Nuk mund të jetojmë në Shtetet e Bashkuara të Europës

Postuar në 12 Korrik, 2015 05:42
Mustafa Nano

Po e filloj me një synopsis të një artikulli me titull “Europa në 28 versione dhe mundimi ynë për të njohur sho-shoqin” (në origjinal: With 28 versions of Europe, it’s no wonder we barely recognize each other), të publikuar në numrin e djeshëm të së përditshmes britanike “The Guardian” e të shkruar nga analisti Timothy Garton Ash. Siç merret me mend edhe nga titulli, Garton Ash i mëshon idesë se Europa e sotme është një kullë Babeli, është një gjë e papërkufizuar dhe ndoshta e papërkufizueshme, është një projekt i pamenduar mirë qysh në krye të herës, është një klub, anëtarët e së cilës e kanë vëmendjen, më shumë sesa tek interesat e përbashkëta të klubit, tek egoizmi i tyre nacional. Është bërë bashkimi monetar, ndoshta mund të arrihet edhe ai fiskal, e në këtë mes është pritur të ndodhë në një kohë të ardhshme, natyrshëm e vetvetiu, bashkimi politik. “Helmut Kohl ka shpresuar se integrimi ekonomik do të shërbejë eventualisht si katalizator i një integrimi politik”, kujton autori, dhe po aty ia bën: “Por deri më sot kjo gjë nuk është parë që të ndodhë”. Pse? Sepse problemet e Europës së sotme nuk e kanë burimin tek udhëheqësit e dobët apo te politikat e gabuara të këtyre kohëve, por te ca dobësi strukturore të origjinës dhe janë këto dobësi strukturore që kanë bërë që sot të kemi 28 Europa, po aq sa janë vendet anëtare të BE-së. Kjo do të thotë që të kemi dhe 28 këndvështrime të ndryshme për çdo sfidë europiane. Deri edhe në vende që kanë një gjuhë të përbashkët nuk arrijnë dot të krijojnë/mbajnë ide/qëndrime të përbashkëta lidhur me sfida të tilla. Ja një ilustrim që jepet në këtë artikull: “Shtypi austriak ka përdorur tone krejt të ndryshme nga ai gjerman në raportimin e krizës greke”. Si i bëhet? “Elitat politike europiane kanë mbetur në kurthin e BE-së jo funksionale të ndërtuar nga paraardhësit, dhe do duhet guxim e imagjinatë për t’i ikur këtij kurthi”, thotë Timothy Garton Ash.

Unë do t’ua sugjeroja të gjithëve që ta lexonin këtë shkrim shumë interesant, vetëm se kam frikë që në të do të pikasin pakëz të zhgënjyer atë që pikasa dhe unë. Me fjalë të tjera, kur vjen puna për ta përkufizuar projektin europian, Timothy Garton Ash nuk qullos ndonjë gjë më të madhe sesa ata që e vunë në lëvizje këtë ide, shpikësit e etërit themelues të BE-së pra. Dekadat që kanë kaluar prej momentit që Konrad Adenauer, Alcide de Gasperi, Jean Monnet etj (po mbetem këtu e nuk po shkoj më herët, te Victor Hugo, Giuseppe Mazzini etj) zunë ta materializonin idenë e tyre të vagullt nuk është se na ndihmojnë ne të sotmëve për të qenë më pak të vagullt; përkundrazi, duket sikur këto vite e kanë shtuar mjegullën. E ndoshta, me këtë turbullirë të origjinës shpjegohet dhe belbëzimi i Timothy Garton Ash-it (që është autori im i parapëlqyer në këtë lëmë), por edhe i të gjithë të tjerëve, kur kuturisin ta përkufizojnë apo përfytyrojnë Europën më në fund e tërësisht të Bashkuar. Askush nuk di të thotë, fjala vjen, se si do të jetë, apo se si do donte ai që të ishte, Europa e Bashkuar e pesëdhjetë viteve më pas. Më e shumta që na kap truri është një Europë edhe më e integruar në planin ekonomik e financiar (kjo është e mundur, ndonëse jo e sigurt; nuk përjashtohen në asnjë kohë goditje shpërbërëse si kjo e Greqisë), por më tej nuk shkojmë dot me mendje.

