Pak diktaturë për të gjithë

Postuar në 29 Korrik, 2015 07:18
Elidor Mëhilli

Kudo që hedh sytë, ka nga pak diktaturë: ligje për hapje dosjesh sekrete, që provokojnë stuhi të papara mediatike, për të inauguruar pastaj ritualisht harresën; bunkerë të nëndheshëm që hapen me epsh për blicet dhe ambasadorët; nga pak garniturë realizmi socialist tek galeritë e artit; rrënoja stalinizmi që nxirren nga bodrumet për ca kohë, për t’u futur pastaj sërish në bodrume.

Kuratorët perëndimorë vijnë dhe mësojnë historinë e Shqipërisë për një fundjavë. Përciptazi, duket se në Perëndim ka një kuriozitet të pashtershëm për vendin e çudive envero-ballkanike. Por ky është më së shumti iluzion që vetushqehet.

E gjithë-gjendur diktatura, po dhe e parrokshme. Kjo ndodh sepse e kaluara po na përcillet pothuajse ekskluzivisht nëpërmjet sendeve dhe shenjave. (Mbase nuk do të ishte e tepërt të supozohej se “elita” kulturore e Tiranës ka ngecur në post-strukturalizmin e dyzet viteve më parë; ashtu siç patën ngecur në të tjera referenca paraardhësit e saj nën diktaturë.)

E kaluara diktatoriale, pra, vazhdon të fanepset si imazh pa trup — fantazmë dalë nga varri totalitar. Por, në kundërshtim me gojëdhënat vendase, fantazma duket se nuk ka qëllim të mbajë ndonjë premtim të dhënë para vdekjes. Thjesht na llahtaris, e pastaj zhduket.

Ka diçka prej vetmie në këtë lloj marrëdhënieje me të kaluarën. Sa më shumë trumbetohen të huajt “me famë” që bujtin në vendin e varfër por krenar, për të bërë qokat e tyre kulturore, aq më dhimbshëm duket se theksohet edhe hendeku kulturor mes Tiranës (po periferitë?) e “së jashtmes”.

Dyert hapen, vërtet. Turistët hyjnë. Bunkerët fotografohen. (Askush nuk e di numrin e saktë të bunkerëve të super-fotografuar, edhe pse vështirë se gjen ndonjë autor të huaj që ka shkruar për Shqipërinë trime pa lënë kokën për bunkerët.) Kontakt, pra, ka. Po kontakti me “të jashtmen”, si prej një shekulli, vazhdon të prodhojë distancë.

Ka edhe diçka të trishtë tek shpalosja e vragave të së kaluarës si biletë hyrjeje për në Europë. E trishtë pse rrëfen për një keqkuptim fatal. Europa e sotme nuk është Europa e vitit 1992, që të emocionohet nga sakrificat shqiptare nën stalinizëm, apo izolimi i pashoq i viteve ’70-’80, apo padrejtësitë e tjera historike të radhitura me kujdes mbi piedestal. Edhe këtu, duket se komunikimi me Europën kthehet së shumti në të folur me veten.

Europa e sotme është burokratike dhe e pamëshirshme. Shqipëria e vogël dhe e keqqeverisur prej dekadash nuk ka asnjë shans për të përdorur ndonjë kartë morale kundrejt një strukture mbishtetërore si Bashkimi Europian, që s’e ka për gjë t’i thotë një vendi si Greqia “vdis!”

Ka pastaj edhe diçka prej dëshpërimi në këtë marrëdhënie me të shkuarën. Gërmimi amatorial i historisë ndodh që të nxjerrë në dritë, mes rraqeve, edhe ndonjë guralec të çmuar. Mirëpo, gjithë inskenimi i së shkuarës si spektakël të lë bosh. Pas çmontimit të industrive, pas shkatërrimit të territorit, pas zëvendësimit tërë zell të motos “një bunker për person” me “një pallat për person” tashmë duket se ka ardhur stina për të plaçkitur nga pak edhe valixhet e kujtesës. Qasja ndaj së shkuarës kthehet në tregti gjërash të vjetra. Përurohen salla leximi ku nuk lexohet, hapen qendra dialogu ku nuk ka dialog.

E qenësishme apo e manifakturuar nga “elita” kulturore e Tiranës, uria për diktaturën vjen me simptoma të njohura: parehati barku, trullosje, konfuzion, dobësi e spikatur që fillon te gjymtyrët dhe më tej paralizon dhe trurin. Vjen pastaj banketi: ceremonia e hapjes, fjalimet për të shkuarën që nuk duhet harruar, beteja ndaj urisë me çfarëdo lloj pjatash që të dalin përpara, dhe më pas harresa.

A mund të mbetet marrja me historinë diktatoriale në kufijtë e performancës? Spektaklit? Të merresh me të kaluarën do të thotë edhe të mposhtësh mërzinë. Nuk ka gjë më të mërzitshme se të merresh, bie fjala, me patologjitë e Komandantit, apo meditimet e Beqir Ballukut për revolucionin botëror. (Agoni pa fund!) Po ja që e kaluara nuk vjen veç me sende interesante gati për ekspozitë, bëma gati për “sytë perëndimorë” që duan të kuptojnë se sa totalitar mund të jetë totalitarizmi.

Qasja ndaj së kaluarës është shpeshherë punë pa krye. Nuk “kurohet” dot. Kur na shpaloset vetëm si spektakël, si “projekt” transparence, jo vetëm që gënjejmë veten, por edhe kërkojmë prej historisë gjëra që nuk i jep dot.

Ndonjë cinik mund të thotë se përdorimi i vazhdueshëm i diktaturës nga pushteti ka një shpjegim shumë më të thjeshtë që mua, budallait, më shpëton. Merren me diktaturën sepse diktatura mbetet prodhimi kryesor ekonomik shqiptar tash e 30 vjet. Ç’tjetër mund të tregtohet? Globalizimi është i egër; insiston në specializim. Dhe meqë ekonomikisht Shqipëria ka zgjedhur të konkurrojë në tregjet e larjes së parave dhe trafikimit, duhet tjetër veçori dalluese. Voilà! Vend bunkerësh. Vend vuajtjesh. Vend-burg (po me bukuri mahnitëse natyrore).

Kështu, Shqipëria e lodhur nga pritja e gjatë vazhdon të dërgojë sinjalet e saj konfuze drejt Oksidentit: tolerancë dhe bunkerë; mikpritje dhe krim; ngjyra të ndezura europiane përbri grisë së zbehtë të zhgënjimit. Pushteti e sheh veten si në një lojë. Loja është zbavitëse. Deri sa të rikthehen fantazmat.

"Shqip"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.