A po ngrenë krye turmat?

Postuar në 02 Gusht, 2015 14:43
Ben Andoni

Grafitët, sharjet në stadiume, sloganet ‘pakuptim’, komentet dhe reagimet në blogje janë simptomat e para të sëmundjes së një turme, që ka filluar t’i përshfaqë hapur. Por, ndërsa sociologët po përpiqen të merren me shkakun, politikanët vazhdojnë të merren me pasojat dhe sidomos anën sipërfaqësore të gjërave.

Që turma shqiptare është jashtë kontrolli, kjo nuk do shumë logjikë, pasi këtë e shikon në reagimet e ndryshme të saj në terren, grafitet, komentet, rrjetet sociale dhe sloganet. “E keni vendin në Aushvic…”, shpreheshin ultrasët e një klubi kryeqytetas, që i kundërpërgjigjeshin reagimit të bashkëqytetarëve të tyre, që i quanin krejt të pavlerë.

Logjika e turmave, sipas shkollarëve, nuk duhet të nënvlerësohet, për arsyen e thjeshtë sepse ajo përbën në një farë mënyre dhe sjelljen tonë kolektive. E në rast se kjo nuk trajtohet si duhet apo edhe nuk merret seriozisht, brenda një periudhe të shkurtër mund ta dominojë jetën tonë, shtojnë sociologët. Çdo të thotë: turma vepron me instinkt dhe jo me arsye, që arsyeton sot faktin se problemi i madh ekonomik që rëndon mbi supet e njerëzve, mungesa e shprehjes, mungesa e të ardhmes, kërkon gjetkë valvula shkarkimi. Nuk ka më mirë sesa sporti, që këtë instinkt urrejtje e derdh të mbështjellë me një motiv të frymës nacionaliste, justifikim dhe motivim të kohës së humbur, ‘padrejtësisë’, por edhe shpjegim të gjithë humbjeve, duke faturuar të keqin apo përgjegjësin diku gjetkë. Asnjëherë, realisht, atje ku duhet.

Në rastin tonë, shprehja e dhunës së turmave, edhe pse konsiderohet ende si sporadike, ndodhi me ndeshjen e pak ditëve më parë: “Fundi i lojës do të jetë fundi i jetës suaj. Unë nuk jam sllav, unë jam shqiptar”. Duke shfrytëzuar një frymë nacionaliste dhe një fabul, që s’kishte fare lidhje me ndeshjen, ultrasët shqiptarë goditën ata polakë. Kjo nuk është se do të thotë diçka specifike, por parandjell një situatë jo të mirë nga turmat tona.

Në kohën e vet, një njohës i mirë i turmës dhe i racave, Le Bon, tejet i anatemuar duke u marrë me turmat besonte në brishtësinë in-extremis të arsyes, me të cilën në kohën e vet po merreshin shumë, ndryshe nga instinkti (që dominon sot shumë) e që konsiderohej një karakteristikë e përhershme dhe e qëndrueshme e qenieve njerëzore, në çdo kohë.

Në një farë mënyre, përballja e vështirë me problemet bazike të vendit, ka bërë që edhe shfryrja të jetë me instinktet e turmave në sport, reagimet në mitingje dhe sidomos shprehjet në median sociale. Problemi nuk është se lidhet shumë me sportin.

Nëse do të ndjekësh realisht reagimin e turmës në Shqipëri, mundohu të bësh diçka publike: do të thotë një artikull apo të aktivizohesh në veprime publike; kur shprehesh për diçka; apo kur ke një funksion . Vetëm pak herë publiku të ndjekë me arsye dhe të le të artikulosh, pasi menjëherë mbytesh instinktivisht nga ofendimet. Humbja e arsyes prej masës, për psikologun francez Le Bon, ishte tregues i humbjes akoma më të madhe: shkrirjen e një identiteti individual në një identitet kolektiv. Njeriu kthehet pas në gjendjen e kafshës dhe në natyrë, qeniet e të njëjtës specie i ngjajnë gjithmonë e më shumë njëra-tjetrës: kështu, në turmë, njeriu bëhet “kafshë” dhe instinktet e tij primitive e bëjnë praktikisht identik me ata që ndajnë të njëjtën eksperiencë grupi, e mbyllte ai shpjegimin.

Dhe, pasoja dihet, objekti duhet të shfryjë. Për fat, nuk ka vend më të mirë se sporti, ku turma mund të shfryhet në kohë paqe. Kuptohet janë dhe koncertet, por radhësia e tyre nuk e justifikon dot adrenalinën që të jep sporti.

Kurse shkaku që i jep jetë urrejtjes së turmave dihet: Në Shqipëri mungojnë vendet e punës; burokracia është e frikshme dhe e papërballueshme; duhet të jesh anëtar i një force politike në fuqi të fitosh një vend pune; dhe mbi të gjitha je në çdo moment i përballur me padrejtësinë. Kjo e bën sportin, mbushur me sloganet e lejueshme, që njerëzit të shfryjnë atë që nuk e bëjnë dot në jetën e përditshme. Aty mund të shash, aty mund të ofendosh, aty mund të godasësh dhe të çirresh e të vishesh si të duash, pa u përballur direkt me sistemin që të mbyt.

Mesazhi për politikën ka kohë që jepet prej turmës në drejtime të ndryshme, por kjo e sportit është më evidentja. Në këtë vazhdë, si një masë paraprake lehtësuese, mund të ishte ndoshta reagimi i organizmave të të drejtave të njeriut. Por, asnjë nga këto organizma nuk shprehet. Të gjithë strukturat që merren me të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, jo vetëm që janë në gjumë letargjik, por synimin e kanë në marrjen e fondeve, që i ka pasuruar, për të promovuar aktivitete, rëndësia e të cilave, pothuaj është krejt e pavlerë.

Turma, në ditët tona është e keqpërdorur aq keq, madje dhe nga televizionet publike tek ne, saqë nuk e kupton se mbart në zemërimin e saj një ngarkesë të tërë negative. Kjo derdhet frikshëm, duke bërë ato që po ndodhin.

Ndaj, debati dhe vëmendja nuk duhet të shkojë vetëm me sigurinë e mjediseve tona sportive, sidomos në ndeshje ndërkombëtare, por edhe me atë se ku po shkon turma jonë. Çfarë janë këta: Plisa, Ballista, Ultras ’86, që asnjëherë nuk dinë të përcjellin mesazhe sportive por veçse urrejtje? A u duhet shpjeguar që të merren më shumë me sport sesa me sqetullat dhe nacionalizimin e tyre kallp? Mbase nuk mjafton vetëm rregulli në stadiumet tona, por duhet edhe pak më shumë dritë tek këta të ngratë që mbushin stadiumet dhe betohen për flamur dhe atdhe, se fajin nuk ua kanë një grusht tifozësh kundërshtarë, por skamja dhe padrejtësia e vendit të tyre, që ata e shfrehin me slogane, grushta kundërshtarit dhe urrejtje.

"Tema"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.