përplasjen, dhe absolutisht që nuk lë vend për mohimin e dialektikës.

Fuga (antihegelian) në fakt mohon qëndrimet e forta në favor të qëndrimeve të dobëta (weak positions për të cilat shkruan gjatë Agamben dhe Vattimo), në përputhje me një tjetër pozicion postekzistencial e postmodern, një pozicion që rreket të shkatërrojë të vërtetat e tjera në pohim të një të vërtete të pashprehur. Teori e mirë për një brez që (për arsye tjetërsoj të shpjegueshme) është një brez që urren nuk din ç'urren, don e s'din se ç'don.

Mirëpo sa i përket politikës, edhe pse për kobin tonë gjendemi në një situatë mjerane, ajo nuk mundet të konceptohet ndryshe përveçse si konfliktuale. Sado të fraksionarizuar ta mendojnë analizuesit shoqërinë, në grupe interesi, në gjini, në sjellje, në kultura, në familje e në individë – kurrë s’po fshihet përfundimisht rëndësia e potenciali i një ndryshimi rrënjësor, i një mesazhi përbashkues i së resë që lufton të vjetrën në emër të përparimit (teleologjia shpallet e vdekur prej Fukuyamës etj., por a është…?).

Zgjidhja nuk është de-particizimi i trupave politike, me justifikimin se partitë aktualisht janë të këqija, keqfunksionale, bosh prej përmbajtjes, e të depolitizuara. Zgjidhja, mendoj unë, është krijimi (a shndërrimi) i partive si trupa të politizuara, trupa me përmbajtje e me kuptim, me ide e me diskurs, dhe me besnikëri e koherencë ndaj përfaqësimit e funksionit të tyre social.

Edhe pse Fuga thotë se: “Në komisionet zgjedhore ka vend të jenë të pranishëm si anëtarë, veçse si vëzhgues, edhe përfaqësuesit e partive politike, edhe përfaqësuesit e pushtetit lokal, edhe përfaqësuesit e pushtetit qendror, edhe përfaqësuesit e qytetarëve, të përzgjedhur me short apo të caktuar në forma të tjera, edhe juristë. Në këtë mënyrë këto komisione do të kenë të siguruar realisht natyrën e tyre edhe administrative, edhe vendimmarrëse, edhe politike.” mesazhi i tij vijon t’i mëshojë linearizmit (një farë monizmi i formës së re), në mohim të rrugëve alternative e vektorëve të ndryshëm për zhvillimin. Ai përkrah një farë teknokratizimi të politikës, duke e ngjeshur në të dimensionin administrativ dhe vendimmarrës të pushtetit, ndërkohë që politika më së pari ka elementin filozofik, dimensionin e besimit, momentin diskursiv, e menjëherë më pas atë aktiv e ndërhyrës.

Nuk na duhen trupa politike prej juristësh e prej teknikësh, na duhen trupa politike ku rrugët e opsionet e palëve kalisin njëra-tjetrën për të mbërritur tek një aufhebung. Teknikët le të kqyrin punën e tyre, si ekzekutues të asaj çka më parë duhet të lindë si ide. Dhe idetë lindin vetëm prej përplasjesh. Po të kishim menduar një histori të njerëzimit të ndërtuar mbi një zhvillim linear apo gradual, kushedi ku do të qemë. Fatmirësisht një makth-histori të tillë, as që mundemi ta mendojmë.

Pergjithesisht jam dakord me shkrimet e Arbrit. Edhe sot pjeserisht. Pjeserisht sepse kjo qe thote Fuga nuk ka piken e kuptimit, por edhe ajo qe thote Autori ehste krejtesisht e kote. Jeni ne vete, jeni esell ju apo jo?

Kjo tregon nje mosnjohje totale te Shqiperise reale, ku gjithcka (shumecka per te qene skrupuloz)  eshte nepotizem, pazar favoresh, parash e keshtu me rradhe. E ku na qenkan keto meseues te depolitizuar me kurajo qytetare per numermim votash tamam (kur i kemi pare qe detyrohen si dele te dalin neper mitingje). E njejta vlen edhe per mjeke e infermiere. E ku jane keto juriste kurajoze kur shumica e njerezve mendojne se drejtesia eshte segmenti me i korrptuar ne vend. E ku jane keto adminstratore, keta nepunes civile te pavarur, kur ne rreth 90,000 nepunes publike ne Shqiperi, vetem 5 % kane status nepunesi civl, gje qe nuk i ka mbrojtur nga abuzimet, dalja ne mitingje, pushimet nga puna etj.

