Parku i Tiranës dhe lidhjet e padukshme me tiranasin

Postuar në 14 Korrik, 2015 01:59
Sazan Guri

Të gjitha veprat urbane që ne ngazëllehemi, sot, në Europë e në botë janë vepra thjesht dhe tipikisht diktatorësh, dhe askush kryeministër apo kryebashkiak nuk ka guxuar t’i shkallmojë ato, edhe kur nuk kanë përmbushur vlera arkitekturore, por vetëm historike. Po në rastin e veprës sonë Park, Liqen, Digë, Kopsht zoologjik, Kopsht botanik dhe Kodra Selite, që përpos vlerës memoriale shpalosin për më së tepërmi ato arkitekturore, sepse:

përbëjnë atë lloj vepre, që sipas teorive të psikologjisë mjedisore, nxisin një lloj bashkëveprimi me qytetarin, që tjetërsoj quhet hapësirë “sociopetale” (hapësirë që i sjell njerëzit bashkë), ndryshe nga ajo që mendohet të ngrihet nga projekti i Hyrjes së Parkut, çka ofron atë që quhet hapësirë “sociofugale” (hapësirë që ndan njerëzit). Duke qenë se në këto 20 vjet, qytetari po përballet me vepra me intensitet të lartë ndërtimi, si kullat rreth e rrotull, me Parkun apo Liqenin e Tiranës, ai, (qytetari) ndjen pronësi mbi territorialitetin, që ndryshe nga rregullimi instinktiv i botës së gjallë për të zotëruar territorin si nevojë të mbijetesës, këtu qytetari e kupton territorialitetin të lidhur ngushtë me “nevojat e mëdha rregulluese”, e cila i mungon këtij qyteti. Pra ai, pa qenë nevoja të jetë arkitekt, urbanist apo mjedisor, instinktivisht vendos brenda vetes raportin baraspeshë të hapësirave me dendësi të lartë (lagjja e dendur përreth, si Farka dhe Komuna e Parisit), ku qytetari mezi hyn, me ato që sigurojnë hapësira ndërpersonale, intimitet ose dendësi të ulët si Liqeni e Parku, ku qytetari lehtësisht hyn.

Ai, pa qenë nevoja të jetë arkitekt, urbanist apo mjedisor, instinktivisht ndjen se komplekset e çlodhjes nuk janë thjesht një vend, por një seri gjërash të ndërlidhura, ndonjëherë hierarkike, prej të cilave ai ka marrë efekte pozitive, si rasti i Liqenit, Parkut, pjesa e lodrave nën Digë, Kopshtet etj. Jo vetëm qytetari, por edhe fëmija apo adoleshenti, i riu apo plaku, me praninë e pemëve dhe e zonave me ujë, me bar, me lodra, me pishina etj., rreth Liqenit përplotësohet dhe motivohet për ndenjje, ecje, bredhje, të cilat kanë shtuar ndjesinë e sigurisë te ta, ku është llogaritur se krijueshmëria e lojërave të tyre është dyfish-trefish këtu pranë zonës së Liqenit, sesa në ato shterpë apo të betonizuara. Edhe për faktin se, ndër tri parqet që parapëlqejnë fëmijët, si atë tradicionalin, aventurorin dhe bashkëkohorin, këtu ata gjejnë të parin, si më gjenetikun e ndjenjës së tyre.

Arsye tjetër është se qytetarët, si ata të djeshmit dhe këta të sotshmit kanë formuar lidhje sociale, historike, shpirtërore, kulturore me veprën Park-Liqen, çka i bën më të prirur për të ndërhyrë në mbrojtje të saj, ku në njëfarë mënyre banorët ndihen pronarë të saj, gjë e cila iu ka nxitur mbikëqyrjen informale apo kohezionin social, ndryshe nga projekti që vjen, aq më tepër kur futet me urdhër, me forcë. Këtë e forcon fakti se banorët e Tiranës, ndryshe nga shumë qytete të tjera kozmopolite jashtë vendit, janë të një etnie, ndajnë të njëjtin status social-ekonomik, kanë “investuar” psikologjikisht në këtë zonë, janë të kënaqur me konditat e veprës Liqen apo Park, dhe kanë ndjesinë e një jetese të mirë aty brenda apo pranë. Aq më tepër, kur projekti tjetër po vjen në konflikt me preferencat personale të qytetarëve, duke krijuar qysh në fillim papajtueshmëri me intuitën e komunitetit, me kuptimin historik e shpirtëror të tij, e duke rënë ndesh me kodin gjenetik të vlerës së zonës.

