Kujdes me FMN-në, Z. Rama!

Postuar në 02 Korrik, 2015 16:34
Eduard Zaloshnja

Të martën, Greqia u bë vendi i parë europian që nuk ka paguar një këst kredie të FMN-së në afatin e caktuar. Për dy arsye – sepse s’kishte para për ta paguar dhe sepse s’ishte dakord me kushtet e FMN-së për një kredi të re të butë.

Më në veri të Greqisë, Shqipëria është një shtet që dy herë në çerek shekullin e fundit nuk ka qenë dakord me kushtet e FMN-së në lidhje me kreditë e buta të ofruara nga ky institucion – një herë në vitin 1996 dhe herën tjetër në vitin 2009.

Në vitin 2013, pasi borxhi publik i Shqipërisë arriti 70% të Produktit të Brendshëm Bruto, qeveria shqiptare thërriti përsëri në ndihmë FMN-në, e cila akordoi një kredi të butë me kushtin që, në vitet e ardhshme, përqindja e borxhit të ulej gradualisht.

Në dy javët e fundit, misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar qëndroi në Tiranë për të analizuar të gjithë treguesit ekonomikë dhe financiarë të vendit deri në fund të majit të këtij viti. Por edhe pas bisedimeve me palën shqiptare, delegacioni i FMN i drejtuar nga Nadeem Ilahi nuk arriti të firmoste dokumentin përfundimtar që i dërgohet për miratim bordit në Washington, para se të bëhet disbursimi i këstit të radhës së kredisë së butë. Sipas njoftimit në faqen zyrtare të FMN çështja e miratimit të këtij dokumenti është shtyrë për një afat të pacaktuar

“Ka pasur një mosrealizim në të ardhurat fiskale për periudhën janar-maj, në krahasim me buxhetin, për shkak të rënies së çmimeve dhe prodhimit të naftës dhe për shkak të dobësive në fushën e përmbushjes së detyrimeve tatimore nga subjektet dhe në fushën e administrimit tatimor. Autoritetet na kanë bërë të ditur angazhimin e tyre për të arritur objektivin e deficitit fiskal për vitin 2015. Konsolidimi fiskal duhet të vazhdojë edhe gjatë vitit 2016, për të siguruar që Shqipëria të ecë në rrugën e saj drejt arritjes së qëndrueshmërisë në kohë të borxhit”,- u shpreh Ilahi.

E përkthyer në një shqipe të thjeshtë, kjo deklartë e Ilahit, do të thotë se, në qoftë se nuk jemi në gjendje të rrisim të ardhurat buxhetore sipas parashikimit, duhet të shkurtojmë shpenzimet. Pra, duhet të shtërngojmë pak rripin.

Në fakt, Ministria e Financave po përgatit një draft për ndryshimet buxhetore për 2015-ën. Nëse FMN do të arrijë të bindet me këto rishikime, atëherë me rikthimin e saj në Shtator pritet të firmoset deklarata përfundimtare dhe miratimi i këstit të radhës së kredisë.

Në muajt në vijim, kryeministri Rama bën mirë që, në rishikimin e kërkuar nga FMN-ja, mos të tregojë kryeneçësinë e homologut grek, apo të paraardhësit shqiptar të viteve 2009 dhe 1996... 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.