Shqipëria ose tigri i munguar ballkanik

Postuar në 25 Korrik, 2015 05:20
Ilir Kalemaj

Përse disa kombe dhe popuj kanë perspektiva më të qarta zhvillimi dhe disa duken të kapërthyer në tranzicione të përjetshme, apo akoma më keq zhyten në anarki? Përse disa janë të pasur dhe të tjerë të varfër? Disa janë destinacione për emigrantë dhe të tjerë prodhojnë pa pushim refugjatë? Për Daron Acemoglu and James Robinson në librin “Përse Kombet Dështojnë”, diferenca mes atyre shteteve që prosperojnë dhe atyre që dështojnë ka të bëjë me strukturën dhe institucionet ekonomike dhe politike. Këto institucione nga ana tjetër krijojnë incentiva të ndryshme sjelljeje nga ana e popullsisë. Një tjetër autor, Charles Jones nga Universiteti i Stanfordit, në një studim që përfshin 128 shtete shkruan se mbi 80 për qind e diferencës në PBB për punëtor është relative për SHBA­të për shkak të diferencave në efiçencë. Për shembull, ai ndër të tjera thotë që mungesa e alokimit të burimeve në nivel mikro sjell një reduktim të prodhimit të përgjithshëm në nivel makro dhe ky është një nga faktorët e shpjegimit që pse disa vende arrijnë me më tepër efiçencë të organizojnë prodhimin dhe shpërndarjen e burimeve dhe për rrjedhojë janë më të pasura dhe zhvilluara se të tjerat. Kjo jo gjithmonë apo domosdoshmërish ka parakusht burimet natyrore, pozicionimin e favorshëm gjeostrategjik etj. Singapori për shembull, megjithëse nuk ka rezerva hidrokarbure, zë vendin e tretë në botë për eksportin e naftës së përpunuar për eksport dhe petrokimikatet. Megjithëse ka një nga sipërfaqet më të pamjaftueshme për numrin e banorëve që mbart, duke e kthyer dendësinë e popullatës në një nga më ta lartat në botë dhe pavarësisht mungesës absolute të burimeve natyrore, duke filluar që nga uji e me radhë, karakteristikë që e ndan edhe me simotrat e saj Hong Kongun, Taivain etj., janë ndërkohë ndër vendet me investimet më të mëdha të huaja, veçanërisht kompani tregtare dhe shërbimesh, ndërkohë që investimi te burimet njerëzore ka qenë determinues për t’i shkëputur ndjeshëm nga niveli i jetesës performanca ekonomike nga ish­kolonitë afrikane. Disa prej këtyre të fundit, fjala bie Republika Demokratike e Kongos kishin një start shumë më të fuqishëm përsa i përket perspektivës ekonomike në mes­viteve ‘60­të për shkak të burimeve të jashtëzakonshme natyrore dhe pozicionimit gjeo­strategjik, që merrte akoma më shumë përparësi si rezultat i Luftës së Ftohtë dhe aleancave globale të dy superfuqive që shoqëroheshin shpesh me investime të qenësishme kapitale, ushtarake, ndihma ekonomike etj. Por nga ajo kohë e në vazhdim rrugët janë ndarë kryekëput. Nga njëra anë kemi Afrikën Nën­Sahariane, ku Kongo është vetëm një nga rastet ilustruese që u zhytën në kaos, konflikt të egër brenda dhe ndërshtetëror dhe luftëra civile të njëpasnjëshme, të cilat degraduan ekonominë dhe u dhanë dërrmën shpresave për një jetë të dinjitetshme dhe të sigurt shtetasve të këtyre shteteve, që shpesh janë cilësuar “të dështuar” (failed states), “fantazmë” (ghost states) apo “vampirë” (vampire states). Nga ana tjetër, mrekullinë ekonomike të “Tigrave të Azisë” (Kore e Jugut, Taivan, Hong Kong dhe Singapor) ku vetëm ky i fundit nga 1976 ka pasur një rritje ekonomike konstante në rreth 7 për qind në vit deri në recesionin e lehtë që pësoi në 2009­ën si rezultat i krizës financiare globale.

Shqipëria futet te shtetet në zhvillim që në fakt përbëjnë shumicën absolute të shteteve në botë. Por kjo, ashtu sikundër fjala shpesh e keqpërdorur “tranzicion” të lënë të kuptosh fare pak në lidhje me perspektivën e zhvillimit. Edhe vendet më të suksesshme të ish­Europës Lindore, si vendet balltike, ndërmorën reforma të guximshme që i shndërruan nga ekonomi të dështuara plani me centralizimin tipik sovjetik në vende me konkurrencë reale, me papunësi të ulët, investime të huaja direkte mjaft të larta për frymë, me investime të klasit të parë në inovacion dhe teknologji dhe mbi të gjitha, me një fokus për t’u pasur zili te burimet njerëzore, përthithja e know­how dhe tërheqja e zhvillimi i kapitaleve. Shqipëria nuk ka pse shpik modele, thjesht të ndjekë ato që janë më të suksesshmet, duke filluar para së gjithash tek investimi afatgjatë për një administratë të depolitizuar dhe meritokratike, te stimulimi i sektorit privat si punëdhënësi absolut më i qëndrueshëm dhe me punësueshmërinë më të madhe, zhvillimin e burimeve njerëzore veçanërisht në aspektet e aftësive dhe kompetencës, e cila lidhet ngushtësisht me procesin e shkollimit dhe të nxënit gjatë gjithë jetës etj. Jo më pak e rëndësishme është shfrytëzimi inteligjent i burimeve natyrore me të cilat na ka bekuar Perëndia, shfrytëzimi i konteksteve gjeopolitike, të cilat kërkojnë një diplomaci të aftë, pragmatike dhe vizionare, eliminimi i dobësive sistemike dhe strukturore të brendshme, që fillojnë nga mosfunksionimi i institucioneve e kështu me radhë. Por mbi të gjitha, parakusht është vullneti politik, aftësitë e elitës drejtuese, e cila duhet të jetë e zgjedhur dhe jo e emëruar dhe patriotizmi institucional në vend të populizmave patetike, të cilat na rrotullojnë në qerthuj viciozë dhe na mbajnë lidhur në një status kuo, të cilën nuk ka për ta zgjidhur me një deux ex machina as integrimi në BE, nëse vjen ndonjë ditë në dekadën e ardhshme.

 

Ilir Kalemaj

“Gazeta Shqiptare”

Comments

Submitted by Samir (not verified) on

Qe kur e keni fshire Kosoven nga harta? Ajo nuk eshte pjese e Serbise!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.