Një diskutim i të majtëve në Shkodër dhe një paralele me PD-në në Tiranë

Postuar në 02 Korrik, 2015 05:16
Mustafa Nano

Ka një vibrim në radhët e së majtës shkodrane pas zgjedhjeve lokale dhe kjo lidhet më së shumti, me sa duket, me një si sëkëlldi prej votës që e mbajti Shkodrën të ndarë nga një trend kombëtar. Kjo është një vuajtje e panevojshme, në fakt. Në këtë botë nuk është vetëm Shkodra që manifeston në vijimësi besnikërinë ndaj një partie politike. Paradigma, në daçi stigma, e bastionit të një partie është e njohur kudo. Dhe e shpjegueshme. Një nga shpjegimet bëhet edhe nga Gilman Bakalli në shkrimin e tij të publikuar në “Mapon” e djeshme me titullin “Qeni emocional shkodran dhe bishti racional”, por nuk është shpjegimi i vetëm. Sëkëlldia e disave është e kuptueshme në këto rrethana (ashtu si sëkëlldia e demokratëve amerikanë në Utah, apo sëkëlldia e konservatorëve italianë në Firencen “e kuqe”), por shpjegimet rëndom janë kaq komplekse sa nuk është e thënë të komprometojnë sjelljen e rreshtimin politik.

Artikulli që Keti Bazhdari shkroi disa ditë pas këtyre zgjedhjeve e manifestonte hapur këtë sëkëlldi. Ç’është e vërteta, vihej re në artikull një përpjekje e Bazhdarit për t’u shfaqur mirënjohëse ndaj atyre që e kishin mbështetur e shoqëruar qoftë dhe me mospajtimet e tyre në këtë aventurë dhe e kënaqur prej kësaj përvoje që kish kaluar, por thellë-thellë, ndonëse asaj nuk i shpëtonte ndonjë mendim zemërak (ç’kuptim do kishte?), letra ia bënte mu që ishte një apel i dëshpëruar post factum që u drejtohej shkodranëve. Mesazhi që lexohej në rreshta e mes rreshtave ishte: “Unë humba, unë nuk munda ta fitoja besimin tuaj, por me këtë nuk është se kam humbur unë; keni humbur juve; keni humbur, në mos tjetër, një shans për ta bashkuar vagonin shkodran me trenin (dhe me trendin) kombëtar”. Por “Shkodra do të bëhet”, bërtiste qysh në titull, më shumë prej dhimbjes se sa prej besimit, Keti Bazhdari në shkrimin e vet. Dhe të bëhej të besoje se në mendje ka pasur një titull tjetër: Shkodrën e ka hangër dreqi!

Por ta lëmë mënjanë këtë spekulim timin. Diskutimi në Shkodër e për Shkodrën këto ditë ngjan me një leksion për të gjithë. Të majtët e Shkodrës duken të vetmit njerëz të shqetësuar prej rezultatit elektoral, në një kohë që këta kanë arsye më pak se gjithkush tjetër për të qenë të shqetësuar. Shkodra, për një forcë zakoni apo zakonesh, nuk është e tyrja, e në këtë kuptim, atje nuk ka ndodhur kiameti. Ka ndodhur ajo që pritej, ka fituar Partia Demokratike. Afërmendsh, një fitore e së majtës do ishte gjë e bukur për të majtët (në Shkodër), por një fitore e demokratëve atje është një ngjarje normale, dhe pikërisht ky fakt e bën ndjesinë e fajit të socialistëve shkodranë një gjë të tepërt.

