Një vizitë dhe një personalitet mbi të cilat duhet të reflektojmë

Postuar në 08 Korrik, 2015 12:12
Perlat Kurti

Përtej marrëveshjeve aq fort të dëshiruara qeveritare në të mirë të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë e përtej hamendjeve edhe më të guximshme për frytet gjeopolitike aq të nevojshme në rajon që do të sjellë vizita e Kancelares Merkel në Shqipëri, politikanët shqiptarë kanë rast të mendojnë e reflektojnë thellë përballë personalitetit të gruas më të fuqishme të botës e jo vetëm të pozicionit që ajo mban.
Zonja Merkel shquhet për aftësi bindëse dhe argumentim logjik. Ajo është përfaqësuese e denjë e bashkimit gjerman dhe ka për model këmbëngulësen Mari Kyri-në. Me formim kimiste-fizikante, Merkel diskuton me pasion edhe për enciklikën papale mbi imazhin e krishterë të qenies njerëzore dhe thotë se:

“Jemi krijesa të Zotit, pra nuk jemi të detyruar të kaplohemi nga idea e plotfuqishmërisë së shtetit, por duhet ta kryejmë punën tonë duke qenë të vetëdijshëm se nuk jemi të përsosur dhe nuk jemi të dënuar të dështojmë për shkak të mospërsosmërisë sonë. Sepse dashuria e Zotit e cila është e pranishme dhe rrok çdo njeri që gjallon mbi dhé, përfshirë drejtuesit politikë.
Kjo vetëdije për mëkatin tonë dhe për mospërsosmërinë tonë, sidoqoftë, nuk duhet të na bëjë pasivë e të themi “Bëjmë vetëm çka mendojmë të drejtë për të bërë”. Historia e krijimit na thotë mirë se jemi sjellë në këtë këtë botë për ta qeverisur me përgjegjësi..... Po ashtu duhet të dimë edhe se politika drejton dhe formon shoqëri njerëzore dhe se kemi për detyrë ta drejtojmë (qeverisim) edhe me liri edhe me përgjegjësi...Jam e bindur se mospërsosmëria jonë na detyron të bëhemi edhe më të përulur. Kjo përulje na ruan që të mos zaptojmë hapësirat e lirisë të tjetrit, na ruan që të mos vendosim, sipas meje, kur ja vlen të jetojmë e kur nuk ja vlen më dhe na ruan që të mos mbahemi e ndjehemi në kuptimin Orëellian, më të barabartë se të tjerët”.
Kancelarja është e bindur se “çdo qenie njerëzore duhet të drejtohet drejt shtegut të virtutit’ dhe nuk rresht së përsëriture hyrjen e Kushtetutës gjermane (të vitit) 1949 “Të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë përballë Zotit dhe njerëzve”.
Më 1996, në përshëndetjen ndaj një Konference Ndërkombëtare për Tokën, Angela Merkel, asokohe Ministre Federale për Mjedisin, Mbrojtjen e Natyrës dhe Sigurinë Bërthamore, përveç vënies së gishtit në plagën e dëmeve mjedisore të injoruara sidomos në sistemet politike të vendeve totalitare, ngriti çështjen e vlerave etike dhe ndërgjegjësimin e politikanëve në qëndrimin e tyre ndaj mjedisit, në mënyrë që ç’thuhet nëpër konferenca të mos mbetet veç atje. Dhe ajo tregoi se udhëhiqej nga filozofi i Königsberg-ut Emanuel Kant lidhur me parimin udhëheqës për veprime të moralshme, i cili duhet t’i shërbejë vazhdimësisë së jetës dhe jo shkatërrimit të saj.
Duke banuar me qira në një apartament modest rreth 80 m2 e duke mbajtur radhë si gjithë njerëzit e tjerë kur viziton monumentet e kulturës dhe viset arkeologjike, Frau Merkel bën të skuqet gjithë politikanët të cilët kalërojnë postet e tyre, edhe apo veç për t’u pasuruar e për të shtuar privilegjet. Ajo e para zbaton rregullat e shtetit të vet e kështu ‘i zë vend fjala’. E këtu nuk mund të mos vërejmë ngjashmëri konseguence karakteriale e përputhje fjalë-vepër me Nënën tonë Terezë.
Nuk janë të shumtë personalitetet e sotëm politikë, të cilët udhëhiqen e zbatojnë parime të larta morale si Zonja Merkel, e cila ka ditur të kritikojë, po edhe të tërhiqet (p.sh. rasti i shtyrjes së afatit të mbylljes së centraleve bërthamore në Gjermani, ku ajo iu rikthye afatit të ligjit të mëparshëm të ish-kundërshtarit të saj politik), edhe të kërkojë falje për dhunën e Luftës së Dytë Botërore, kur ajo vetë ende nuk ishte lindur.
Për fat të keq Shqipërisë i patën munguar prej shekujsh prijës që ta drejtojnë e qeverisin bazuar në parime morale të shëndosha. Aq i ngushtë pat qenë (dhe vijon të jetë) horizonti i tyre sa që Shqipëria mbeti ashtu siç është edhe sot - e gjymtuar dhe e kufizuar me shqiptarë në shtete të ndryshme, ndërsa ajo, shteti mëmë, i paaftë t’i ndihmojë as për të drejtën të flasin gjuhën e tyre. Kuptohet lehtë kjo mungesë kur sheh nivelin e gjyqësorit në një anë dhe të padrejtësive e kriminalitetit në anën tjetër – faktorë kryesorë të stabilitetit të brishtë dhe hemoragjisë së emigracionit.
Ndërkohë na vjen në tokën tonë Kryetarja e popullit gjerman i cili pat hequr vuajtje të mëdha (edhe më të mëdha se të popullit tonë), po me kronologji fort të ndryshme: shkatërrim, rimëkëmbje, ndarje, bashkim, lulëzim në më pak se 50 vjet, ndërsa tek ne: shkatërrim, përmbysje, shpresë, shkatërrim i shpresave dhe sa pak rimëkëmbje! Pikërisht për këtë ecuri evolutive Gjermania mbetet për ne si mirazh i Tokës së Premtuar...
Shqiptarët hidhërohen kur kujtojnë politikanët e radhës që refuzuan dorën e zgjatur gjermane nga fundi i viteve ’80 e që çuditërisht u përsërit edhe në fillim të viteve ’90 për vijën bregdetare – sot të masakruar me ligj (dhe shumë raste të tjera që nuk i njohim). Kjo dorë na zgjatet përsëri e madje edhe më e fortë, mbasi Zonja Merkel nuk vjen vetëm vetëm si Kancelare e vendit më të fuqishëm të BE por edhe si autoritet i vetë BE. Është një vazhdimësi shpresëdhënëse e kujdesit të botës gjermane për fatet e shqiptarëve dhe popujve në rajon.
Prandaj lus politikanët shqiptarë – ata që janë – të zgjedhur apo të përzgjedhur, ta ndiejnë me shumë vëmendje fjalën e Zonjës Merkel.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.