Atehere per ta ulur diskutimin me kembe ne toke, ku jane keto njerez teknike se po na luanui mendsh?

Ajo qe ka per te ndodhur ne praktike ne rastin me te mire do jete nje ligj zgjedhor i cili e ben sa me transparent votimin e numerimit dhe i jep nje kutpim transparences ne leter. Pra, p.sh mburremi se numerimi eshte i gjithi ne kamera, por nuk pronojme qe cd-te te perdoren si prove.

Ju lutem mmerruni me kete lloj gjerash e pastja te diskutojme per Hegelin, nese opozita eshte e detyruar qe me shume se gjysmen e kohes te mendoje si te ruaje votat ne vend te prodhoje politike kete situate do kemi. Per me teper kjo do gjeneroje nje rreth vicioz me te forte kunder te forteve e me patra kunder parave qe nuk do perfudnoje kurre.

Ketyu duhet synuar : garantimi i votes.

Konservatoret si Artan Fuga mbajne si pozicion fundin e historise, fundin e filozofise, sepse keshtu i japin fund idese se krijimit (te se rese qe kercenon rendin te cilin ata synojne te konservojne). Ky pozicion i jep fund krijimit artistik (permes komercializimit); i jep fund edhe krijimit shkencor duke e bere shkencen skllave te teknologjise dhe biznesit (Steve Jobs, shkencetari i kohes sone...!!!); i jep fund dashurise si pozicion kreativ i vete ekzistences, i jep fund gjithe ketyre thyerjeve dhe carjeve kreative ne ekzistencen njerezore, pra eshte pozicion i kobshem. E vetmja norme e pozicionit konservativ eshte siguria; se pozicioni dialektik e nenkupton nje lloj rreziku (se s'mund te shpresojme per siguri absolute ne dashuri, as ne eksperimentimet artistike: kur krijon dicka nuk mund te deshirosh siguri absolute - asnje deshtim, po vetem sukses - kjo do te qe absurde.

Fuga Konservator? Une kam lexuar majtas JO djathtas dhe nuk kam pershtypjen se ai eshte konservator. Mendoj se perpiqet te jete pragmatist, edhe pse besoj se pragmatizmi i tij eshte i bazuar shpesh ne premisa te gabuara. Po te jesh me i hidhet mund te thuash se eshte edhe konjekturist... po jo se kemi nevoje ta cojme muhabetin gjer aty.

Po ta shtyjmë arsyetimin deri në fund, Fuga thotë të heqim demokracinë e të vendosim teknokracinë në vend të saj sepse teknokratët e dinë më mirë dhe sepse demokracia sjell shumë konflikte e raport forcash. Dmth të vendosim një diktaturë të teknokratëve. Më vonë unë propozoj të vendosim "Lider Maximo" një kompjuter që merr gjithë vendimet më të mira dhe ne do të jetojmë të lumtur. (A ju kujtohet HAL i Space Odissey?)

Blendi, problemi i opozitës vjen ngaqë nuk e vrasin shumë mendjen të kuptojnë se në ç'kontekst veprojnë, prandaj turren si dele mbi të cilat është lëshuar ujku. Gjithmonë në reagim të asaj çfarë thotë Saliu dhe ku i shpie dashi i tufës (Ediu), por ama shumë pak arrijnë të analizojnë planet e Saliut e të dashit të tufës. Për sa kohë do të veprojnë si dele, kurrë nuk do të arrijnë gjë.

Dërgo koment të ri

Përmbajtja e kësaj fushe ruhet në menyrë private dhe nuk është e dukshme publikisht.
  • Adresat web dhe adresat e-mail konvertohen automatikisht në lidhje.
  • Tags e lejuar HTML: <a> <em> <strong> <cite> <code> <ul> <ol> <li> <dl> <dt> <dd> <p> <br> <blockquote>
  • Rreshtat dhe paragrafët shkojnë automatikisht në krye.

Informacione të tjera në lidhje me opsionet e formatimit

CAPTCHA
Plotësoni fushën më poshtë me tekstin e shfaqur në imazh.