Me sa duket, Europa e Bashkuar në versionin maksimalist (Victor Hugo ka folur për “Shtetet e Bashkuara të Europës”, dhe me këtë ka përfytyruar një gjë të ngjashme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një fjalim të mbajtur në vitin 1849, në një kongres ndërkombëtar, ai ka thënë: “Do të vijë dita kur kombet e kontinentit tonë do të bëhen tok, kur ne do të shohim Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Shtetet e Bashkuara të Europës…”) është një gjë e vështirë për t’u përfytyruar, e jo më për t’u realizuar. Historia 70-vjeçare e BE-së ka treguar se, pavarësisht proceseve integruese, pavarësisht edhe interesit të përbashkët për një BE të fortë në botën e sotme shumëpolare, interesi nacional vijon të mbetet busulla e elitave politike, në të 28 kryeqytetet e vendeve anëtare, por edhe në Bruksel, që është kryeqyteti i BE-së. Është e çuditshme, por e vërtetë: sa më shumë që flitet e bëhet për integrimin europian, aq më shumë, për një instinkt vetëmbrojtës, për një forcë zakoni a për një pasion të pavdirë identitar, gjenden njerëz që kërkojnë strehë te sovraniteti nacional, që e mbrojnë këtë sovranitet. Francezët nuk kanë qenë kurrë më shumë sesa sot në mbrojtje të gjuhës së tyre. “Greqia është vend sovran”, është dëgjuar të thotë Tsipras më shumë se njëherë edhe gjatë këtyre kohëve, kur Greqia është në zgrip të greminës. Ministrat e Financave, ata të Jashtëm, por edhe Kryeministrat e Gjermanisë, Francës, Italisë etj., hyjnë e dalin nga dyert e institucioneve të BE-së me vetëm një merak në kokë: merakun për të mbrojtur interesin nacional. Madje, edhe zyrtarë si Donald Tusk, Martin Schulz, Jean-Claude Juncker, Mario Draghi, etj., sido që janë zgjedhur për të qenë “pa atdhe” në ushtrimin e përgjegjësive të tyre, është e pamundur që ta hedhin pas shpine interesin nacional. Është një kontekst i tërë europian, politik, ekonomik e kulturor, që dominohet nga ky interes; apo nga ky pasion, në daçi. E në këtë kontekst është e vështirë që një francezi t’i kërkosh të jetë më pak francez, një italiani t’i kërkosh të jetë më pak italian, apo të gjithëve t’u kërkosh “të jenë pak më shumë gjermanë”. Është kjo logjikë, përveç shqetësimit që në BE nuk do të jetë ajo që do ta heqë vallen (por jemi tek i njëjti muhabet), që e mban Britaninë e Madhe me një këmbë jashtë BE-së. Është kjo kulturë e ky qytetërim i ngritur mbi kombin e kombëtarizmin (kështu ka për të qenë gjithnjë, me sa duket; edhe fetë monoteiste mund të zhduken, por kombet jo; sidomos kombet e Europës, të cilat kanë bërë historinë e botës) që është pengesa e vetme e madhe në drejtim të integrimit apo unifikimit europian. Demokratizimi i BE-së, d.m.th veshja me legjitimitet demokratik e strukturave dhe e autoriteteve të vendimmarrjes në BE (fjala vjen, nuk ka kuptim që Jean-Claude Juncker, të cilin nuk e ka zgjedhur askush, t’i ngrejë zërin Alexis Tsipras-it, i cili është produkt i një vullneti të qartë elektoral), është një gjë e nevojshme. Nuk dihet se si mund të arrihet (mbi ç’baza do të votojnë zgjedhësit e të gjitha vendeve të Europës për postin e Presidentit të Komisionit Europian? Si mund të krijojë një ide një zgjedhës spanjoll për një kandidat skandinav që flet, në rastin më të mirë, anglisht?), por është i nevojshëm. Ky demokratizim, megjithatë, tok me gjithë vlerat e tjera të përbashkëta, nuk ka se ç’t’u bëjë efekteve të xanxave nacionale.

Atëherë? Atëherë BE-ja do të mbetet një klub ekonomik, financiar, fiskal, një botë vlerash të përbashkëta, një botë e demokracisë, të drejtave të njeriut, lëvizjes së lirë të njerëzve, qarkullimit e shkëmbimit të lirë të arteve, kulturave, kapitaleve, bizneseve, etj. Nuk është pak edhe kaq, por puna është që këto, përveçse janë arritje, janë dhe limitet e BE-së. Dhe kjo është shkurajuese, sidomos për ata që do donin një Europë të Bashkuar pa limite, për ata që do donin të jetonin në Shtetet e Bashkuara të Europës.

"Shqip"

Comments

Submitted by Hygoi ishte poet (not verified) on

Aty me rri, Mustafa!

Thjesht Klub Ekonomik, dhe per eglendisjet e tjera shpirterore. Kaq.

Duket pak, por eshte e tera qe mund t'i kerkohet njeriut, individit, grupit, kombit.

Dhe, po: Hygoi ishte POET, se pari edhe pse madheshtor ne proze (qe poetike ishte, edhe ajo!).

Si SHBA, tha ai.

Po, pra: Eksperiment madheshtor Lirie, deri ne absurd.

Nuk duhet habitur qe "secili eshte dhe shfaqet ne radhe te pare Vetja", perkundrazi.

Diferenca prej filleses, nuk ekziston.

Dhe rregullat jane rregulla. Te njejta per te gjithe. Greqia Antike, thuhet, ka lindur dhimokracine.

Por demokracia greke lulezon ne Perendim, jo ne Athine.

Dhe, Perendimi e ka pertypur, mjele dhe flakur kolektiven ideologjike, prej kohesh.

Submitted by Anonima (not verified) on

shyqyr me ne funs qe edhe shumekulturalistet shqiptare po e kuptojne qe internacionalizmi vdiq.  be-ja mund te ekzistoje vetem si evrope e kombeve.

shqiptaret ,megjithese me vonese,duhet ti perkushtohen integrimit kombetar,nese duan te jene evropian.  koha per tu zgjuar nga gjumi ka ardhur me kohe.

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Puna eshte se Europa e vertete eshte vetem Gjermania (perfshi Austrine), Franca, Britania e Madhe, e deri diku Italia (e Veriut). Hollanda dhe Belgjika jane lagjet e pasura, Zvicra eshte si puna e Hotel Dajtit ne Tirane ne kohen e Qoftelargut. Te tjeret, me fal, por jane evgjitet dhe arrixhinjte (pa ofendim per keta te fundit) qe ashtu ka rastisur qe gjeografikisht te jene ne Europe.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.