Arsye tjetër që e bën të qëndrueshme veprën Liqen e Park, është se ajo nuk del jashtë marrëveshjes së përgjithshme midis vetë arkitektëve, sepse përmbush tri qëllimet kryesore bazë të një vepre urbane, si rehatinë, qëndrueshmërinë dhe kënaqësinë (admirimin), ku me rehati kuptojmë qëllimin funksional të projektimit (për çfarë përdoret Parku, dhe a ndihmon kjo në pëlqimin e njerëzve), me qëndrueshmërinë kuptojmë integritetin strukturor ose qëndrueshmërinë për kohë të gjatë, dhe me admirimin apo kënaqësinë kuptojmë çështjet estetike, të cilat nuk i mungojnë veprës Liqen e Park, ndryshe nga veprat beton.

Argument tjetër është se ngjyrimi blu i Liqenit e jeshil i Parkut, sjellin harmoninë e tri parimeve bazë të mësipërme të kësaj vepre arkitekturore deri në përfitimet shëndetësore, estetike, çka iu jep qytetarëve një produktivitet më të lartë dhe gjendje më të mirë shëndetësore. Jo vetëm kaq, vepra arkitekturore Park e Liqen, ndryshe nga ajo beton e propozuar ka siguruar mundësinë sesi rrezet e diellit rrisin dhe përmirësojnë kënaqësinë në shëtitje, baritje dhe në mirëqenien e përgjithshme, jo thjesht nga niveli i përgjithshëm i ajrit të brendshëm, por nga përmasat e zonës me komponentët e natyrës.

Një arsye tjetër është se vepra Liqen e Park zotëron ngrohtësinë e elementit “Estetikë Arkitekturore”, çka përbën mënyrën se si arkitekti popull ka rifinuar elementët e thjeshtë ndërtimorë brenda saj, për të cilën ka marrë deri më sot përgjigje të pëlqyeshme nga qytetarët e Tiranës, dhe jo vetëm. Në një kohë që sot ka shumë prova që flasin se “Estetika” mund të jetë nga më të rëndësishmet në përcaktimin e sjelljes së njeriut, sepse si “Estetika formale” që përfshin përmasa, si forma (hapjen, hapësirën, dendësinë, misterin), proporcionin (unitetin, rregullin), shkallën (qartësinë, shkallën e informacionit), kompleksitetin (shumëllojshmëri, zbukurimin), risinë dhe ndriçimin (pasurinë vizuale), ashtu dhe “Estetika simbolike’, me nënkuptimet e saj si natyralitetin, mirëmbajtjen, intensitetin e përdorimit dhe stilin kanë bërë që qytetari të ndjehet mirë me të.

Tjetër argument, ndër të shumtit, është se vepra Liqen e Park i përmbahet konceptit bazë të marrëdhënies vepër urbane-njeri, e shprehur në harmoninë individ-mjedis, ku vepra të tilla për vlerat e shpalosura më lart kanë bërë ndryshim apo përshtatje të sjelljes së qytetarëve, duke u përshtatur dhe pranuar mjedisin aktual, dhe individi qytetar është gatitur tashmë me kontroll personal ndaj saj.

Tjetër argument ndër të shumtit është se vepra Liqen e Park shquhet si zonë antizhurma, ndryshe nga shumë vepra të tjera të sotme urbane. Ndoshta, pse është hijerëndë, ndoshta pse ka distancat e duhura nga veprat përreth, ndoshta pse ka intensitet kaq të ulët ndërtimi, ndoshta pse ka hapësirë publike, ndoshta pse ka hapësirë të gjelbër, ndoshta pse zogjtë dhe fëmijët gumëzhijnë lirshëm, ndryshe nga vepra kaba që i qasen apo i zvarriten përreth. Kjo ka bërë që komuniteti të ndjehet i përfshirë dhe i nxitur për të mbrojtur vlerat e përbashkëta, duke evituar shenjat e shkatërrimit fizik, si rrëmujat e ’97, etj. Keni parë e dëgjuar ndonjë demonstratë brenda Parkut apo Liqenit? Diku gjetkë dhe pranë saj sa të duash, por jo aty. Gjithsesi, veprat e mira janë si njeriu i mirë e i mençur që nuk kuptohen për momentin.

 

Sazan Guri

“MAPO”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.