Nuk është vetëm diskutimi i të majtëve/për të majtët në Shkodër që më ka bërë përshtypje. Është dhe natyra e këtij diskutimi. Ata janë duke u marrë me veten. Sigurisht, kur humb në një garë elektorale në Shqipëri, është gati e pamundur t’i rezistosh tundimit për t’u marrë me kundërshtarin (edhe Bazhdari tek-tuk nuk ia kish prishur këtij tundimi në shkrimin e vet), por diskutimi shkodran mbi Shkodrën (edhe i Bazhdarit në një masë të madhe), për nga mënyra se si po bëhet, është një gjë emancipuese për politikën në tërësi, e prandaj u bën nder atyre më shumë se sa një fitore në zgjedhje. Nuk është se e kam ndjekur në vijimësi, e të gjithin, këtë diskutim, por ajo pjesë e këtij diskutimi që është përcjellë edhe në mass-median nacionale më ka bërë që ta mendoj në këtë mënyrë. Dy shkrime që ishin publikuar dje në shtypin shqiptar, njëri me autor Mehmet Kirin, që nuk është socialist (këtë e thosh ai vetë gjatë shkrimit), dhe tjetri me autore Rozafa Zenelin (Zmijanin) ishin ilustrimet më të mira të kësaj ideje. Këtyre u duhet shtuar artikulli i sipërpërmendur i Gilman Bakallit që, si shumë shkodranë të tjerë që janë bërë prej kohësh protagonistë të jetës publike nacionale, nuk e fsheh një si parehati e pakënaqësi të tijën lidhur me zhvillime apo moszhvillime të caktuara politike e kulturore në qytetin e tij të origjinës. Shkurt, këtë herë Shkodra, ndonëse atje nuk ndodhi asgjë e pazakonshme, diti të shndërrohet në një lajm të bukur nacional, dhe ishte kështu jo vetëm prej diskutimit që po bëhet, por edhe prej fushatës, e cila ishte një leksion për shumë të tjerë. Atje garuan dy gra. Gara ishte korrekte nga fillimi deri në fund, po aq korrekte dhe e fisme sa gara për Bashkinë e Tiranës, për të cilën u harxhuan shumë fjalë të mira për shkak të natyrës konveniente të shembullit. Dhe në fund, humbësja e garës pati vullnetin e gatishmërinë për ta përgëzuar fituesen. Kjo, për hir të së vërtetës, ndodhi edhe në 2-3 vende të tjera, gjë që na bën ta shpjegojmë dukurinë edhe me një klimë pozitive të përgjithshme, por në Shkodër ky përgëzim i humbëses për fituesen ishte finalizim i natyrshëm i gjithë fabulës elektorale.

Mos vallë jam duke e tepruar? Ndoshta. Por ky diskutim i të majtëve/për të majtët në Shkodër, kështu si po bëhet pas një humbjeje në zgjedhje, krijon një kontrast të fortë me demokratët e Tiranës, të cilët nuk kanë ditur të kenë gojë e të vënë gishtin në plagë as pas kësaj humbjeje katastrofike. Në PD ka një ngrirje të gjërave. Atje ka “mijëra vjet” që nuk guxon kush të vërë pikat mbi “i”. Grupi që e drejton opozitën, me refuzimin për t’i parë gjërat ashtu si janë, vijon ta mbajë veten krejt të shkëputur nga mainstream-i, që ka rënë tanimë dakord se mazhoranca i fitoi frikshëm këto zgjedhje, se opozita humbi si kurrë më parë, se zgjedhjet ishin ku e ku më të mira se zgjedhjet që janë bërë deri më sot. Dhe në këtë halucinacion a sendërgji atyre u bëhen krah edhe disa zëra të rëndësishëm që tradicionalisht, kulturalisht e emocionalisht (lidhur me qasjen emocionale në politikë do t’ju sugjeroja ta lexonit shkrimin e Gilman Bakallit mbi “qenin emocional e bishtin e tij racional”; është interesant) i përkasin së djathtës. Kanë folur këto ditë një numër intelektualësh publikë të këtij krahu, dhe të bën përshtypje që, ndonëse i duan të mirën PD-së dhe ndonëse me shumë gjasë e dinë se punët në këtë parti nuk janë hiç mirë, mendja u shkon veç të cherry-pick-ojnë ato momente e elementë të lojës elektorale, që e bëjnë humbjen e PD-së më pak dramatike apo fajin e drejtuesve të PD-së më të lehtë. Dhe mendojnë se kështu do ta mbajnë/bëjnë të fortë atë parti. Qofshin ata që janë!

"Shqip"

Comments

Submitted by Iluministi (not verified) on

Muc, je lodhur pak me duket te na thuash se PD paska fituar ne s
Shkoder, se Keti eshte e pakenaqur, se qasja e Gilmnit eshte nje nga spekulimet (hamendesimet) e mundshme, se .../

Dakord me te gjitha se jane sende qe i njohin te ge interesuarit e shumte.

Por... duket nuk e njeh Shkodren dhe shkodranet. Madje, kendej vjen (ne optiken time) dhe subjektivizmi i shkirmit tuaj. Gilmani shpjegon nga nje koncept i pranuar psikologjik inversin e gjerave. Qe i pershtatet "mo tamo" psikologjise se nje pjese te madhe te madhe te njerezve atje. Dhe i qaset "bukur fort" realitetit. Dhe shpjegon se devijimin elektoral nuk lidhet me bindjet ne te vertatet e provuara - te verteta te tilla po quaj percaktimet e pjeses me te madhe te shqiptareve votues (besoj se jeni dakord qe parapelqimi per te majten shqipatre ne masen e deshmuar bart vlera vertetesie, apo jo?), por ne percaktime subjektive aspak realite.

Po e quaj kete shkrim tujin kete here deshire per sinteze, por jo sinteze.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.